TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Janar 2026, 11:39

Sky News: Nxjerrja e Maduros nga Venezuela është negociuar

Shkruar nga Pamfleti
Sky News: Nxjerrja e Maduros nga Venezuela është negociuar
Nicolás Maduro

Kapja e presidentit venezuelian Nicolás Maduro nga Delta Force amerikane duket si një “nxjerrje e negociuar”.

Ky është vlerësimi i shprehur për Sky News nga burime të opozitës venezueliane.

Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortja e tij janë kapur nga njësia speciale amerikane Delta Force, sipas zyrtarëve që raportuan për CBS News.

Detajet mbi vendndodhjen e tyre dhe mënyrën e kapjes mbeten të pakta, ndërsa qeveria venezueliane nuk ka konfirmuar ende lajmin. Zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez kërkoi të dijë nëse çifti presidencial janë gjallë. Ministri i Mbrojtjes, Vladimir Padrino López, njoftoi vendosjen e menjëhershme të të gjitha forcave të armatosura kudo në territor dhe tha se vendi do të rezistojë ndaj pushtimit të huaj.

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar për herë të parë për sulmet ushtarake që goditën Venezuelën, duke përdorur rrjetin social Truth. Ai konfirmoi pretendimet e mediave ndërkombëtare se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin përgjegjëse për sulmin dhe bëri me dije se presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortja e tij janë kapur nga forcat amerikane dhe janë nxjerrë jashtë vendit.

Në postimin e tij, Trump shkruan se aksioni ishte i suksesshëm. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, presidentit Nicolás Maduro, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij, është kapur dhe është nxjerrë jashtë vendit. Ky operacion u krye në bashkëpunim me forcat e rendit të SHBA-së. Detaje të tjera do të pasojnë. Sot, në orën 11:00, do të mbahet një konferencë për shtyp në Mar-a-Lago. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!”, shkruan Trump.

nicolás maduro

Lini një Përgjigje