
Disa orë përpara se të paraqitet në gjykatë në Manhatan për t'u përballur me akuzat në rastin e financimit të yllit të pornografisë, Stormy Daniels, ish-presidenti Donald Trump ka sugjeruar që gjyqi të zhvendoset nga Manhattan në Staten Island, një zonë tradicionalisht shumë më republikane se tjetra.
“Është një vend shumë i padrejtë, me disa zona që kanë votuar 1% republikanët”, ankohet ish-presidenti.
“Ky gjyq duhet të zhvendoset në Staten Island aty pranë, do të ishte një vend shumë i drejtë dhe i sigurt për gjykimin”, shton.
Ish-presidenti amerikan Donald Trump do t'i dorëzohet autoriteteve në gjykatën e Lower Manhattan në Nju Jork sot në orën 14:15 me kohën lokale. Ai duhet të përgjigjet për 35 akuza ende të fshehta për publikun. Kjo është hera e parë në histori që një ish-president amerikan përballet me akuza penale.
Dhjetëra protestues pro Trump janë mbledhur tashmë para prokurorisë së Manhatanit, ku lideri i tyre pritet të paditet në orët e ardhshme.
Lini një Përgjigje