TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Prill 2025, 13:35

Si të mbrohemi nëse shpërbëhet NATO?

Shkruar nga Sune Engel Rasmussen
Si të mbrohemi nëse shpërbëhet NATO?
Foto Ilustrim

Një vlerësim i kohëve të fundit nga shërbimet sekrete daneze, thekson se Rusia mund të nisë një luftë të madhe kundër një ose më shumë vendeve evropiane të NATO-s brenda 3-5 pesë vjetësh.

Për një kohë të gjatë, vendet e Evropës Veriore, kanë qenë më të njohura për përpjekjet e tyre për paqen dhe jetesën e rehatshme sesa militarizmin. Tani, ato po ndryshojnë qasje, duke u shfaqur si një model për mënyrën sesi duhet të mbrohet Evropa.

Nordikët janë sot në krye të përpjekjeve për të kompensuar dekadat e investimeve të munguara në ushtri, si për të kundërshtuar agresionin e mundshëm rus, ashtu edhe për të pasur një alternativë ndaj garancive të pasigurta të sigurisë, që vijnë aktualisht një Shtëpi e Bardhë e drejtuar nga Donald Trump.

Katër vendet kryesore nordike, janë ndër donatorët kryesorë në Evropë për ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës në raport me numrin e popullsisë. Po ashtu, ato kanë ndërmarrë hapa për të ndërtuar në një arkitekturë të re rajonale të sigurisë, e cila do të jetë më pak e varur nga SHBA-ja.

Veçmas secili nga vendet nordike, do ta kishte shumë të vështirë të përballej ushtarakisht me Rusinë. Por së bashku, vendet nordike kanë një ekonomi të madhe sa ajo e Meksikës, dhe thuajse të njëjtën madhësi me atë të Rusisë. Pas anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO, ato kanë bashkuar disa nga forcat e tyre.

Suedia krenohet me një industri shumë përparuar të mbrojtjes, e cila prodhon nëndetëse, tanke dhe avionë luftarakë supersonikë. Norvegjia zotëron mjetet më të mira për mbikëqyrjen detare dhe aftësitë luftarake në Arktik. Finlanda ka një nga ushtritë dhe forcat e artilerisë më të mëdha për frymë në Evropë.

Ndërkohë forcat speciale të Danimarkës, kanë dekada përvojë duke u vendosur në disa nga pjesët më të rrezikshme të Afganistanit dhe Irakut për t’u angazhuar në luftërat e SHBA-së. Vendi i pestë nordik, Islanda, nuk ka ushtri të përhershme apo industri të mbrojtjes.

“Po flasim për një grupim rajonal me potencial ekonomik dhe burimesh të mjaftueshme për të zhvilluar një bazë plotësisht të integruar mbrojtëse-industriale siç e ka Gjermania, por me një perceptim krejtësisht të ndryshëm të kërcënimit dhe vullnetit politik”- thotë Eric Ciaramella, bashkëpunëtor në programin mbi Rusinë dhe Euroazinë në institutin Carnegie Endowment for International Peace, dhe ish-analist i shërbimeve sekrete amerikane.

Nordikët ndajnë midis tyre lidhje të vjetra historike dhe kulturore. Në Mesjetë, vikingët skandinavë kolonizuan dhe plaçkitën vendet në mbarë Evropën. Madje arritën deri në Amerikën e Veriut. Disa shekuj më vonë, vendet nordike zhvilluan luftëra të përgjakshme midis tyre.

Fuqi rajonale si Danimarka dhe Suedia luftuan ndaj njëra-tjetrës për territore, dhe ua prenë kokën fisnikëve të njëri-tjetrit në sheshet e qyteteve. Më vonë, në një gjest pajtues, Suedia lejoi që Çmimi Nobel për Paqe të jepej në Norvegji, edhe pasi të dyja vendet i dhanë fund bashkimit të tyre në vitin 1905.

Tani, pikëpamja e përbashkët e nordikëve ndaj Rusisë si një kërcënim serioz i së ardhmes, i ka afruar këto vende më pranë njëri-tjetrit se sa në çdo moment të historisë moderne. Një vlerësim i kohëve të fundit nga shërbimet sekrete daneze, thekson se Rusia mund të nisë një luftë të madhe kundër një ose më shumë vendeve evropiane të NATO-s brenda 3-5 pesë vjetësh.

Kjo pikëpamje është më pranë asaj të vendeve baltike, sesa me kryeqytetet e tjera perëndimore. “Vendet nordike kanë një politikë të përbashkët të sigurisë për herë të parë që nga Bashkimi i Kalmarit në vitet 1400. Ato e kanë njohur rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit të tyre ushtarak në një mënyrë që nuk e kemi parë për disa shekuj”- thotë Jens Stoltenberg, ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, i cili tani është Ministër i Financave i Norvegjisë.

Nordikët kanë kombinuar forcat e tyre ajrore, duke krijuar në vitin 2023 një Komandë të Përbashkët Ajrore Nordike. Ndërkohë vitin e kaluar, ata përcaktuan një vizion për mbrojtjen e përbashkët deri në vitin 2030 nën siglën e Kooperacionit të Mbrojtjes Nordike, NORDEFCO.

Sigurisht, vendet e Evropës Veriore janë duke kompensuar me shpejtësi dekadat e çarmatimit pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Nevoja për t’u riarmatosur, është rritur për shkak të rënies së besimit të Evropës tek SHBA-ja si një aleat i besueshëm nën presidentin Trump.

Dhe ky realizëm nuk ndihet askund më shumë sesa në Kopenhagë, e cila është në vijën e parë të përballjes së Evropës me Trump, pasi ky i fundit ka kërcënuar disa herë se do të aneksojë Grenlandën, një territor danez. Mbrojtja që i bën Danimarka ishullit në Arktik, i cili është 3 herë më i madh se Teksasi, mbështetet kryesisht në 7 anije të vjetruara, me armë dhe sensorë aq të pakët, saqë mezi mund të klasifikohen si anije luftarake, dhe disa dhjetëra ushtarë komando që lëvizin me sajat e tërhequra nga qentë.

Vendimi i Danimarkës në shkurt të këtij viti për të rritur me 70 për qind shpenzimet ushtarake gjatë 2 viteve të ardhshme - duke përfshirë Grenlandën - ishte “një shprehje e panikut”, tha Peter Viggo Jakobsen, profesor i asociuar në Kolegjin Mbretëror Danez të Mbrojtjes.

“Danimarka është tani në garë me kohën, sepse ne e kemi humbur besimin tek amerikanët. Arsyeja pse jemi bërë pjesë e aleancës nordike me një vrull të tillë, është se s’mund të mbrohemi  vetëm. Dhe nëse NATO nuk mund ta bëjë këtë, nordikët janë një alternativë”, thekson Jakobsen.

Ndërsa militarizimi i vendeve të Evropës Veriore, mund të bjerë ndesh me imazhin e tyre global, ky proces po ndodh prej kohësh. Finlanda ka një nga forcat më të mëdha të armatosura në Evropë në raportin me numrin e banorëve. Ajo mund të mobilizojë 280.000 trupa brenda një jave, dhe gati 1 në 6 finlandezë, ose rreth 900.000 njerëz, janë rezervistë.

Vendstrehimet nëntokësore në të gjithë vendin, mund të strehojnë afërsisht pjesën e mbetur të popullsisë. Tani Finlanda po mendon të tërhiqet nga Konventa e Otavës, e cila ndalon përdorimin e minave tokësore kundër trupave armike. Suedia është në krye të inovacionit ushtarak.

Avionët e saj luftarakë, JAS 39 Gripen, të projektuar për të operuar në pista të shkurtra dhe kundër avionëve rusë, morën pjesë për herë të parë në mars  në një mision mbikëqyrjeje të NATO-s. Stridsvagn 122, është një nga tanket suedezë më të avancuara në botë, ndërsa CV90 është një nga mjetet më të mira luftarake të këmbësorisë.

Finlanda dhe Suedia, e kanë në fuqi rekrutimin e detyrueshëm. Në Suedi, shërbimi ushtarak është neutral ndaj gjinisë dhe shumë selektiv, duke e bërë shumë elitar këtë shërbim. Ndërsa vendet e tjera evropiane e kanë të vështirë të shtojnë radhët, forcat e armatosura të Suedisë rekrutojnë ço vit mijëra të rinj.

Norvegjia, e kritikuar prej kohësh për shpenzime të pamjaftueshme në mbrojtje, pavarësisht se ka fondin më të madh të pasurisë sovrane në botë prej 1.5 trilion dollarësh, dhe ka përfituar shumë nga çmimet e rritura të energjisë për shkak të luftës në Ukrainë, njoftoi kohët e fundit një dyfishim të mbështetjes së saj për Kievin, në mbi 8 miliardë dollarë vetëm për këtë vit.

“Këto lëvizje tregojnë se ne jemi të vetëdijshëm se duhet të bëjmë më shumë për të mbështetur Ukrainën, por edhe se kemi nevojë për një ndarje më të drejtë të barrës midis vendeve të NATO-s”- thotë Stoltenberg. Danimarka është bërë një nga zërat më të fortë për riarmatimin e Evropës.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen, deklaroi në mars se nuk e përjashton mundësinë e strehimit të armëve bërthamore në territorin danez, një ndryshim historik i qasjes. Pasi ia dhuroi të gjithë artilerinë e saj Ukrainës, Kopenhaga ka hartuar një plan për të financuar kontratat midis qeverisë ukrainase dhe kompanive daneze të mbrojtjes, për të prodhuar armë të përshtatura për nevojat e saj.

Mbështetja e vetë industrisë së mbrojtjes të Ukrainës, është një mënyrë e qëndrueshme për të forcuar frenimin kundër Rusisë, në një kohë që SHBA-ja po e bllokon anëtarësimin e Ukrainës në NATO, thotë Anna Wieslander, drejtoreshë për Evropën Veriore në institutin e mendimit të Këshillit Atlantik.

“Bashkëpunimi shumë i ngushtë midis industrive tona të mbrojtjes, është një sinjal shumë i fortë”- thekson ajo. Qasja e nordikëve mund të ndryshojnë në të ardhmen. Për shembull, ndërsa Danimarka dhe Suedia janë të gatshme të kontribuojnë me trupa në një forcë paqeruajtëse pas një armëpushimi në Ukrainë, Finlanda, me kufirin e saj mbi 1200 km me Rusinë, ka të ngjarë të preferojë t’i mbajë në shtëpi ushtarët e saj.

Tani për tani, një bllok i bashkuar vendesh nordike, mund të shërbejë si model për vendet e tjera, si ato rreth Detit të Zi, thotë Matti Pesu, studiues i Institutit Finlandez të Çështjeve Ndërkombëtare. “Ky model, mund të shërbejë edhe si një politikë sigurimi për të ardhmen, nëse NATO shpërbëhet nën administratën Trump. Pra është një “Plan B” nëse aleanca aktuale nuk do të funksionojë”- tha Pesu./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Wall Street Journal”.

nato europa rusia

Lini një Përgjigje