
Familjarët e pengjeve të Hamasit kanë “pushtuar” Parlamentin e Izraelit, kur po mblidhej komisioni.
Lufta tashmë ka hyrë në muajin e katërt, ndërsa të afërmit e zemëruar u kërkojnë ligjvënësve të bëjnë më shumë për të liruar të afërmit e tyre.
Një grua mbante fotografi të tre anëtarëve të familjes së saj, të cilët janë në mesin e më shumë se 250 personave të marrë peng në pushtimin e Izraelit të Hamasit më 7 tetor. Rreth 130 prej tyre mbeten në Gaza, ndërsa 110 të tjerë u liruan në nëntor gjatë një armëpushimi midis Izraelit dhe Autoritetit Palestinez.
Protestuesit e tjerë , të veshur me bluza të zeza, mbanin në duar tabela ku shkruhej: "Nuk do të ulesh këtu, ndërsa ata vdesin atje". “Lirojini tani, tani, tani!”, bërtisnin.
Demonstrata gjithnjë e më agresive
Tashmë, 27 pengje kanë humbur jetën në Gaza. Të afërmit e të mbijetuarve shqetësohen se çështja do të harrohet. Prandaj, protestat e tyre janë bërë më agresive.
Protestuesit kanë kampuar jashtë shtëpisë së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu si dhe jashtë ndërtesës së Knesset, me disa që bëjnë thirrje për një fund të njëanshëm të luftës ose zgjedhjeve me shpresën për të rrëzuar qeverinë e krahut të djathtë.
Kryetari i Komisionit Parlamentar të Financave Moshe Gaffni, kreu i një partie hebreje ultra-ortodokse në koalicionin qeverisës, bëri thirrje që takimi të pezullohej dhe u përpoq të qetësonte protestuesit.
“Lirimi i pengjeve është parimi më themelor i judaizmit, veçanërisht në këtë rast kur ka nevojë urgjente për t’i shpëtuar. Nuk do të arrinim asgjë nëse qeveria do të rrëzohej”, theksoi ai.
Netanyahu hedh poshtë kushtet e Hamasit
Të dielën, Netanyahu hodhi poshtë kushtet e Hamasit për përfundimin e luftës dhe lirimin e pengjeve, të cilat përfshinin tërheqjen e plotë të Izraelit nga Gaza, e cila do të mbetet nën sundimin e organizatës palestineze.
Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe Personave të Zhdukur më pas i kërkoi Netanyahut "të deklarojë pa mëdyshje se ne nuk do të braktisim civilët, ushtarët dhe të gjithë të tjerët që u rrëmbyen në sulmin e tetorit".
“Nëse kryeministri vendos të sakrifikojë pengjet, ai duhet të tregojë lidership dhe të ndajë me ndershmëri qëndrimin e tij me publikun izraelit”, shtoi Forumi në një deklaratë.
Lini një Përgjigje