Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një intervistë për Sky News, është shprehur i gatshëm të ulet në tryezë me presidentin rus, Vladimir Putin, për bisedime, duke theksuar se do të bëjë çdo përpjekje për arritjen e paqes.
Ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë kapacitetin për të ndikuar në përfundimin e konfliktit, por sipas tij, nevojitet një presion më i madh ndaj Kremlinit. “SHBA janë më të fuqishme nga sa mendojnë për veten e tyre. Ata kanë ndikim real mbi Putinin. Mund ta ndalojnë këtë luftë,” u shpreh Zelensky.
Presidenti ukrainas kërkoi ashpërsim të sanksioneve, përfshirë masa ndaj familjarëve të elitës ruse, si dhe furnizim të Ukrainës me sisteme më të avancuara armatimi. Sipas tij, vetëm përmes rritjes së presionit Moska mund të detyrohet të hyjë seriozisht në negociata.
Duke folur për afatet e mundshme për arritjen e paqes, Zelensky përmendi një “dritare mundësie” deri në zgjedhjet e mesme në SHBA në nëntor.
“Tani kemi një mundësi. Çfarë do të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm varet nga këta muaj. Nëse mund të arrijmë paqen para zgjedhjeve të rëndësishme në SHBA, kjo është koha jonë,” tha ai.
Sa i përket çështjes së “fitimit” të luftës, Zelensky u tregua i rezervuar. Ai theksoi se rimarrja e të gjitha territoreve në këtë moment është shumë e vështirë dhe do të kishte kosto të lartë në jetë njerëzish.
“Varet çfarë kuptojnë njerëzit me ‘fitim’. Është shumë e vështirë të flasim për territore. Të rimarrim të gjithë tokën sot është shumë e vështirë dhe do të ketë humbje të mëdha jete njerëzore. Por e mira është se Rusia nuk mund të avancojë në terren, ndaj ata nuk fitojnë dhe ne nuk humbasim,” deklaroi ai.
Zelensky theksoi se dorëzimi i qyteteve të fortifikuara si Sloviansk dhe Kramatorsk përbën “linjë të kuqe”.
“Kjo është toka jonë. Nëse largohemi, 200,000 njerëz atje do të bien nën pushtimin rus. Kush tha se ata duan të bëhen rusë? Nëse nuk duan, do të vriten ose do të dërgohen në front apo në burg,” u shpreh presidenti ukrainas.
Në intervistë, ai foli edhe për marrëdhënien me ish-presidentin amerikan Donald Trump, të cilën e cilësoi si “jo të thjeshtë”, duke theksuar megjithatë se partneriteti mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara shkon përtej individëve.
Lini një Përgjigje