TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Janar 2024, 15:31

SHBA pranë luftës bërthamore me Korenë e Veriut, çfarë synon të arrijë Kim Jong Un përmes kërcënimeve?

Shkruar nga Andreas Kluth
SHBA pranë luftës bërthamore me Korenë e Veriut,
Kim Jong Un

Një kundër-argument ndaj skenarit më të keq, i përmendur nga Carlin dhe Hecker, është se Kim mund të jetë duke e tundur “shpatën e tij” enkas gjatë fushatës zgjedhore në SHBA, me shpresën që Trump të fitojë në nëntor dhe të vazhdojë takimet me të...

Po ndodh pikërisht ajo që nuk i duhej botës: Një armik tjetër i Perëndimit po premton të “asgjësojë plotësisht” SHBA-në dhe aleatët e saj. Këtë herë kërcënimi vjen nga udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un. Në disa nga fjalimet e tij të fundit, ai e ka bërë të qartë se arma e zgjedhur për asgjësimin do të ishte “shpata e tij e çmuar”, pra arsenali i tij gjithnjë e në rritje i armëve bërthamore.

A janë këto deklarata përçarjet e një diktatori gjysmë të çmendur që e turpëron veten duke kalëruar kuaj të bardhë nëpër malet e mbuluara me borë? Robert Carlin dhe Siegfried Hecker, studiues dhe vëzhgues të tjetër të regjimit në Phenian, besojnë se jo. Sipas tyre, ashtu si gjyshi i tij në vitin 1950, Kim Jong Un ka marrë një vendim strategjik për të shkuar në luftë. Dhe ai nuk është i vetëm.

Nëse Kasandrat kanë qoftë edhe pjesërisht të drejtë, gadishulli Korean mund të shndërrohet në një krizë aq të madhe, sa t’i bëjë luftërat aktuale në Ukrainë dhe Gaza, madje edhe skenarët më të frikshëm në Ngushticën e Tajvanit dhe Detin e Kinës Jugore, të duken thjesht si përleshje të vogla.

Si mbërritëm në një situatë të tillë? Për thuajse 3 dekada pas fundi të Luftës së Ftohtë, 3 brezat e familjes Kim, pavarësisht sundimit të tyre brutal dhe izolimit të jashtëm, u përpoqën të arrijnë një lloj konsensusi me SHBA-në (vend që 70 vjet pas armëpushimit, nuk ka ende marrëdhënie diplomatike zyrtare me Republikën Popullore Demokratike të Koresë). Ata e shihnin Uashingtonin si armikun imperialist, por edhe si një ‘tampon’ potencial kundër Rusisë dhe Kinës, të cilave nuk u besonin. Megjithatë familja Kim besonte se mënyra e  vetme për të penguar një pushtim nga Koreja e Jugut dhe SHBA, ishte të pajisej me armë bërthamore.

Kështu ata i ndërtuan këto armë. Testi i parë (nga 6 të tilla deri më tani) u krye në vitin 2006. Për këtë arsye, de-nuklearizimi (zhdukja e armëve bërthamore nga rajoni) mbetet objektivi kryesor i politikës amerikane në gadishullin korean. Politikat që ka zgjedhur Uashingtonit përkundrejt Phenanit kanë qenë “karotat” dhe “shkopinjtë’.

Tek këto të fundit përfshiheshin sanksione gjithnjë e më të ashpra, duke përfshirë 9 raunde sanksionesh të miratuara nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara midis viteve 2006-2017. Ato votime patën miratimin e Kinës dhe Rusisë, që të dyja anëtare të përhershme të KS dhe me të drejtën e vetos. “Karotat” e pas vitit 2006 përbëheshin nga premtime për të hequr sanksionet.

Ndër ekspertët më skeptikë ndaj kësaj qasje ishte Wolfgang Nowak. Ai ka qenë vizitor i rregullt dhe bashkëbisedues me Korenë e Veriut dhe të Jugut që nga viti 2012. Mesazhi i tij ishte se e vetmja mënyrë për të dy për të shmangur katastrofën ishte ndërtimi i besimit gradual mes jugut dhe veriut, siç bënë gjermanët lindorë dhe perëndimorë gjatë viteve 1970, pavarësisht nga superfuqitë rivale që qëndronin pas tyre.

Ai këmbëngulte se “karotat” dhe “shkopinjtë” e SHBA-së janë kundër-produktive, sepse koreano-veriorët “nuk janë gomerë dhe as fëmijë”. Por situata aktuale nisi që të krijohej që midis viteve 2018-2019, gjatë presidencës së Donald Trump. Në atë kohë të dy liderët u takuan, fillimisht në Singapor dhe më pas në Hanoi, dhe së treti në zonën e çmilitarizuar midis 2 Koreve.

Në fillim takimi u duk sikur shkoi mirë. “Nuk ekziston më një kërcënim bërthamor nga Koreja e Veriut”- shkroi Trump në Twitter pas takimit. Në fakt, negociatat u shndërruan në një katastrofë, përmasat e së cilës po bëhen të qarta vetëm tani. Kim arriti në përfundimin se Trump kërkonte de-nuklearizimin e Koresë së Veriut pa ofruar asgjë në këmbim.

Pasi analizoi 27 letrat e shkëmbyera mes Trump dhe Kim në ato vite, Carlin mendon se Kim u poshtërua dhe ndjeu se ishte poshtëruar para koreano-veriorëve. Ndaj u bind se amerikanët do të synonin gjithmonë që ta eliminonin atë. Kështu ai i dha fund moratoriumit dhe nisi të ndërtonte armë bërthamore dhe raketa të reja më një shpejtësi më të madhe se kurrë më parë.

Referuar kontakteve të tij me Korenë e Veriut, Nowak beson tani se Kim mund të negocionte me Uashingtonin vetëm pasi raketat e tij të mbërrinin në SHBA. Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqe me seli në Stokholm vlerëson se që para një viti, Kim kishte 30 koka bërthamore dhe mjaftueshëm plutonium dhe uranium për të ndërtuar edhe 70 armë të tjera.

Shumica e këtyre bombave janë shumë herë më të fuqishme se ato të hedhura në Hiroshima dhe Nagasaki nga amerikanët në vitin 1945. Madje në arsenal përfshihet edhe një bombë termonukleare me hidrogjen (ku ndarja çon në një shpërthim shumë më të madh).

Për t’i pasur gati për sulm, Koreja e Veriut ka testuar shumë lloje raketash. Disa janë nisur nga toka, të tjera nga nëndetëset apo edhe dronët nënujorë. Disa janë me rreze të shkurtër, të tjera ndërkontinentale. Disa kanë shpejtësi hipersonike, që mund t’i shmangen mbrojtjes ajrore, dhe më të rinjtë përdorin lëndë djegëse të ngurtë, e cila i lejon ata të lëshohen shpejt dhe në mënyrë të fshehtë.

Përveç bombave “strategjike” (të destinuara të rrafshojnë qytete të tëra në Korenë e Jugut, Japoni apo SHBA), Kim ka shtuar në listë edhe bomba “taktike” më të vogla, që synojnë

të përdoren për të goditur objektiva me rreze më të shkurtër për t’i fituar betejat që në fillim.

Po ashtu ai ka miratuar gjithashtu një doktrinë të re - të ngjashme me atë të Rusisë, por më të hapur dhe djallëzore - që këto armë bërthamore mund të përdoren në mënyrë parandaluese, në përgjigje të çdo sulmi të perceptuar bërthamor ose konvencional, ose thjesht për të “kapur iniciativën” në një konflikt.

Logjika e tij është e thjeshtë. Kim e di se ushtritë konvencionale të SHBA-së dhe aleatëve

të saj, janë shumë më superiore se të tijat, dhe se ai do të humbiste shpejt një luftë jo-bërthamore dhe do të vdiste. Ndaj mënyra e vetme për t’i mbijetuar një sulmi, është të përshkallëzojë menjëherë veprimet në një sulm taktik bërthamor.

Nëse SHBA do të kundërpërgjigjej në të njëjtën mënyrë, ai do të vdiste. Por ka shumë gjasa që SHBA të mos e bënte këtë, sepse e di se Pheniani ka aftësi të hakmerret, dhe i gjithë gadishulli Korean, ndoshta Japonia dhe pjesë të SHBA-së do të zhdukeshin nga harta.

Pra, SHBA mund të tërhiqet. Dhe në këtë skenar, Kim do të fitonte. Kjo mundësi është rezultati i psikologjisë surrealiste dhe teorisë së lojës, që bazohet në llogaritjet strategjike

të bëra nga studiues të tillë si Lauren Sukin në Shkollën Ekonomike të Londrës dhe Abby Fanlo në Universitetin Stanford.

Kur vendet me arsenale të ngjashme bërthamore (le të themi Bashkimi Sovjetik dhe SHBA) përballen, perspektiva e shkatërrimit të sigurt të ndërsjellë i pengon të dyja palët që të hyjnë në një luftë të tillë. Por në një përballje shumë asimetrike, siç është një luftë midis Koresë së Veriut dhe SHBA-së, ata zbulojnë se vendi më i dobët që në fillim “s’ka asgjë më shumë për të humbur”.

Një kundër-argument ndaj skenarit më të keq, i përmendur nga Carlin dhe Hecker, është se Kim mund të jetë duke e tundur “shpatën e tij” enkas gjatë fushatës zgjedhore në SHBA, me shpresën që Trump të fitojë në nëntor dhe të vazhdojë takimet me të, këtë herë duke arritur një marrëveshje më të mirë.

Carlin mendon se kjo nuk ka gjasa të ndodhë, sepse tronditja që i shkaktoi samiti i Hanoit me Trump, e ka bërë edhe më paranojak liderin koreano-verior. Atëherë, çfarë mund të bëjë Shtëpia e Bardhë, nën Joe Biden, Trump apo ndonjë president tjetër?

Një nga përfundimet e analizave që bëhen mbi këtë çështje, është se sanksionet perëndimore shumë kohë më parë u bënë të paefektshme dhe janë të padobishme si “shkopinj” apo “karota”. Përfundimi tjetër është se forcimi i mëtejshëm i strategjisë së “parandalimit”, duke vendosur sërish armët bërthamore amerikane në Korenë e Jugut (që u hoqën prej andej në vitin 1991), apo duke e lejuar Korenë e Jugut të ndërtojë armët e veta, mund ta nxisin Kim-in që të sulmojë i pari.

Nëse situata është aq e rëndë sa na duket, tani për tani politika më e mirë e SHBA-së është të heqë dorë nga synimi i de-nuklearizimit, që gjithsesi nuk do të ndodhë, dhe të fokusohet në reduktimin e rrezikut. Kjo mund të arrihet përmes masave praktike si komunikimi paraprak i manovrave ushtarake, shmangia e aksidenteve dhe shkëmbimi i ndërsjellë i doktrinave mbi armët bërthamore.

Me kalimin e kohës, këto hapa mund të krijojnë mjaftueshëm besim për të arritur uljen afatgjatë të tensioneve mes palëve. Po ashtu, Uashingtoni duhet të zgjerojë pa shumë bujë shkëmbimet diplomatike me Pekinin. Që të dyja vendet e konsiderojnë si kundërshtarë njëri-tjetrin.

Por nga ana tjetër ata ndajnë interesin për të parandaluar një kaos akoma më të rëndë në botë. Sidomos kinezët kur vala radioaktive do të ishte në kufirin e tyre. Nëse ata i dërgojnë Kim-it të njëjtin mesazh të koordinuar dhe e mirëkuptojnë atë, diktatori mund të frenohet nga përshkallëzimi i veprimeve. Mesazhi është: Nëse e fillon luftën, je i mbaruar; por ne do të sigurohemi që askush mos t`ju sulmojë i pari. /Përshtati “Pamfleti” nga “Bloomberg”

kim jong un koreja e veriut lufte

Lini një Përgjigje