TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Shtator 2023, 12:54

Trazira në Beograd, bllokohet parlamenti serb; Vuçiç: Albin Kurti komandon opozitën tonë!

Shkruar nga Pamfleti
Trazira në Beograd, bllokohet parlamenti serb; Vuçiç: Albin
Kaosi i mbrëmshëm në parlamentin serb

Në mediat nacionaliste tabloide të Serbisë që prej mbrëmë shkruhet se opozita serbe drejtohet nga Albin Kurti...

Në Beograd prej kohësh ka nisur një rizgjim politik i opozitës, duke krijuar një lëvizje për të rrëzuar Aleksandër Vuçiçin. E siç duket vendi do të shkojë së shpejti në zgjedhje të përgjithshme në të gjitha nivelet: president, parlament dhe pushtet vendor.

Mbrëmë, parlamenti serb është bllokuar, e nuk e ka miratuar dot buxhetin që ka paraqitur qeveria, si pasojë e kundërshtimit të fortë dhe vendimtar të opozitës. E cila me bilbila dhe pankarta, ka ndaluar një zhvillim normal të seancës. Në fakt nuk ka pasur asnjë sherr apo skenë dhune; vetëm bilbila, rënie me pëllëmbë tavolinave dhe thirrje nga deputetët që mbanin pankarta.

E gjitha kjo ka sjellë një çoroditje të mazhorancës qeverisëse dhe qarqeve mediatike të saj.

E si shembull sjellin pamjet e Parlamentit të Kosovës kur Albin Kurti ishte në opozitë, e ndaloi që të miratohej ‘Zajednica’ dhe demarkimi i kufirit.

Sipas eksponentëve të mazhorancës serbe, gjithçka ka ardhur e gatshme nga idetë e Albin Kurtit.

Televizioni B92, i cili ka qenë mjaft i rëndësishëm si opozitë e Slobodan Milosheviçit, ka kohë që është kthyer në një megafon të Aleksandar Vuçiç.

Në një shënim redaksional të tij, ky televizion proklamonte: Ja si opozita jonë po frymëzohet nga Albin Kurti”.

Trazira në Beograd, bllokohet parlamenti serb; Vuçiç: Albin

Gjithsesi, Serbia përtej këtyre parodive, ka një krizë të rëndë politike, e cila nuk mund të zgjidhet aq kollaj siç kërkon Vuçiç, me zgjedhje të përsëritura. Opozita kërkon një process të përgjithshëm, duke e ndaluar me kushtetutë që presidenti të jetë një aktor që të ndikojë në zgjedhje.

Zgjedhjet e parakohshme, Vuçiç mendon t’i mbajë në dhjetor, duke përfituar nga një retorikë nacionaliste, sipas së cilës ai nuk do të lejojë që të njihet Kosova si shtet i pavarur.

Ai akuzon opozitën, se po kërkon që të vijë në pushtet për të bërë pakt me Albin Kurtin.

Synimi i Vuçiç është i qartë, që të kompleksojë opozitën liberale të Serbisë, në mënyrë që të bëhet më katolike se Papa për Kosovën, duke mos pasur guxim të hapin debatin në shoqëri dhe politikën serbe për dialogun me Prishtinën.

E në këtë klimë, Beogradi ka nisur një retorikë të egër kundër Kosovës, duke deklaruar se po terrorizohen serbët atje. Deputetë të mazhorancës së Vuçiç, po deklarojnë këto ditë broçkulla, sipas të cilave po u merren pronat qytetarëve serbë të Kosovës.

Gjithçka ka marrë shkas nga regjistrimet e bizneseve dhe subjekteve të tjera që po bëhen nga administrata tatimore e Kosovës në Mitrovicën e Veriut dhe komunat e tjera, që nuk janë regjistruar asnjëherë në tatime.

Nëse nuk regjistrohen, atëherë bisneset do të kenë gjoba e më pas, masa më të forta represive. Siç ndodh në çdo shtet. E kësaj Beogradi i thotë sekuestrim prone. Kur në fakt është thjesht hapi i parë i shtetformimit, regjistrimi i të ardhurave që nuk është bërë asnjëherë qoftë gjatë kohës së administrimit të OKB apo edhe pas pavarësisë në 2008. / Pamfleti

parlamenti serb trazira në beograd vuçiç opozita kurti

Lini një Përgjigje