Biznesmeni anglo-amerikan, dikur investitori më i madh i huaj në Rusinë post-sovjetike, Bill Browder që u shpall “armiku nr.1 i Putinit”, thotë se pavarësisht saksioneve presidenti rus arrin të korruptojë shumë njerëz në Perëndim, duke shmangur pasojat e tyre.
Në vitin 1995, Bill Browder u zhvendos në Rusi për të themeluar fondin e tij të investimeve, Hermitage Capital Management. Si një biznesmen anglo-amerikan, ai u bë investitori më i rëndësishëm i huaj. Por gradualisht zbuloi sistemin e oligarkëve, u bë armik, u arrestua, u mor në pyetje dhe në vitin 2005, u detyrua të largohej nga ky vend.
Në një rast u arrestua jashtë vendit, në Spanjë, pastaj u lirua. Sot, Browder jeton në Londër.
“Ata duan të më rrëmbejnë, të më vrasin apo ekstradojnë”- thotë ai për HuffPost. Në Rusi është dënuar 2 herë në mungesë. Sergei Magnitsky, avokati dhe partneri i tij, u arrestua në Moskë me akuzën e mashtrimit me teksa dhe vdiq në burg në vitin 2009.
Browder thotë se në fakt ai u vra teksa vetë po lobonte me Kongresin Amerikan për të miratuar Aktin Magnitsky. Kjo masë mohoi vizat dhe ngriu asetet në Shtetet e Bashkuara për shumë zyrtarë rusë. Ligji u miratua në vitin 2012, duke shkaktuar zemërimin e Vladimir Putinit.
Presidenti rus iu ankua Trumpit gjatë mandatit të tij të parë, por deri tani pa rezultat. Që nga ajo kohë, financuesi i famshëm ka hapur një fondacion, udhëton nëpër Evropë për të folur mbi Rusinë dhe boton libra. Ai është në listën e zezë të Kremlinit. Ne e takuam në Senatin italian, ku mbajti një fjalim mbi ndërhyrjen ruse në Komitetin e Punëve të Jashtme.
Çfarë u thatë parlamentarëve italianë? Çfarë duhej të dëgjonin dhe të kuptonin ata?
U fola mbi kapacitetin e Rusisë së Putin për ndërhyrje politike. Ashtu si diktatorë të tjerë, ai jeton në një shoqëri të mbyllur dhe përfiton nga ne që jetojmë në shoqëri të hapura. Ne kemi liri fjale dhe ata e shfrytëzojnë atë. Ndërhyrja është e gjerë dhe mekanizmi shumë fitimprurës.
Kosto e ulët, fitim i lartë?
Po. Bombardimi i Kievit në një natë i kushton Putinit 1 miliard dollarë. Ndërsa 1 vit ndërhyrje politike, i kushton vetëm qindra milionë dollarë. Dhe nëse kjo ndërhyrje bëhet siç duhet, mund t’i japë fund mbështetjes perëndimore për Ukrainën. Mendoj se Putin mund ta fitojë luftën më lehtë duke ndërhyrë sesa duke luftuar.
Për çfarë ndikimesh po flasim? Çfarë mjetesh ka në dispozicion Kremlini për të hyrë në debatin evropian dhe për ta ndryshuar atë?
Ato i njoh mirë sepse jam prej mbi 15 vjetësh viktimë e ndërhyrjes ruse. Metoda e parë synon të ndryshojë narrativën përmes burimeve alternative të medias. Në rastin tim, ata nisën të prodhonin dokumentarë të ndryshëm për mua, duke paguar shumë para dhe shfaqur një narrativë që ishte krejtësisht alternative ndaj së vërtetës.
Pastaj i prezantuan ato në televizionin publik rus, pastaj në Parlamentin Evropian. Qëllimi i tyre nuk është domosdoshmërisht të bindnin të gjithë se versioni i tyre alternativ është i saktë, por të turbullonin ujërat që njerëzit të mos besojnë më të vërtetën. Ata krijojnë terrenin për teori konspirative.
Hapi i dytë janë paratë. Ata i paguajnë influencuesit. Nuk po flas për influencuesit e Instagram-it, edhe pse mediat sociale kanë shumë rëndësi. Për këtë mjafton të shihni që ndodhi në Rumani apo historinë e podkasterit të ekstremit të djathtë që mori 10 milionë dollarë nga Rusia, për të folur keq për Ukrainën gjatë zgjedhjeve të vitit 2024 në SHBA.
Përkundrazi, po flas për parlamentarë, ish-deputetë, ish-zyrtarë qeveritarë, profesorë. Ata i paguajnë për të marrë një qëndrim të kundërt me atë të gjithë të tjerëve.
A janë në fakt agjentë të fshehtë?
Ky është një përkufizim shumë romantik. Ata kërkojnë një profesor, i japin para, ndoshta financojnë kërkimin e tij shkencor. Gjendet një stimul.
Ju përmendet edhe ish-deputetë ose eurodeputetë aktualë…
Rusët ofrojnë para, vajza, djem, udhëtime për këdo me të cilin bien në kontakt. Pothuajse të gjithë deputetët thonë jo. Herë pas here, dikush thotë po. Kështu e mbajnë nën kontroll, dhe nëse ndërron mendje, e kërcënojnë.
Ata punojnë edhe në mediat sociale...
Po dhe disa media sociale që janë më të hapura se të tjerat. Twitter (sot X), ishte një nga platformat kryesore të operacioneve të ndikimit rus. Por qëkur u ble nga Musk, është një burim mediatik më pak me ndikim.
Dhe cila është shkalla e ndikimit rus këtu në Itali, në institucionet italiane?
Infiltrimi në institucionet italiane, është jashtëzakonisht i thellë për një arsye shumë interesante. Në Itali ekziston një lloj simpatie e lindur për Rusinë, e cila është shumë më e përhapur se në vende të tjera.
Ndoshta është për shkak të historisë italiane? Dikur këtu ishte Partia më e fortë Komuniste në Evropën Perëndimore...
Shumë njerëz më japin këtë shpjegim. Unë nuk i di vërtet arsyet, por ajo që shoh në Itali, është shumë e ndryshme nga ajo që shoh në Londër. Në Britani, opinioni publik është absolutisht anti-Putin dhe pro-Ukrainës. Këtu jeni pak më delikatë. Mbeteni ende pro-Kievit, por ndjenja kundër Putinit është më e zbutur.
Po thua që ne jemi një përjashtim?
Po. Sa i përket ndikimit rus, Italia është hallka më e dobët në Evropën Perëndimore. Simpatitë pro-ruse këtu janë më të forta se gjetkë.
A kanë ndryshuar rrethanat me luftën në Ukrainë? Cili është qëllimi i Putinit?
Shumë gjëra kanë ndryshuar me pushtimin rus. Por qëllimi i Putinit, s’ka lëvizur asnjë centimetër. Atij nuk i intereson sesa njerëz humbet apo sa para shpërdoron. Ai e nisi këtë luftë vetëm për një arsye: dëshiron që populli rus të jetë i zemëruar me një armik të jashtëm dhe jo me të. Në këtë mënyrë, ai mund të qëndrojë përgjithmonë në pushtet.
A mund të fitojë?
Nuk e besoj. Gjithsesi, herët a vonë do provojë të sulmojë një vend të NATO-s, duke menduar që nuk kemi guxim të bëjmë luftë kundër tij. Prandaj synon të krijojë dyshime dhe të vërteta të rreme në demokracitë perëndimore. Ndikimet janë mënyra më pak të kushtueshme për të përçarë. Ato krijojnë përçarje në Itali, SHBA, Holandë, kudo./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Huffington Post Italia”
Lini një Përgjigje