TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Korrik 2025, 18:14

Tjetër skandal në partinë e Sanchez në Spanjë, zyrtari i lartë akuzohet për ngacmim seksual

Shkruar nga Pamfleti

Tjetër skandal në partinë e Sanchez në Spanjë, zyrtari

Përpjekjet e Pedro Sánchez për të rivendosur Partinë Socialiste në pushtet të Spanjës, janë goditur rëndë pas një skandali të ri që ka tronditur PSOE-në (Partia Socialiste e Punëtorëve Spanjolle).

Pas akuzave për korrupsion që ishin një kërcënim për qeverinë e tij të koalicionit, një zyrtar I lartë I partisë ka dhënë dorëheqjen pasi akuzohet për ngacmim seksual ndaj disa punonjëseve.

Francisco Salazar, i cili mbikëqyrte koordinimin institucional në rezidencën zyrtare të kryeministrit dhe së fundmi ishte emëruar në një rol kyç brenda strukturës organizative të PSOE-së, u detyrua të tërhiqej menjëherë pasi media spanjolle elDiario publikoi dëshmitë tronditëse.

Në reagimin e tij, Salazar tha se nuk kujtonte asnjë sjellje të papërshtatshme, ndërsa pranoi se ky laj me ka shqetësuar.

Skandali vjen në një moment kritik për Pedro Sánchez, i cili po përpiqet të rifitojë besimin e publikut pas një vale hetimesh për korrupsion brenda partisë së tij. Vetëm disa ditë më parë, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit, Santos Cerdán – ish-sekretar organizativ i PSOE-së – u vu nën hetim për përfshirje në skemë ryshfetesh për kontrata ndërtimi. Cerdán është arrestuar dhe ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha funksionet politike, ndërsa është zotuar se do të mbrojë pafajësinë e tij.

Hetimet përfshijnë gjithashtu edhe ish-ministrin e transportit, José Luis Ábalos dhe ndihmësin e tij, Koldo García. Të tre kanë mohuar akuzat.

Ndërkohë, edhe figura të tjera pranë kryeministrit – përfshirë bashkëshorten dhe vëllain e tij – janë objekt hetimesh të ndara për korrupsion, duke shtuar më tej presionin mbi qeverinë.

Sánchez, i cili erdhi në pushtet në vitin 2018 me një platformë etike dhe anti-korrupsion, u shpreh të shtunën se nuk do të japë dorëheqje, pavarësisht thirrjeve në rritje për zgjedhje të parakohshme.

“Kapiteni nuk largohet kur deti bëhet i trazuar. Unë do të qëndroj për të udhëhequr vendin drejt stabilitetit”, tha ai.

Por zërat kundër tij po shtohen edhe brenda vetë PSOE-së. Emiliano García-Page, lider rajonal i socialistëve në Castilla-La Mancha, i bëri thirrje publikisht kryeministrit që të shqyrtojë një votëbesimi në parlament.

“Nëse nuk e fitojmë, atëherë duhet të mendojmë seriozisht për të shkuar në zgjedhje”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Partia Popullore opozitare ka akuzuar Sánchez-in për dështim moral dhe institucional.

“Ai nuk ka më besueshmëri. Lufta e tij kundër korrupsionit dhe seksizmit ka qenë vetëm për sy e faqe”, thanë burime nga PP.

Kriza që po përfshin qeverinë socialiste pritet të thellohet në ditët në vijim, me shumë analistë që parashikojnë një përplasje të fortë politike brenda verës.

Lini një Përgjigje