Gjermania ka akuzuar zëvendëspresidentin amerikan JD Vance për hipokrizi, duke kundërshtuar pretendimet e tij se Bashkimi Evropian ka ndërhyrë në zgjedhjet në Hungari.
Berlini deklaroi se, përkundrazi, vetë vizita e Vance në Budapest pak ditë para zgjedhjeve të së dielës mund të konsiderohet si një formë ndërhyrjeje në procesin zgjedhor, pasi ai mbështeti fuqishëm qeverinë populiste dhe nacionaliste në pushtet.
“Ne i hedhim poshtë akuzat e bëra nga zëvendëspresidenti amerikan JD Vance në një aktivitet në Hungari,” tha zëvendëszëdhënësi i qeverisë gjermane, Sebastian Hille, gjatë një konference për shtyp.
“Ai po ankohet për ndërhyrje të pretenduar të BE-së, por duhet theksuar se vetë ishte në Hungari vetëm pak ditë para zgjedhjeve. Ky fakt flet vetë për atë se kush po ndërhyn,” shtoi ai.
Nga ana e tij, Vance, duke qëndruar në krah të kryeministrit hungarez Viktor Orbán në Budapest, deklaroi se ajo që ka ndodhur gjatë fushatës zgjedhore në Hungari është “një nga shembujt më të këqij të ndërhyrjes së huaj në zgjedhje” që ai ka parë apo lexuar ndonjëherë.
Ai gjithashtu kritikoi “burokratët në Bruksel”, duke thënë se ata kanë bërë gjithçka për të penguar popullin hungarez, sepse nuk e pëlqejnë liderin që, sipas tij, ka mbrojtur interesat e tyre.
Pas mbështetjes së hapur për Orbán, Vance u përball menjëherë me kritika nga opozita hungareze, e cila e akuzoi për përpjekje për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
Administrata e Shtëpisë së Bardhë e sheh Orbánin dhe modelin e tij të ashtuquajtur “demokraci joliberale” si një aleat të rëndësishëm ideologjik në Evropë. Edhe presidenti amerikan Donald Trump e ka mbështetur disa herë Orbánin gjatë fushatës.
Lideri i opozitës hungareze, Péter Magyar, reagoi në rrjetin X duke shkruar: “Asnjë vend i huaj nuk duhet të ndërhyjë në zgjedhjet hungareze. Ky është vendi ynë. Historia hungareze nuk shkruhet në Uashington, Moskë apo Bruksel ajo shkruhet në rrugët dhe sheshet e Hungarisë.”
Ndërkohë, zëdhënësi gjerman shtoi se kancelari Friedrich Merz “nuk ka asnjë preferencë” për rezultatin e zgjedhjeve dhe do të respektojë vendimin e popullit hungarez.
Lini një Përgjigje