Një moment i pazakontë ka ndodhur gjatë një seance të jashtëzakonshme të Qeverisë së Serbisë.
Dhe ky moment sigurisht që ka tërhequr edhe vëmendjen e publikut dhe rrjeteve sociale.
Sipas mediave serbe, gjatë fjalimit të presidentit Aleksandar Vuçiç, telefonit të një ministri i ra alarmi i zgjimit në orën 11:15, duke ndërprerë për pak çaste mbledhjen. Ngjarja u komentua gjerësisht online, me shumë qytetarë që ironizuan faktin se seanca u mbajt të dielën.
Vuçiç reagoi i irrituar nga zhurma, duke theksuar se një situatë e tillë nuk i kishte ndodhur kurrë gjatë transmetimeve live.
Vuçiç mblodhi të dielën qeverinë, duke i paralajmëruar ministrat me shkarkim nëse e teprojnë me pushime.
Sipas Vuçiç, duhet që ata të jenë në gatishmëri sepse në vend dhe jashtë Serbisë situata do të jetë kaotike. Ai parashikoi se Ukraina do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian nga 1 janari 2027, me ndryshimin me forcë të traktateve aktuale.
“Do të ketë ndryshime me forcë në procedura, në kundërshtim me rregullat aktuale të funksionimit të BE-së. Na mbetet që të mbrojmë interesat tona dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë. Ne paguam një çmim të lartë për një politikë sovrane dhe të pavarur, sepse nuk donim ta nënshkruanim çdo gjë vetëm se morëm një email apo një faks nga Brukseli. Kjo është arsyeja pse neve nuk na është hapur asnjë kapitull i negociatave këto katër vjet. Mendoni se jam budalla që nuk jam në gjendje të gjykoj nëse fuqia evropiane do të bjerë apo do të rritet. Kjo është e sigurt, fuqia e Evropës do të bjerë”, u shpreh Vuçiç.
Vuçiç tha se i ishte mirënjohës Amerikës për ndërprerjen e bisedimeve strategjike me Kosovën, licencën operative për kompaninë energjetike NIS, mosvendosjen e Serbisë në listën e zezë për vizat e emigrantëve, e cila, tha ai, ishte një sinjal politik. Ai shtoi se të gjithë kanë frikë të mbajnë mëri ndaj amerikanëve. Kërkoi një takim me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, në mënyrë që atyre t’u ofrohej ndihmë shtesë.
Lini një Përgjigje