
Serbia është goditur sërish nga stuhia e cila ka përfshirë disa vende të Ballkanit. Mediat lokale raportojnë se si pasojë e stuhisë vdekjeprurëse kanë humbur jetën dy persona, një djalë 12-vjeçar dhe një grua e moshuar.
Stuhia e së premtes fillimisht goditi Slloveninë, duke vazhduar drejt Kroacisë, e më pas drejt Serbisë dhe Bosnjës, ku solli erëra të fuqishme dhe shira të rrëmbyeshëm.
Autoritetet raportuan probleme me furnizimin me energji elektrike dhe dëme të mëdha, përfshirë pemë të shkulura, të cilat dëmtuan automjete dhe çati shtëpish, raporton AP.
Në qytetin verior serb të Novi Sadit, djali 12-vjeçar u gjet i vdekur në rrugë gjatë stuhisë, por mbetet e paqartë nëse ai ishte goditur nga rrufeja apo është vrarë nga rryma, ka njoftuar televizioni shtetëror RTS.
Mediat lokale thonë se Novi Sadi është goditur më së ashpri, ku stuhia ka dëmtuar çatinë e një qendre ekspozitash në qytet. Rreth 30 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa shumë rrugë kanë mbetur të bllokuar në mëngjesin e 22 korrikut.
Në fshatin Kovaçica, në verilindje të Serbisë, një grua vdiq nga tymi, pas shpërthimit të një zjarri, kur rrufeja goditi një pemë pranë shtëpisë së saj, ka bërë të ditur RTS. Policia serbe ende nuk ka lëshuar një njoftim zyrtar për shkallën e dëmeve të shkaktuara nga stuhia.
Meteorologët kanë thënë se stuhitë ishin aq të fuqishme, sepse pasuan disa ditë jashtëzakonisht të nxehta. Ekspertët thonë se kushtet e motit ekstrem me gjasë janë nxitur nga ndryshimet klimatike.
Lini një Përgjigje