Si shmanget kapitullimi i Perëndimit përballë Rusisë së Putinit...
Inaugurimi i afërt në detyrë i Donald Trump, premton gjëra jo të mira për interesat jetike të sigurisë së Perëndimit, dhe për Ukrainën në veçanti. Armiqësia e Trumpit ndaj NATO-s është e shumë e dukshme, dhe antipatia e tij për Ukrainën duket e pashmangshme.
Pas 20 janarit 2025, ndihma ushtarake dhe ekonomike e SHBA-së ka të ngjarë të pakësohet ndjeshëm, dhe të nisin shpejt negociatat me Rusinë. Nga ana tjetër, do të bjerë edhe mbështetja financiare e Evropës për Ukrainën, sepse anëtarët e BE-së do të nxitojnë të ringjallin lidhjet tregtare me Moskën.
Pavarësisht raporteve në media, Trump nuk ka biseduar ende me Vladimir Putinin. Kur të ndodhë kjo, dëshira e Trump për t’i dhënë fund “luftës së Biden-it” mund të nënkuptojë, në rastin më të keq, kapitullimin ndaj kërkesave maksimaliste të Rusisë.
Tek e fundit, nëse ndihma për mbrojtjen e Ukrainës kundër agresionit të paprovokuar është e parëndësishme për Uashingtonin, atëherë pse duhet shqetësuar për kushtet e dorëzimit të Kievit? Në fakt, interesat kryesore kombëtare të Amerikës mbeten të varura nga ajo që ndodh në Evropë.
Që nga viti 1945, paqja dhe stabiliteti evropian, kanë qenë jetike për sigurinë ekonomike dhe politike të SHBA-së. Efekti domino i dështimit të perceptuar të Amerikës dhe NATO-s në qendër të Evropës, do ta inkurajonte Pekinin të veprojë në mënyrë agresive ndaj Tajvanit dhe Detit të Kinës Lindore; Detit të Kinës Jugore; dhe përgjatë kufijve të tij tokësorë.
Këto nuk janë shqetësime abstrakte, por kërcënime të rënda për sigurinë fizike, tregtinë, udhëtimin dhe komunikimin e SHBA-së në nivel global. Biden i vuri në rrezik këto interesa duke e penguar ndihmën e plotë të Kievin. Ai nuk zhvilloi asnjëherë ndonjë strategji fituese. Administrata e tij, ndihmoi në krijimin e ngërçit aktual në fushën e betejës, i trembur nga kërcënimet e vazhdueshme por boshe të Kremlinit për një “luftë më të gjerë”. Çfarë duhet bërë në këtë situatë? Ndihma për Ukrainën është në interesin jetik të NATO-s. Dhe ky interes nuk zbehet për shkak të performancës së dobët të vazhdueshme të administratës Biden.
Në negociatat e ardhshme, janë thelbësore disa pika për çdo lloj marrëveshje të mundshme. Së pari, çdo marrëveshje duhet të jetë e përkohshme për ta mbajtur të hapur të ardhmen e Ukrainës. Sepse në çdo rast, vetë Moska do të trajtojë si të tillë çdo marrëveshje. Për Kremlinin, nuk ka asgjë të përhershme derisa perandoria e tij të rivendoset plotësisht.
Putinit i duhet kohë për të riforcuar aftësitë ushtarake të Rusisë, dhe është naive të besohet çdo lloj “angazhimi” i tij do të shmangë agresionin e ardhshëm kundër Ukrainës. Një armëpushim përgjatë vijave ekzistuese të frontit gjatë negociatave mund të jetë i pashmangshëm. Por ne duhet të këmbëngulim, që çdo marrëveshje përfundimtare të deklarojë hapur se këto linja nuk kanë asnjë rëndësi politike, por pasqyrojnë thjesht gjendjen aktuale të frontit.
Rusia mund t’i shpërfillë më vonë, por pretendime të tilla duhet të shpallen si të pavlefshme paraprakisht. Po ashtu, marrëveshja nuk duhet të krijojë zona të çmilitarizuara midis forcave ukrainase dhe atyre ruse brenda Ukrainës, ose përgjatë kufirit zyrtar diku tjetër.
Mënyra më e sigurt që një linjë armëpushimi të bëhet një kufi i përhershëm, është të jetë 800 metra gjerë, duke u shtrirë pafundësisht nëpër territorin e kontestuar. Një DMZ do të funksiononte vetëm në dobi të Moskës. Misionet paqeruajtëse të OKB-së bartin historinë e zymtë të ngrirjes së statuskuo-së, duke mos ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit bazë.
Kujtojmë këtu Forcën Paqeruajtëse të OKB-së në Qipro (UNFICYP), e cila e ka ndarë ishullin që nga viti 1964. Forcën vëzhguese të OKB-së (UNDOF), e cila patrullon Lartësitë Golan që nga viti 1974, edhe pse nuk e pengoi Izraelin ta aneksonte këtë zonë. Lista është e gjatë.
Në rastin e Ukrainës, tolerimi ndaj Moskës mund të nënkuptojë lëshimin e përhershëm të 20 për qind të territorit kombëtar. Dhe ky problem nuk zbutet nëse paqeruajtësit janë nën kujdesin e NATO-s dhe jo të OKB-së. Sepse nuk është cilësia e ushtrisë ajo që bën diferencën, por synimet e palëve në konflikt.
A ka ndonjëri dyshime se cilat janë synimet afatgjata të Rusisë? A është Ukraina pjesë e tyre? Unë mendoj se Kremlini nuk do të bjerë dakord me vendosjen në Ukrainë të paqeruajtësve të NATO-s. Ose të paktën jo nëse atyre nuk i shtohen mijëra trupa nga Koreja e Veriut.
Së fundi, Ukraina nuk duhet të kufizohet në opsionet e saj të ardhshme për t’iu bashkuar apo bashkëpunuar me NATO-n. Ajo që ka mbetur nga Ukraina, do të jetë ende një vend sovran, që do të përpiqet të ketë një qeveri përfaqësuese dhe e lirë të zgjedhë vetë aleatët e saj.
Ne nuk duhet të pajtohemi me neutralitetin e detyruar, atë që në Luftën e Ftohtë quhej “finlandizim”. Madje vetë Finlanda nuk e pëlqeu këtë rol, dhe iu bashkua NATO-s në vitin 2023. Dhe nëse disa vende të guximshme duan të ofrojnë garanci sigurie për Ukrainën e lirë, ata duhet të jenë në gjendje ta bëjnë këtë, dhe jo t’i nënshtrohen vetos ruse. E ardhmja e mundshme e Ukrainës është e zymtë, dhe ajo do të varet nga presidenti i sapozgjedhur Donald Trump. Le të bëjmë çmos që të mos e përkeqësojmë situatë me një marrëveshje paqeje katastrofike./Përshtati Pamfleti nga “Daily Telegraph”
Shënim: John Bolton, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara gjatë mandatit të parë presidencial të Donald Trump.
Lini një Përgjigje