TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Janar 2024, 10:38

Një shekull pas vdekjes së Leninit, leninistët i kemi ende në krye në shumë vende të botës

Shkruar nga David Satter
Një shekull pas vdekjes së Leninit, leninistët i kemi ende
Lenini /

  Ndikimi i Leninit është i dukshëm edhe në terrorin e kryer në emër të Islamit politik, që si marksizmi është një sistem që mëton të shpjegojë dhe t`i japë përgjigje gjithçkaje. Egërsia e sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 kundër Izraelit, riprodhoi thuajse saktësisht taktikat e bolshevikëve kundër atyre që dyshoheshin si rivalë por edhe civilëve të tjerë gjatë Terrorit të Kuq...

Vladimir Lenini ka vdekur prej një shekulli, por e keqja që ai solli jeton ende sot. Udhëheqësi i parë i Bashkimit Sovjetik vdiq më 21 janar 1924 në Gorki të Rusisë (sot Nizhny Novgorod), pas disa goditjeve cerebrale të përsëritura.

Trashëgimia e tij është një botë, ekuilibrin moral të së cilës ai ndihmoi që ta shkatërronte.

Bashkimi Sovjetik bazohej tek marksizmi, një fe laike, dhe Lenini ishte arkitekti i sistemit të tij të anti-moralitetit. Për Leninin, siç e shprehu në fjalimin e tij para Komsomolasve (të rinjve komunistë) më 2 tetor 1920, morali ishte tërësisht i nënshtruar ndaj luftës së klasave.

Një veprim vlerësohej i drejtë jo sipas “koncepteve përtej-njerëzores”, por vetëm nëse e shkatërronte shoqërinë e vjetër dhe ndihmonte në ndërtimin e një shoqërie të re komuniste.

Efekti i kësaj teorie ndihet sot në Rusinë post-sovjetike, ku trashëgimia komuniste e refuzimit të plotë të një morali universal, e rrënoi shpresën për të pasur reforma demokratike.

Po ashtu, teoria e Leninit frymëzoi terrorizmin modern dhe po kontribuon në dobësinë që i nxit shumë njerëz në Perëndim të falin krimet ideologjike. Lenini lindi në 1870 në Simbirsk (sot Ulyanovsk), dhe ishe djali i një inspektori shkollash. Në vitin 1893 ai u transferua në Shën Petersburg, ku u bashkua me partinë marksiste dhe botoi librin me titull “Ç’duhet bërë?” (1902), ku ai përshkroi një plan për marrjen e pushtetit nga një parti e disiplinuar që do të ishte “pararoja” e revolucionarëve profesionistë.

Modeli për këtë parti ishte lëvizja Vullneti i Popullit Rus, që u themelua në vitin 1879, dhe që në vitin 1881 arriti të vrasë Carin Aleksandri II, që 20 vjet më parë kishte liruar fshatarët nga bujkrobëria. Në shkurtin e vitit 1917, partia e Leninit, Bolshevikët, kishte 24.000 anëtarë.

Ajo ia doli të triumfonte në një vend me mbi 100 milionë banorë, sepse ishte një makineri e fuqisë së përqendruar, që e pranoi vrasjen si një mjet për arritjen e qëllimit. Madje e lavdëronte atë si një detyrim moral. Isaac Steinberg, ministri jo-bolshevik i Drejtësisë në qeverinë e parë revolucionare, i kundërshtoi ekzekutimet pa një proces të rregullt gjyqësor.

Ai i tha me sarkazëm Leninit: “Në këto kushte pse duhet të kemi një Komisariat të Drejtësisë? Le ta quajmë atë Komisariati për Shfarosjen e Shoqërisë”. Lenini ngriti kokën nga tryeza ku po shkruante dhe iu përgjigj: “Dhe pikërisht kjo do të ndodhë, por ne nuk mund ta themi këtë gjë në publik”.

Kombinimi i përkushtimit ndaj marksizmit, me përbuzjen totale për normat etike, bëri që komunistët dhe pasardhësit e tyre të vendosnin regjime totalitare në shekullin XX-të që do të sundonin më shumë se 1/3 e popullsisë së botës. Ndonëse shumica e këtyre regjimeve nuk ekzistojnë më, dëmi që shkaktuan ato ka të ngjarë të ndihet edhe për shumë vite në vijim.

Rusia sot është jo-komuniste, megjithatë nuk i shkel më pak ligjet dhe të drejtat se sa në kohën e sovjetikëve. Sundimi arbitrar, dikur i kodifikuar në ideologjinë marksiste-leniniste, justifikohet sot me arsyet shtetërore, që kanë përparësi absolute mbi jetën e individëve.

Zyrtarët rusë e interpretojnë qëllimin e historisë ruse si forcimin e vazhdueshëm të shtetit. Në një fjalim të vitit 2008, Vladimir Putin tha se ruajtja e vendit të Rusisë në skenën botërore si një “komb i fuqishëm” kërkon “sakrifica dhe privime të mëdha nga ana e popullit tonë”. Pra ambicia e tij është e njëjtë me atë të Leninit: që rusët të vuajnë pafundësisht në emër të shtetit.

Rusia ka pësuar rreth 360.000 të vrarë dhe të plagosur nga lufta që po zhvillon në Ukrainë. Por këto humbje nuk i kanë bindur udhëheqësit rusë që të ndërpresin luftën. Madje në një fjalim të kohëve të fundit, Putin tha se zgjidhja ishte që gratë ruse të lindin më shumë ushtarë potencialë.

“Shumë nga gjyshet dhe stërgjyshet tona kishin 7, 8 apo edhe më shumë fëmijë. Le t’i ruajmë dhe ringjallim këto tradita të shkëlqyera”- tha ai. Kur u shemb Bashkimi Sovjetik, Rusia e çrrënjosi ekonominë socialiste, por nuk i rivendosi bazamentet morale që u shkatërruan dikur nga Lenini. Pasoja ishte ngritja e një shteti kriminal, që ishte jo më pak të rrezikshëm se paraardhësi i tij. Një shtet që është përfshirë në atentate, që ka rrëzuar avionë civilë, dhe madje ka bombarduar pallate banimi vetëm për të sjellë në pushtet Vladimir Putinin.

Ndikimi i Leninit është i dukshëm edhe në terrorin e kryer në emër të Islamit politik, që si marksizmi është një sistem që mëton të shpjegojë dhe t`i japë përgjigje gjithçkaje. Egërsia e sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 kundër Izraelit, riprodhoi thuajse saktësisht taktikat e bolshevikëve kundër atyre që dyshoheshin si rivalë por edhe civilëve të tjerë gjatë Terrorit të Kuq (në vitet 1918-1922).

Një nga shkrimet e fundit të Leninit, përmbante disa rekomandime për të mashtruar “shurdhmemecët”, termi i tij për kapitalistët perëndimorë, të cilët ishin të gatshëm të injoronin krimet sovjetike në këmbim të përfitimeve financiare.

Plani i tij ishte të promovonte trillimin e një qeverie legjitime në Bashkimin Sovjetik, të ndarë formalisht nga Partia Komuniste, dhe të lidhte marrëdhënie me sa më shumë vende që të ishte e mundur, për të krijuar një përshtypje të rreme të normalitetit.

Planet e Leninit u miratuan nga regjimi sovjetik dhe u trashëguan nga Rusia post-sovjetike me zgjedhjet e saj të manipuluara, parlamentin e kontrolluar nga regjimi, si dhe “përhapjen e ndikimit” përmes institucioneve të tilla si Klubi i Diskutimeve Valdai, që pas themelimit të tij në vitin 2004 luajti një rol të rëndësishëm në mashtrimin e zyrtarëve dhe ekspertëve perëndimorë mbi synimet e vërteta të Rusisë.

Mauzoleumi i Leninit vizitohet çdo vit nga rreth 2.5 milionë njerëz. Por në krahasim me Stalinin popullariteti i tij në Rusi ka rënë. Këtij të fundit i njihet merita për fitoren në Luftën e Dytë Botërore. Gjithsesi, figura e Leninit mbetet në histori si simboli i refuzimit fillestar të standardeve universale, në emër të një lëvizjeje politike që pretendonte të kishte monopolin mbi të vërtetën.

Në muajt e fundit të jetës së tij, Lenini e pa të kaluarën me një farë kritike, por s’ka asnjë dëshmi që ai të jetë penduar për ndonjë gjë. Për Leninin, qëllimi justifikonte gjithmonë mjetet që përdoreshin. Kjo është arsyeja pse figura e tij mbetet një paralajmërim jo vetëm për vendet që ai preku drejtpërdrejt, por për të gjithë njerëzimin./ Përshtati Pamfleti nga “Wall Street Journal”

Shënim:David. Satter është autor i librit “Epoka e delirit: Perëndimi dhe shembja e Bashkimit Sovjetik”.

 

vdekja e leninit leninistët

Lini një Përgjigje