Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të vendosin armë bërthamore në Mbretërinë e Bashkuar për herë të parë në 15 vjet, mes kërcënimeve në rritje nga Rusia. Sipas një raporti të Pentagonit, kokat e luftës, tre herë më të fuqishme se bomba e Hiroshimës, do të pozicionohen në bazën ushtarake amerikane RAF Lakenheath, në Suffolk, e themeluar në vitin 1996.
Kërcënimi në rritje nga Rusia ka shtyrë Shtetet e Bashkuara të Amerikës të planifikojnë stacionimin e armëve bërthamore në Britaninë e Madhe.
Sipas mediave britanike, armatimet do të vendosen në bazën ushtarake RAF Lakenheath në Sufolk.
Dokumente të Pentagonit sipas medias britanike The Telegraph, zbulojnë kontratën për një strukturë të re dhe qëllime të Shteteve të Bashkuara për të pozicionuar atje testata nukleare, 3 herë më të fuqishme se bombat e Hiroshimës.
“Dokumentet e paredaktuara të Departamentit të Mbrojtjes në SHBA, zbulojnë planet për një “mision bërthamor” që do të realizohet së shpejti në RAF Lakenheath”, shkruhet në artikullin e The Telegraph.
Armët bërthamore të cilat mund të stacionohen në baze raportohet të jenë bomba të gravitetit B61-12, të cilat mund të lëshohen nga avionë lufte.
Sipas Telegraph, kjo është pjesë e një programi të NATO-s për të zhvilluar apo përmirësuar zonat e armatimeve bërthamore në vazhdën e agresionit rus.
Në një reagim lidhur me raportimin, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes në Britaninë e Madhe tha se politika e kahershme e NATO-s dhe Britanisë, i pengon të konfirmojnë apo të mohojnë praninë e armatimeve bërthamore në zona të caktuara.
Baza ushtarake RAF Lakenheath në Sufolk
Uashingtoni e kishte përdorur tashmë zonën si një depo raketash bërthamore. Koka luftarake që u hoqën në vitin 2008, pasi kërcënimi i Luftës së Ftohtë nga Moska ishte ulur.
Tani dokumentet e Pentagonit, të raportuara ekskluzivisht nga The Telegraph, zbulojnë kontratat për një objekt të ri në bazën ajrore.
Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes tha: "Mbetet një politikë e kahershme e Mbretërisë së Bashkuar dhe NATO-s që të mos konfirmojnë ose mohojnë praninë e pajisjeve bërthamore në vendet e ndjeshme".
Gara e armatimeve
Kohët e fundit, ka pasur kërkesa nga personalitete të nivelit të lartë në të dy anët e Atlantikut që Mbretëria e Bashkuar të përgatitet në rast të një lufte të mundshme midis forcave të NATO-s dhe Rusisë së Putinit. Në fillim të kësaj jave, gjenerali Sir Patrick Sanders, kreu në largim i ushtrisë britanike, deklaroi se gradat e tij prej 74,000 duhet të forcohen nga të paktën 45,000 rezerva dhe qytetarë për t'u përgatitur për një konflikt të mundshëm. Downing Street ka përjashtuar çdo lëvizje drejt rekrutimit, duke deklaruar se shërbimi ushtarak do të mbetet vullnetar.
Tensionet
Carlos Del Toro, Sekretari i Marinës së SHBA-së, i ka kërkuar Mbretërisë së Bashkuar të "rivlerësojë" madhësinë e forcave të saj të armatosura duke pasur parasysh "kërcënimet që ekzistojnë sot".
Londra ka mbrojtur shpenzimet e mbrojtjes të qeverisë britanike, duke deklaruar se Britania ka qenë "partneri i preferuar" i Uashingtonit në sulmet ndaj rebelëve Houthi në Detin e Kuq për shkak të "forcës së saj ushtarake"./ Pamfleti
Lini një Përgjigje