
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump në një deklaratë për mediat dha detaje lidhur me takimin që do të zhvillojë me homolgun rus, Vladimir Putin. Trump tha se të premten takimi do të shërbejë për të parë se cilat mund të jenë parametrat e një marrëveshjeje paqeje përpara se të flasë me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit evropianë.
“Do të takohem me Presidentin Putin dhe do të shohim se çfarë ka në mendje, dhe nëse është një marrëveshje e drejtë, do t’ua zbuloj udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe udhëheqësve të NATO-s, si dhe Presidentit Zelensky”, tha Trump, duke vënë në dukje se do ta thërrasë fillimisht Zelenskyn.
Por Trump theksoi se nuk është detyrë e tij të bëjë një marrëveshje, por e dy presidentëve që janë në konflikt, teksa shtoi se një takim tjetër pas këtij të planifikuar për të premten do të përfhsijë dhe Zelenskyn.
“Nuk do të bëj një marrëveshje. Nuk varet nga unë të bëj një marrëveshje. Mendoj se një marrëveshje duhet të bëhet për të dy”, tha Trump.
Duke paralajmëruar në një far mënyre dështimin e takimit të së premtes, Trumpi tha se takimi i së premtes mund të mos rezultojë domosdoshmërisht në ndonjë lëvizje. Më tej Trump tha se do të përpiqet t’i rikthejë Ukrainës disa territore gjatë takimit të tij me presidentin rus, Vladimir Putin, të premten.
"Rusia ka pushtuar një pjesë të madhe të Ukrainës. Ata kanë pushtuar territorin më të rëndësishëm. Ne do të përpiqemi t'ia kthejmë Ukrainës një pjesë të atij territori", tha ai në një konferencë për shtyp.
Ai tha gjithashtu se Zelensky "mund" të marrë pjesë në samitin e tij me udhëheqësin rus në Alaska të premten, por shprehu skepticizëm se kjo do të bënte diferencën në arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
“Ai nuk ishte pjesë e kësaj. Do të thoja se mund të shkonte, por ka qenë në shumë takime. E dini, ai ka qenë atje për tre vjet e gjysmë. Asgjë nuk ndodhi. Do të kemi një takim me Vladimir Putinin dhe në fund të atij takimi, ndoshta në dy minutat e para, do ta di saktësisht nëse mund të arrihet një marrëveshje apo jo”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Lini një Përgjigje