
Rusia refuzon propozimin e Kievit për një armëpushim të përkohshëm përgjatë Krishtlindjes. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ky armëpushim do të shërbente që ukrainasit të riorganizoheshin dhe të përgatiteshin për vijimin e luftës.
Gjithsesi Peskov tha se Kremlini mbetet i vendosur për paqe dhe për të ndaluar luftën.
“Ne duam paqe, nuk duam një armëpushim që do t’i jepte Ukrainës hapësirë frymëmarrjeje dhe kohë për t’u përgatitur për vazhdimin e luftës. Ne duam ta ndalojmë këtë luftë, të arrijmë qëllimet tona, të sigurojmë interesat tona dhe të garantojmë paqen në Evropë për të ardhmen. Kjo është ajo që duam”, u tha Peskov gazetarëve.
Zëdhënësi i Kremlinit komentoi gjithashtu kontaktet midis presidentit rus Vladimir Putin dhe atij amerikan Donald Trump, duke sqaruar se të dy udhëheqësit nuk kanë folur në telefon që nga komunikimi i tyre më 16 tetor.
Deklarata e Peskov erdhi pas një pyetjeje nga gazetarët, duke i bërë jehonë deklaratave të mëparshme të Donald Trump, i cili kishte pohuar se kishte folur së fundmi me Vladimir Putin, pa specifikuar se kur saktësisht u zhvillua biseda.
Lini një Përgjigje