Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti fatal në aeroportin LaGuardia në Nju Jork, ku një avion i Air Canada Express u përplas me një mjet zjarrfikës në pistë gjatë uljes, duke shkaktuar vdekjen e pilotit dhe bashkëpilotit.
Sipas komunikimeve audio nga kulla e kontrollit ajror, të publikuara nga media ndërkombëtare, momentet e para të emergjencës shfaqin përpjekjet intensive për të shmangur përplasjen. Në një nga thirrjet dëgjohet urdhri i përsëritur “Stop, stop, stop”, ndërsa më pas konfirmohet përplasja e avionit me mjetin në tokë.
Kontrollorët ajrorë i kërkuan menjëherë avionit të qëndronte në pozicion dhe informuan se ekipet e emergjencës ishin në rrugë. Paralelisht, pista u mbyll dhe aeroporti ndërpreu përkohësisht operacionet.
Në komunikime dëgjohen edhe reagime nga pilotë të avionëve të tjerë në zonë, të cilët e përshkruajnë situatën si të rëndë, ndërsa kontrollorët përpiqen të menaxhojnë trafikun ajror në kushte të ngarkuara.
Autoritetet konfirmuan se në bord të avionit ndodheshin 76 persona. Përplasja ndodhi gjatë uljes dhe çoi në një operacion të gjerë emergjence në aeroport.
Hetimet kanë nisur për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit. Publikimi i komunikimeve nga kulla e kontrollit pritet të ndihmojë në rindërtimin e minutave vendimtare para përplasjes.
Lini një Përgjigje