
Ndonëse Moska tha se do të shpërbëhej Wanger, BBC raporton se grupi mercenar është ende duke rekrutuar pjesëtarë të rinj në zyrat e saj në të gjithë Rusinës. BBC, duke përdorur një numër telefoni nga Rusia, telefonoi në disa qendra rekrutimi dhe pyeti për anëtarësim. Të gjitha qendrat u përgjigjën se procesi i rekrutimit po zhvillohet si më parë.
Madje disa zyra theksuan se anëtarët e rinj nënshkruajnë kontrata me grupin mercenar dhe jo me Ministrinë e Mbrojtjes ruse.
“Po punojmë, po. Po të kishte ndryshuar diçka, do të na kishin thënë. Por nuk ka asgjë”, tregoi qartë rekrutuesi në Krasnodar, në jug të Rusisë. Një burrë nga zyra në Volgograd tha se në rast aplikimi, mercenari mund të caktohet në një zonë të nesërmen dhe shtoi se tani Bjellorusia është gjithashtu një destinacion i mundshëm.
Ndërkohë edhe kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny ka deklaruar se kërcënimi më i madh që i kanoset Rusisë është regjimi i presidentit Putin.
Nga qelia, përmes rrjeteve sociale, Navalni ka komentuar kryengritjen e mercenarëve të “Wagner”.
“Nuk ka kërcënim më të madh ndaj Rusisë sesa regjimi i Putin. Nuk ishte as Perëndimi e as opozita që rrëzuan helikopterët rusë. Ishte “Wagner” që e çoi Rusinë buzë luftës civile”, ka thënë Navalny në Twitter.Në një postim të dytë, ai është shprehur se, ishte vetë Putin që e krijoi këtë situatë, pasi vetë ai fali të dënuarit që donin të vrisnin ministrin e Mbrojtjes, Sergey Shoigu.
Rebelimi i organizuar nga kreu i “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, që tani ndodhet në mërgim në Bjellorusi, shkaktoi krizën më të madhe politike në Rusi në dekada.
Lideri bjellorus Alexander Lukashenko, që pretendon se ka qenë jetik në negociatat për t’i dhënë fund kryengritjes, thotë se bindi presidentin rus Vladimir Putin të mos e vriste Prigozhinin.
“Mendova se mund ta vrisnim, por i thash Putin: mund ta vrasim, nuk është problem. Në mos herën e parë, të dytën do t’ia dalim. Por mos e bëj, i thash”- tha Alexandër Lukashenko, president i Bjellorusisë.
Lukashenko tha gjithashtu se u ka ofruar anëtarëve të “Wagner” që kanë lënë Rusinë një bazë të braktisur ushtarake në vendin e tij. Por ai theksoi se nuk do t’i përdorë mercenarët për të mbikëqyrur armët bërthamore të dërguara nga Moska.
Lini një Përgjigje