TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Shkurt 2026, 16:55

Sinjale për paqe nga SHBA? Witkoff zbulon planin për Putin dhe Zelensky

Shkruar nga Pamfleti

Sinjale për paqe nga SHBA? Witkoff zbulon planin për Putin dhe

Një takim mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelenskyy mund të zhvillohet brenda tre javësh. Kështu është shprehur i dërguari special amerikan, Steve Witkoff, në një intervistë për "Fox News", duke theksuar se Uashingtoni po shtyn përpara një paketë propozimesh për të afruar palët drejt negociatave.

Sipas Witkoff, Shtetet e Bashkuara u kanë paraqitur ide konkrete si Moskës ashtu edhe Kievit dhe presin që këto iniciativa të krijojnë kushtet për një takim të drejtpërdrejtë mes dy liderëve. Ai la të hapur mundësinë që zhvillimet e ardhshme të çojnë deri në një samit Putin–Zelenskyy.

Teksa ka folur për konfliktin që po i afrohet vitit të katërt, Witkoff e cilësoi atë “një luftë të kotë”. “Çfarë të jep dinjiteti kur ka kaq shumë vrasje?”, u shpreh ai, duke shtuar se raundet e fundit të bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA kanë prodhuar sinjale pozitive në disa drejtime.

Witkoff argumentoi se as Rusia dhe as Ukraina “nuk duken sikur duan vërtet të luftojnë me njëra-tjetrën”, ndërsa theksoi se pengesa kryesore për arritjen e një marrëveshjeje qëndron në nivelin e lidershipit politik.

Gjithashtu bëri të ditur se, së bashku me Jared Kushner, dhëndrin dhe këshilltarin jozyrtar të presidentit Donald Trump, kanë hedhur në tryezë ide që synojnë të krijojnë një bazë të përbashkët për negociata. Ai shtoi se ekziston edhe mundësia e përfshirjes së Trump në një takim të mundshëm, por vetëm nëse ka bindje për një rezultat konkret.

Duke komentuar vizitat e tij në Rusi, Witkoff tha se presidenti Putin ka qenë “i drejtpërdrejtë” në lidhje me vijat e kuqe dhe arsyet e Moskës. Sipas tij, për të arritur një marrëveshje është thelbësore të kuptohet pozicioni i secilës palë.

Deklaratat e tij vijnë pas raundit më të fundit të bisedimeve trepalëshe për luftën në Ukrainë, të zhvilluar këtë javë në Gjenevë, pas dy raundeve të mëparshme në Abu Dhabi në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit.

Lini një Përgjigje