
Beogradi po përgatitet sot për një tjetër protestë të udhëhequr nga studentët për të ushtruar presion mbi presidentin serb Aleksandër Vuçiç që të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare pas gati tetë muajsh tubimesh që kanë përfshirë vendin ballkanik.
Tensionet janë rritur ndjeshëm përpara protestës së organizuar nga studentët e universitetit të Serbisë, një forcë kyçe pas demonstratave mbarëkombëtare kundër korrupsionit që filluan pasi u shemb një tendë e rinovuar e stacionit hekurudhor, duke vrarë 16 persona më 1 nëntor.
Ngjarja nxiti zemërim të madh publik dhe akuza ndaj qeverisë për korrupsion masiv dhe neglizhencë në projektet e infrastrukturës. Studentët kërkojnë shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe ndërprerjen e një demonstrate kundër-protestuesish në qendër të kryeqytetit.
Vuçiç dhe Partia e tij e krahut të djathtë, Partia Progresive Serbe kanë refuzuar kërkesën për votim të parakohshëm dhe kanë akuzuar protestuesit se po planifikojnë të nxisin dhunë me urdhër nga jashtë.
Vuçiç paralajmëroi një të shtunë të trazuar. “Nga ora 15:00 deri në 21:00 prisni fillimin e dhunës – por ne jemi gati”, u shpreh ai duke theksuar se shteti do të mbrohet dhe banditët do të nxirren para drejtësisë.
Studentët që kanë bllokuar fakultete të ndryshme në Beograd duke lëshuar një ultimatum: nëse deri më 28 qershor në orën 21:00 nuk plotësohen dy kërkesat kryesore: shpallja e zgjedhjeve të reja dhe ndërprerja e kundër-protestës në qendër të Beogradit, atëherë do të ftojnë qytetarët në “mosbindje civile në të gjitha format”.
Protestat e studentëve, që kanë nisur prej më shumë se shtatë muajsh, kanë marrë përkrahje të gjerë dhe konsiderohen si një sfidë serioze ndaj pushtetit të presidentit Vuçiç, i cili është përballur me kritika të ashpra për mënyrën si po menaxhohet përgjegjësia politike dhe penale për tragjedinë e nëntorit në Novi Sad.
Lini një Përgjigje