Një anije mallrash është goditur nga një predhë e panjohur në Ngushticën e Hormuzit, sipas një njoftimi të autoriteteve detare të Mbretërisë së Bashkuar.
Agjencia e Operacioneve Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO) bëri të ditur se informacioni është marrë nga një burim i verifikuar në orën 19:30 sipas kohës britanike.
“Një burim i verifikuar raportoi se një anije mallrash është goditur nga një predhë e panjohur”, thuhet në njoftimin e UKMTO.
Sipas autoriteteve, incidenti ka ndodhur brenda Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për transportin global të energjisë dhe tregtisë.
“UKMTO ka marrë një raport për një incident brenda Ngushticës së Hormuzit”, theksohet më tej në njoftim.
Ndërkohë, ndikimi i mundshëm mjedisor nga goditja mbetet i paqartë në këtë fazë, ndërsa hetimet janë në zhvillim.
UKMTO u ka bërë thirrje të gjitha anijeve në zonë që të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë, ndërsa situata po monitorohet nga afër nga autoritetet përkatëse.
Ndërkohë, një tjetër anije u sulmua ditën e djeshme. Një shpërthim në një anije koreano-jugore në Ngushticën e Hormuzit riktheu në qendër të vëmendjes tensionet në një nga korridoret më të rëndësishme të energjisë në botë, aty ku çdo incident ka ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë rajonale dhe tregjet globale.
Anija, e operuar nga një kompani detare e Koresë së Jugut, ndodhej në ankorim pranë Emirateve të Bashkuara Arabe kur u regjistrua shpërthimi. Autoritetet në Seul konfirmuan se nuk ka viktima, ndërsa po vijojnë hetimet për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një aksident apo një sulm të mundshëm.
Ngjarja ndodhi në një klimë të tensionuar në Hormuz, ku Irani ka rritur presionin mbi trafikun detar.
Lini një Përgjigje