SHBA paralajmërojnë goditje ndaj infrastrukturës energjetike nëse nuk hapet Ngushtica e Hormuzit
Presidenti amerikan Donald Trump ka dërguar një mesazh të ri kërcënues ndaj Iranit përmes platformës Truth Social. Në një postim me shkronja të mëdha, ai shkroi: “paqe përmes forës, për ta thënë butë!!!”.
Paralelisht, ultimatumi i Uashingtonit për hapjen e Ngushticës së Hormuzit nuk duket të ketë dhënë rezultat. Të hënën, Garda Revolucionare iraniane reagoi duke paralajmëruar: “nëse godisni objektet energjetike, do të godasim edhe ne”.
Sipas kompanisë së analizave Kpler, trafiku tregtar në ngushticë është reduktuar me rreth 95% që nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme. Aktualisht, vetëm një numër shumë i kufizuar anijesh mallrash dhe cisternash nafte e kalon këtë rrugë strategjike.
Në të njëjtën kohë, SHBA-të mbajnë të paqartë kohëzgjatjen dhe objektivat përfundimtare të operacioneve ushtarake. Izraeli deklaroi se po përgatitet për “javë luftimesh” kundër Iranit dhe Hezbollahut, lëvizjes shiite libaneze të mbështetur nga Teherani.
Shefi i shtabit të përgjithshëm izraelit, gjeneralmajor Eyal Zamir, njoftoi intensifikimin e operacioneve tokësore dhe goditjeve në Liban për të larguar kërcënimin e Hezbollahut nga kufiri. Ushtria izraelite ka shkatërruar një urë strategjike në jug të Libanit, të cilën e konsideron të përdorur nga Hezbollahu.
Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, e cilësoi këtë zhvillim si “parathënie të një pushtimi tokësor” dhe dënoi atë që e quajti shkelje të sovranitetit të vendit, raporton AFP.
Ndërkohë, shqetësimi ndërkombëtar rritet për sulmet ndaj objekteve bërthamore. Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se konflikti ka hyrë në një “fazë të rrezikshme” dhe u bëri thirrje palëve të tregojnë përmbajtje maksimale për të shmangur aksidente bërthamore.
Në jug të Izraelit, dy sulme iraniane plagosën mbi 100 persona, sipas bilancit zyrtar. Një prej raketave goditi një zonë pranë qendrës kërkimore bërthamore në Dimona, një objekt me nivel të lartë sekreti.
Izraeli konsiderohet gjerësisht si i vetmi shtet në Lindjen e Mesme që zotëron armë bërthamore, ndonëse mban një politikë paqartësie strategjike për këtë çështje.
Irani deklaroi se sulmet ndaj Dimonës ishin përgjigje ndaj një goditjeje të mëparshme kundër kompleksit bërthamor në Natanz. Autoritetet iraniane njoftuan se nuk është regjistruar asnjë rrjedhje radioaktive.
Pas këtyre zhvillimeve, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike bëri thirrje për vetëpërmbajtje maksimale ushtarake.
Konflikti ka ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë. Çmimi i naftës WTI ka kaluar kufirin e 100 dollarëve për fuçi. Sipas Patrick Pouyanné, drejtor i përgjithshëm i TotalEnergies, rreth 10 milionë fuçi naftë në ditë nuk mund të eksportohen aktualisht nga Gjiri.
Rreth 20 vende, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Britaninë, Francën dhe Japoninë, kanë deklaruar gatishmëri për të kontribuar në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, megjithëse qasjet e tyre ndryshojnë.
Në Teheran, intensiteti i bombardimeve është ulur disi ditët e fundit, por pasiguria mbetet e lartë. “E vetmja gjë e përbashkët që ndjejmë është pasiguria për përfundimin e kësaj lufte”, tha për AFP një banore e qytetit, 31 vjeç.
Lini një Përgjigje