Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se shpërthimi i hantavirusit në një anije turistike në Atlantikun Jugor nuk përbën fillimin e një pandemie të re.
Maria van Kerkhove, epidemiologe për sëmundjet infektive në OBSH, tha gjatë një konference për shtyp se situata nuk është e krahasueshme me pandeminë e Covid-19, pasi hantavirusi përhapet vetëm përmes “kontaktit të afërt dhe intim”.
Autoritetet shëndetësore po përpiqen të gjurmojnë dhjetëra persona që kanë zbritur së fundmi nga anija hollandeze MV Hondius.
OBSH bëri të ditur se deri tani janë konfirmuar pesë nga tetë rastet e dyshuara me hantavirus. Tre persona kanë humbur jetën, mes tyre një 69-vjeçare holandeze e infektuar me virusin.
Bashkëshorti i saj holandez dhe një grua gjermane gjithashtu kanë ndërruar jetë, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse rastet e tyre lidhen me virusin.
Hantavirusi zakonisht transmetohet nga brejtësit, por OBSH tha se në këtë shpërthim është dokumentuar për herë të parë transmetimi nga njeriu te njeriu.
Anija turistike luksoze, e operuar nga kompania Oceanwide Expeditions, nisi udhëtimin më 1 prill nga Ushuaia në jug të Argjentinës dhe pritet të mbërrijë në Ishujt Kanarie të Spanjës.
Në bord ndodheshin rreth 150 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi nga 28 vende të ndryshme. Dhjetëra prej tyre zbritën më 24 prill në ishullin Shën Helena.
Maria van Kerkhove theksoi se “ky nuk është Covid dhe as grip”, duke shtuar se mënyra e përhapjes është shumë ndryshe. Sipas saj, autoritetet kanë kërkuar që të gjithë personat në bord të mbajnë maska, ndërsa ata që kujdesen për rastet e dyshuara duhet të përdorin pajisje më të avancuara mbrojtëse.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Ghebreyesus, deklaroi se organizata e vlerëson rrezikun për shëndetin publik si “të ulët”.
Ai tha se dy rastet e para të konfirmuara kishin udhëtuar në Argjentinë, Kili dhe Uruguai gjatë një ekspedite për vëzhgimin e shpendëve, ku kishin vizituar zona me prani të llojit të minjve që bartin virusin.
OBSH paralajmëroi se, për shkak të periudhës së inkubacionit që mund të zgjasë deri në gjashtë javë, është e mundur të raportohen raste të tjera në ditët në vijim.
Kompania Oceanwide Expeditions bëri të ditur se 29 pasagjerë nga të paktën 12 kombësi zbritën nga anija në Shën Helena. Sipas qeverisë holandeze, numri i personave që kanë lënë anijen mund të arrijë në 40, përfshirë edhe një shtetas zviceran me rast të konfirmuar.
Autoritetet britanike njoftuan se shtatë prej pasagjerëve ishin shtetas britanikë. Dy prej tyre janë vetëizoluar në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa të tjerët nuk janë kthyer ende.
Shën Helena, një nga ishujt më të izoluar në botë, ka një sipërfaqe prej vetëm 127 kilometrash katrorë, rreth 4.400 banorë dhe një spital të vetëm.
Gruaja holandeze që më vonë humbi jetën në Afrikën e Jugut ishte mes personave që zbritën në Shën Helena. Ndërkohë, tre persona të tjerë – shtetas britanikë, holandezë dhe gjermanë – u evakuuan nga anija të mërkurën.
Lini një Përgjigje