Administrata amerikane ka publikuar Strategjinë Kombëtare Kundër Drogës 2026, një dokument i gjerë që sinjalizon një ashpërsim të ndjeshëm të luftës globale kundër trafikut të narkotikëve dhe organizatave kriminale transnacionale.
Raporti, i ndarë në disa kapituj operacionalë dhe strategjikë, e përshkruan trafikun e drogës si një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe paralajmëron për transformimin e rrjeteve kriminale në struktura gjithnjë e më të sofistikuara, të mbështetura nga teknologjia, komunikimi i koduar dhe financat ndërkombëtare.
Në qendër të strategjisë vendosen strukturat e quajtura Homeland Security Task Forces (HSTF), task-forca të përbashkëta që bashkojnë agjencitë federale amerikane, inteligjencën dhe partnerët ndërkombëtarë për të goditur kartelet dhe rrjetet e trafikut në disa nivele njëkohësisht — nga droga dhe armët, te pastrimi i parave dhe trafiku i qenieve njerëzore.
Sipas raportit, objektivi nuk është më vetëm sekuestrimi i drogës, por “shkatërrimi i plotë i infrastrukturës kriminale”.
Dokumenti përshkruan edhe raste konkrete operacionesh. Një prej tyre lidhet me një operacion kundër kartelit meksikan CJNG, ku autoritetet amerikane dhe meksikane identifikuan tunele kontrabande, sekuestruan armë, drogë sintetike dhe arrestuan dhjetëra persona të lidhur me trafikun ndërkombëtar.
Një pjesë e rëndësishme e strategjisë është përdorimi i inteligjencës artificiale në luftën kundër drogës. Administrata amerikane synon të përdorë AI për analizimin e transaksioneve financiare, rrjeteve sociale, të dhënave të transportit dhe komunikimeve të dyshuara kriminale.
Sipas raportit, algoritmet do të përdoren për të identifikuar modele trafiku, për të parashikuar lëvizjet e organizatave kriminale dhe për të ndihmuar agjencitë ligjzbatuese në targetimin e rrjeteve ndërkombëtare.
Strategjia vendos theks të fortë edhe te drogat sintetike, veçanërisht fentanyli, që sipas autoriteteve amerikane vazhdon të jetë shkaku kryesor i vdekjeve nga mbidoza në SHBA. Raporti paralajmëron për përhapjen e substancave të reja sintetike dhe përzierjeve të rrezikshme që po komplikojnë trajtimin mjekësor dhe ndërhyrjet emergjente.
Në dokument përmendet edhe shqetësimi për laboratorët e drogës sintetike në Kanada dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkufitar mes SHBA-së dhe autoriteteve kanadeze për goditjen e rrjeteve kriminale.
Megjithëse Ballkani nuk përmendet drejtpërdrejt në strategji, ekspertë të sigurisë ndërkombëtare prej vitesh e konsiderojnë rajonin një korridor të rëndësishëm të trafikut të drogës dhe armëve drejt Europës Perëndimore.
Analistët vlerësojnë se presioni i shtuar ndaj karteleve në Amerikën e Veriut mund të çojë në zhvendosjen e disa aktiviteteve kriminale drejt rrugëve alternative të trafikut. Në këtë kuadër, rajone me korridore të konsoliduara kontrabande, si Ballkani Perëndimor, mbeten nën vëmendjen e agjencive ndërkombëtare.
Raporti amerikan paralajmëron gjithashtu se organizatat kriminale po përdorin gjithnjë e më shumë platformat online, rrjetet sociale, aplikacionet e koduara dhe sistemet moderne të shpërndarjes për të shitur drogë dhe për të shmangur kontrollin e autoriteteve.
Përtej aspektit policor, strategjia amerikane pranon edhe krizën sociale të varësisë nga droga. Dokumenti flet për mungesë të specialistëve të trajtimit, probleme në aksesin e pacientëve dhe nevojën për zgjerimin e shërbimeve të rehabilitimit dhe ndërhyrjes së hershme.
Publikimi i strategjisë vjen në një moment kur trafiku ndërkombëtar i drogave sintetike po konsiderohet nga shumë qeveri perëndimore si një prej kërcënimeve më të mëdha të dekadës së ardhshme, jo vetëm për sigurinë publike, por edhe për ekonominë, migracionin dhe stabilitetin rajonal.
Lini një Përgjigje