
750 milionë euro investime humbi Serbia pas tërheqjes së papritur të kompanisë amerikane “Affinity Partners”, të drejtuar nga Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit Donald Trump. Projekti ambicioz, që parashikonte ndërtimin e një kompleksi luksoz banimi dhe biznesi me markën Trump në qendër të Beogradit, u anulua mes presionit të protestave, akuzave penale dhe mosmarrëveshjeve politike.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç konfirmoi lajmin, duke e quajtur “një humbje të madhe për vendin”. Ai akuzoi publikisht një pjesë të opozitës dhe protestuesit për sabotim të qëllimshëm të projektit. “Ne patëm një mundësi të madhe. Sot flitet keq për Serbinë, ndërsa Shqipëria përfiton nga një projekt më i vogël që ka marrë gjithë vëmendjen e familjes Trump”, tha Vuçiç, duke aluduar për projektin paralel në Ishullin e Sazanit.
Reagimi vjen vetëm pak ditë pas shpalljes së aktakuzës ndaj ministrit serb të Kulturës, Nikolla Sellakoviç, i akuzuar për shkelje të ligjit gjatë heqjes së statusit të mbrojtjes kulturore të ndërtesave të shkatërruara të Shtabit të Përgjithshëm të Jugosllavisë, të goditura nga NATO në 1999. Pikërisht aty parashikohej ndërtimi i kompleksit Trump.
Projekti u kundërshtua ashpër nga opozita, aktivistët dhe ekspertët e trashëgimisë kulturore, të cilët kërkonin restaurimin e objektit historik dhe jo privatizimin e tij për qëllime komerciale. Vendimi për tërheqjen e investitorit shihet si një grusht për planet e Vuçiçit për tërheqje të kapitalit amerikan në rajon.
Lini një Përgjigje