TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Maj 2026, 17:31

Situata në anijen e prekur me hantavirus në Oqeanin Atlantik, shkon në 7 numri i të infektuarve; Spanja nuk pranon ankorimin

Shkruar nga Pamfleti
Situata në anijen e prekur me hantavirus në Oqeanin Atlantik, shkon
Foto ilustruese

Një anije ekspedite në Oqeanin Atlantik po përballet me një situatë të rëndë shëndetësore pas konfirmimit të rasteve me hantavirus në bord. Tre pasagjerë kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje kritike.

Anija MV Hondius po zhvillonte një udhëtim disa-javor kur u shfaqën rastet e para. Viktimat janë dy shtetas holandezë dhe një gjerman. Një pasagjer britanik është diagnostikuar me virusin dhe po trajtohet në terapi intensive.

Hantavirusi transmetohet zakonisht nga brejtësit përmes kontaktit me sekrecionet e tyre. Infeksioni mund të shkaktojë dëmtime të rënda, kryesisht në sistemin respirator. Ekspertët theksojnë se përhapja nga njeriu te njeriu është shumë e rrallë, megjithatë një variant i njohur si Andes mund të transmetohet në raste të kufizuara.

Itinerari i anijes nisi nga Ushuaia në jug të Argjentinës, zonë ku ky variant konsiderohet i pranishëm. Gjatë udhëtimit, anija ndaloi në Antarktidë dhe ishuj të Atlantikut, përpara se të afrohej pranë Kepit të Gjelbër.

Në bord ndodhen 149 persona nga 23 shtete. Autoritetet në Kepin e Gjelbër nuk kanë lejuar zbarkimin për shkak të rrezikut të përhapjes së infeksionit. Ndërkohë, po shqyrtohen opsione për evakuim, me disa ishuj në Spanjë si destinacione të mundshme për pritjen e pasagjerëve dhe ekuipazhit.

Ndërkohë Spanja ka deklaruar se nuk ka marrë ende asnjë vendim për ankorimin e kroçerës që dyshohet si vatër e hantavirusit, duke kundërshtuar deklaratat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ministria e Shëndetësisë e Spanjës tha se vendimi do të merret vetëm pasi të analizohen të dhënat epidemiologjike që po mblidhen në anije.

Sipas ministrisë, gjatë kalimit të anijes pranë Kepi i Gjelbër, do të vlerësohet se cili port ndërmjetës është më i përshtatshëm. Deri atëherë, nuk do të merret asnjë vendim zyrtar.

Kjo deklaratë erdhi pasi OBSH njoftoi se Spanja kishte pranuar të presë anijen në Ishujt Kanarie.

Më vonë, ministria bëri të ditur se një ekip epidemiologësh do të inspektojë anijen. Qëllimi është të vlerësohet gjendja shëndetësore e personave në bord, të identifikohen raste të tjera me simptoma dhe të përcaktohen kontaktet me rrezik të lartë ose të ulët.

Ky vlerësim do të ndihmojë në vendimet për riatdhesimin e pasagjerëve dhe për itinerarin e anijes.

Zëdhënësja e qeverisë, Elma Saiz, tha se gjithçka është gati për trajtim, vlerësim dhe, nëse është e nevojshme, dezinfektim, nëse kërkohet nga OBSH. Ajo nuk sqaroi nëse kjo do të thotë që anija do të ankorohet në territorin spanjoll.

Nga Brukseli, presidenti rajonal i Ishujve Kanarie, Fernando Clavijo, u shpreh se anija duhet të trajtohet aty ku ndodhet aktualisht ose të drejtohet drejt Holanda, pasi mban flamurin holandez. Ai shtoi se situata është shqetësuese dhe se ka mungesë informacioni për mënyrën e përhapjes së virusit. Sipas OBSH, deri tani janë raportuar shtatë raste, dy të konfirmuara dhe pesë të dyshuara.

Tre persona kanë humbur jetën nga kjo vatër: një çift holandez rreth 70 vjeç dhe një pasagjer gjerman.

Periudha e inkubacionit të hantavirusit zgjat nga një deri në tetë javë, në përputhje me kohëzgjatjen e udhëtimit. Forma pulmonare e sëmundjes ka shkallë të lartë vdekshmërie dhe nuk ekziston një trajtim specifik. Autoritetet shëndetësore vijojnë vlerësimin e situatës.

 

hantavirus anija

Lini një Përgjigje