Presidenti i SHBA Donald Trump ka sulmuar sërish Papa Leo XIV, duke e akuzuar publikisht se po mban një qëndrim të rrezikshëm në lidhje me Iranin dhe armët bërthamore.
Në një intervistë për moderatorin Hugh Hewitt, ish-presidenti amerikan deklaroi se Papa po vendos në rrezik besimtarët katolikë për shkak të qëndrimeve të tij.
“Preferon të thotë se është në rregull që Irani të ketë armë bërthamore, dhe unë nuk mendoj se kjo është diçka e mirë. Mendoj se ai po rrezikon shumë katolikë dhe shumë njerëz. Por mesa duket, nëse varet nga Papa, ai mendon se është në rregull që Irani të ketë armë bërthamore”, u shpreh Trump.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment delikat diplomatik, vetëm dy ditë përpara takimit të paralajmëruar mes Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe Papës në Vatikan. Ky takim shihet si një përpjekje për të ulur tensionet e krijuara pas kritikave të mëparshme të Trump ndaj kreut të Kishës Katolike, veçanërisht për qëndrimet e tij kundër luftës SHBA-Izrael ndaj Iranit.
Nga ana tjetër, Papa Leo XIV nuk ka deklaruar kurrë mbështetje për armët bërthamore të Iranit, por ka bërë vazhdimisht thirrje për armëpushim dhe dialog, duke kundërshtuar përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe në Liban.
Ambasadori amerikan në Selinë e Shenjtë, Brian Burch, konfirmoi se takimi mes Rubio-s dhe Papës pritet të jetë “i hapur”.
“Shtetet mund të kenë mosmarrëveshje, dhe një nga mënyrat për t’i zgjidhur ato është përmes vëllazërisë dhe dialogut të sinqertë”, tha ai, duke shtuar se Rubio po shkon në Vatikan për një bisedë të hapur mbi politikat e SHBA-së dhe për dialog.
Burch theksoi gjithashtu se nuk sheh “një ndarje të thellë” mes SHBA-së dhe Vatikanit, duke nënvizuar rëndësinë e mirëkuptimit të ndërsjellë.
Vizita e Rubio-s përkon me përvjetorin e parë të papatit të Leo XIV dhe vjen pas një serie kritikash nga Trump, i cili më herët e ka cilësuar Papën si të dobët dhe ka vënë në dyshim rolin e tij.
Në të njëjtën linjë kritike është shprehur edhe nënpresidenti JD Vance, i cili ka deklaruar se Vatikani duhet të “merret me çështje morale” dhe të jetë i kujdesshëm në qëndrimet mbi konfliktet dhe teologjinë.
Rubio pritet të zhvillojë takime edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin, si dhe me zyrtarë të lartë italianë, në kuadër të një vizite që synon të forcojë dialogun në një moment tensionesh ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje