
Një person i armatosur hapi zjarr në një bankë në qendër të qytetit Louisville, Kentaki këtë të hënë, duke vrarë katër persona dhe plagosur tetë të tjerë, përfshirë dhe një oficer policie.
Ngjarja u mbyll me 5 persona të vdekur, pasi agresori konfirmohet se është vrarë vetëm pak minuta pasi qëlloi mbi personat që ndodheshin në bankën “Old National Bank”, tha zëvendës shefi i Departamentit të Policisë së Metrosë në Louisville, Paul Humphrey.
Policia njofton se ka pasur një shkëmbim zjarri me agresorin, por ende nuk është bërë e qartë nëse ai u vra nga forcat e policisë apo nëse vrau veten.
Të shtënat aktualisht po hetohen si një rast dhune në vendin e punës nga dikush që besohet të jetë një punonjës i bankës, sipas informacioneve agresori mund të ketë pasur probleme të shëndetit mendor.
Gjendja e të plagosurve që u dërguan në spital ende nuk dihet, por pritet të ketë informacione të reja lidhur me shëndetin e tyre.
Mediat amerikan njoftojnë se presidenti, Joe Biden është njoftuar për të shtënat dhe pritet që Shtëpia e Bardhë të mbajë një konferencë për shtyp lidhur me ngjarjen në orët në vazhdim.
Në SHBA sulmet me armë me pasoja të tilla kanë qenë një problem i vazhdueshëm për shkak të lehtësirave ligjore që një qytetarë ka për të marrë një të tillë. Biden është munduar që të shtyjë një projektligj të ri që ta kufizojë aksesin e qytetarëve te armët automatike, por një gjë e tillë kundërshtohet shumë nga republikanët të cilët e shohin si një cënim të të drejtave të amerikanëve dhe shkelje të amendametit të 2-të të kushtetutës.
Lini një Përgjigje