Një testim i fshehtë i kryer në kuadër të hetimit tregoi se një përqindje shumë e lartë e karikuesve elektrikë të përzgjedhur nuk kaluan testet bazë të sigurisë. Gjithashtu, shumë lodra për foshnja të testuara paraqitën rreziqe të konsiderueshme për sigurinë, pasi përmbanin substanca kimike mbi kufijtë e lejuar ligjorë ose paraqisnin rrezik mbytjeje për shkak të pjesëve të shkëputshme.
Bashkimi Europian ka vendosur një gjobë rekord prej 200 milionë eurosh ndaj platformës kineze Temu, për shitje të produkteve të rrezikshme dhe të paligjshme.
Komisioni Europian deklaroi se kompania nuk ka identifikuar rreziqet që mund të shkaktojnë produkte të caktuara.
Sipas autoriteteve europiane, një testim i fshehtë i kryer nga një organizatë e pavarur zbuloi se shumë karikues të blerë në Temu nuk plotësonin standardet bazë të sigurisë elektrike.
Gjithashtu, një pjesë e lodrave për foshnje përmbanin nivele të larta kimikatesh. Përveç gjobës, Temu duhet të paraqesë deri më 28 gusht një plan konkret masash për të korrigjuar shkeljet.
Nga ana tjetër, Temu ka kundërshtuar vendimin dhe e ka cilësuar gjobën si të padrejtë. Kjo është vetëm gjoba e dytë e vendosur nga Bashkimi Europian në kuadër të Aktit për Shërbimet Digjitale. Më herët, platforma X i Elon Musk u gjobit me 120 milionë euro.
Sipas Komisionit, vlerësimi i rrezikut i kryer nga Temu gjatë vitit 2024 nuk përmbush standardet e përcaktuara nga Akti për Shërbimet Digjitale (DSA), legjislacioni evropian që rregullon përgjegjësitë e platformave të mëdha online.
Hetimi zbuloi se analiza e Temu ishte mbështetur kryesisht në informacione të përgjithshme për rreziqet në sektorin e tregtisë elektronike dhe jo në prova konkrete që lidhen me funksionimin e vetë platformës. Sipas Komisionit, kompania nuk ka marrë në konsideratë në mënyrë të mjaftueshme raportet publike, testimet e pavarura dhe të dhënat që lidhen drejtpërdrejt me shërbimin e saj.
Autoritetet evropiane theksojnë se Temu ka nënvlerësuar ndjeshëm mundësinë që konsumatorët evropianë të përballen me produkte të paligjshme ose të rrezikshme.
Një testim i fshehtë i kryer në kuadër të hetimit tregoi se një përqindje shumë e lartë e karikuesve elektrikë të përzgjedhur nuk kaluan testet bazë të sigurisë. Gjithashtu, shumë lodra për foshnja të testuara paraqitën rreziqe të konsiderueshme për sigurinë, pasi përmbanin substanca kimike mbi kufijtë e lejuar ligjorë ose paraqisnin rrezik mbytjeje për shkak të pjesëve të shkëputshme.
Komisioni vlerësoi gjithashtu se Temu nuk analizoi siç duhet ndikimin e mënyrës së funksionimit të platformës së saj në përhapjen e produkteve të paligjshme. Kjo përfshin sistemet e rekomandimit të produkteve dhe programet promovuese që realizohen përmes influencuesve të lidhur me platformën.
Sipas DSA-së, platformat shumë të mëdha online janë të detyruara të identifikojnë dhe të vlerësojnë me kujdes rreziqet sistemike që lidhen me shërbimet e tyre dhe të marrin masa efektive për t’i zbutur ato.
Komisioni Europian bëri të ditur se masa ndëshkuese e vendosur ndaj Temu është llogaritur duke marrë parasysh natyrën e shkeljes, ndikimin e saj te përdoruesit evropianë dhe kohëzgjatjen e mosrespektimit të rregullave.
Sipas Brukselit, mosrealizimi i një vlerësimi të duhur të rrezikut përbën një nga shkeljet më serioze të Aktit për Shërbimet Digjitale, pasi ky detyrim konsiderohet një nga shtyllat kryesore të kuadrit rregullator evropian.
Hapat e ardhshëm
Temu ka afat deri më 28 gusht 2026 për t’i paraqitur Komisionit Evropian një plan veprimi, në përputhje me nenin 75 të DSA-së.
Në këtë plan, kompania duhet të shpjegojë masat konkrete që do të ndërmarrë për të korrigjuar mangësitë e identifikuara në procesin e vlerësimit të rrezikut.
Bordi Europian për Shërbimet Digjitale do të ketë një muaj kohë për të dhënë opinionin e tij mbi planin e paraqitur. Më pas, Komisioni do të marrë vendimin përfundimtar dhe do të përcaktojë afatet për zbatimin e masave korrigjuese.
Komisioni paralajmëroi se mosrespektimi i vendimit mund të çojë në vendosjen e penaliteteve financiare periodike ndaj platformës.
Sfondi i çështjes
Komisioni Evropian hapi procedurën zyrtare ndaj Temu më 31 tetor 2024, duke hetuar ndër të tjera mënyrën se si platforma vlerësonte rreziqet që lidhen me përhapjen e produkteve të paligjshme.
Gjetjet paraprake të hetimit u publikuan në korrik 2025, ndërsa vendimi për mosrespektim të rregullave u finalizua tani.
Vendimi bazohet në raportet e vlerësimit të rrezikut të Temu për vitin 2024 dhe raportet e ndërmjetme të vitit 2025, në përgjigjet e kompanisë ndaj kërkesave zyrtare për informacion të Komisionit, në të dhënat e siguruara nga palë të treta dhe në testimet e pavarura të kryera në emër të institucioneve evropiane.
Hetimi u mbështet gjithashtu në të dhënat e autoriteteve doganore dhe të mbikëqyrjes së tregut në vendet e Bashkimit Evropian, të cilat evidentuan nivele të larta të mosrespektimit të standardeve të sigurisë nga produktet e shitura në Temu në kategoritë e kontrolluara.
Lini një Përgjigje