Tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit përshkallëzohen sërish, ndërsa të dyja palët shkëmbejnë sulme dhe paralajmërime për reagime më të ashpra në zonën strategjike të Ngushticës së Hormuzit...
Një valë e re tensioni ka përfshirë marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, pasi Teherani njoftoi se ka goditur një bazë ajrore amerikane në rajon, në përgjigje të sulmeve amerikane ndaj një objekti ushtarak pranë aeroportit të Bandar Abbasit.
SHBA-ja deklaroi më herët se kishte ndërmarrë “goditje mbrojtëse”, duke pretenduar se objekti i goditur përbënte kërcënim për trupat amerikane dhe për lundrimin tregtar në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme në botë për transportin e naftës.
Teherani e dënoi operacionin amerikan si “agresion para agimit”, ndërsa forcat iraniane njoftuan se kishin nisur një sulm hakmarrës kundër një baze amerikane. Sipas agjencisë iraniane Tasnim, Garda Revolucionare nuk bëri të ditur se cila bazë u vu në shënjestër, por paralajmëroi se do të ketë përgjigje “edhe më të vendosura” nëse sulmet vazhdojnë.
“Armiku e di se agresioni nuk do të mbetet pa përgjigje”, thuhet në deklaratën e forcave iraniane, të cilat ia atribuuan përgjegjësinë për pasojat “agresorit”.
Shkëmbimi i sulmeve ka rritur pasigurinë mbi fatin e armëpushimit të brishtë mes dy vendeve. Më herët gjatë javës, Uashingtoni kishte njoftuar se kishte kryer “sulme vetëmbrojtëse” ndaj mjeteve lundruese që, sipas autoriteteve amerikane, po vendosnin mina në zonën e Ngushticës së Hormuzit. Irani i cilësoi këto sulme si shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.
Në të njëjtën kohë, mbetet e paqartë nëse ekziston një marrëveshje reale për uljen e tensioneve. Televizioni shtetëror iranian raportoi se është hartuar një “kuadër fillestar jozyrtar mirëkuptimi” mes Teheranit dhe Uashingtonit. Sipas raportimeve, drafti parashikonte tërheqjen e forcave amerikane nga zonat pranë Iranit dhe heqjen e bllokadës detare ndaj porteve iraniane. Megjithatë, pala amerikane i hodhi poshtë kategorikisht këto pretendime, duke i cilësuar si “plotësisht të fabrikuara”.
Kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Parlamentin iranian, Ebrahim Azizi, deklaroi se Teherani nuk do të tërhiqet nga “vijat e kuqe” në negociatat me SHBA-në. Ai theksoi se Irani nuk do të heqë dorë nga e drejta për pasurimin e uraniumit, mbajtjen e rezervave të uraniumit të pasuruar, kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit dhe kërkesën për heqjen e sanksioneve.
“Është e qartë se Donald Trump, duke kërkuar një rrugëdalje nga ngërçi i tij strategjik, lëviz mes kërcënimeve dhe thirrjeve për marrëveshje”, shkroi Azizi në platformën X.
Një nga çështjet më të ndjeshme në negociata mbetet fati i rreth 400 kilogramëve uranium të pasuruar me nivel të lartë që zotëron Republika Islamike.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi gjatë mbledhjes së kabinetit se udhëheqja iraniane “dëshiron shumë të arrijë një marrëveshje”, por shtoi se propozimet e Teheranit “ende nuk janë aty ku duhet”.
“Nuk jemi të kënaqur”, tha ai, duke shtuar se “ose do të arrihet marrëveshja, ose do ta përfundojmë punën”.
Një zyrtar amerikan konfirmoi se forcat amerikane kanë rrëzuar katër dronë iranianë dhe kanë bombarduar një qendër kontrolli në Bandar Abbas, përpara ngritjes së një droni të pestë. Sipas tij, operacioni ishte “i kufizuar dhe ekskluzivisht mbrojtës”, me synim ruajtjen e armëpushimit në fuqi që nga fillimi i prillit.
Agjencia iraniane FARS raportoi se gjatë natës janë dëgjuar tre shpërthime në lindje të qytetit Bandar Abbas.
Paralelisht me zhvillimet ushtarake, Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi vendosjen e sanksioneve ndaj Autoritetit iranian të Ngushticës së Gjirit Persik, institucioni i krijuar nga Teherani për mbledhjen e tarifave të kalimit në Ngushticën e Hormuzit.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se përpjekjet iraniane për të ushtruar presion ndaj transportit tregtar ndërkombëtar tregojnë “nevojën e dëshpëruar të regjimit për para”. SHBA-ja paralajmëroi gjithashtu se çdo subjekt që paguan tarifa kalimi ndaj autoriteteve iraniane mund të përballet me sanksione, pasi do të konsiderohet se mbështet Gardën Revolucionare iraniane. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje