
Ndërsa ndryshimi i klimës vazhdon që të ngrejë lart termostatin, në horizont duket një e ardhme me një mot akoma më ekstrem. Që në vitin 2020, një studim zbuloi raste të shumta në të cilat temperatura ishte “afër ose përtej tolerancës së zgjatur fiziologjike të njeriut”...
Natyrisht, numri i të vdekurve për shkak të të nxehtit ekstrem, nuk shpërndahet në mënyrë uniforme. Deri më tani, nxehtësia ekstreme është përjetuar kryesisht në Azinë Jugore, Lindjen e Mesme dhe pjesën jugperëndimore bregdetare të Amerikës së Veriut, pra kryesisht përgjatë bregut perëndimor të Meksikës.
Për me tepër, jo të gjithë njerëzit janë njëlloj të prekshëm nga kjo dukuri. Më të moshuarit dhe më të vegjlit janë veçanërisht të ndjeshëm, ashtu siç janë edhe njerëzit më të varfër, të cilëve shpesh u mungojnë burimet për të mbajtur veten të freskët gjatë valëve të të nxehtit ekstrem.
Vendet në zhvillim, dhe ato me mungesë të ajrit të kondicionuar në banesa dhe zyra, janë gjithashtu veçanërisht të ekspozuar. Pra në përballimin e kësaj sfide të madhe, kanë shumë rëndësi gatishmëria dhe infrastruktura. Vdekshmëria, do të varet nga ajo se sa ekstrem do të bëhet moti.
Pra sa shpesh njerëzit do të goditen nga valët e të nxehtit të jashtëzakonshëm, dhe sa do të zgjasin ato. Por edhe se sa mirë do të përshtaten njerëzit me skenarët më të këqij të ngrohjes globale. Deri në çfarë mase qytetet do të ndërtojnë infrastrukturën ftohëse si ajri i kondicionuar dhe pemët për të bërë hije? Sa punë që bëhen zakonisht jashtë gjatë verës, mund të zhvendosen brenda?
Në Japoni, punëtorët e ndërtimit dhe policia që duhet të punojnë jashtë, veshin shpesh kostume me ajër të kondicionuar. Megjithatë, këto teknologji nuk janë të përballueshme financiarisht në Meksikë, Nigeri apo Bangladesh.
Zhvillimi ekonomik, ka sjellë një përparim të madh në mbrojtjen e njerëzve nga fatkeqësitë natyrore gjatë disa qindra viteve të fundit. Çështja është nëse teknologjia dhe rritja ekonomike mund ta ruajnë këtë ritëm, pavarësisht motit gjithnjë e më të paqëndrueshëm.
Një botë që po ngrohet sjell një lehtësi, megjithëse të vogël: më pak njerëz ka të ngjarë të vdesin nga i ftohti. Studimet tregojnë se shkalla e vdekjeve nga moti i ftohtë, ka rënë që nga fundi i shekullit të kaluar në çdo rajon të botës. Thënë këtë, efekti neto i ngrohjes në vdekjet e lidhura me temperaturën, do të varet fuqishëm nga se sa mirë do të përgatiten njerëzit për ndryshimin e motit.
Tek e fundit, ndalimi i prirjes së ngrohjes globale, do të kërkojë uljen e emetimeve të dioksidit të karbonit dhe gazeve të tjera serrë, të cilat e bllokojnë energjinë që vjen nga Dielli në oqeanin dhe atmosferën e tokës, duke ngritur në mënyrë të pashmangshme termostatin global.
Temperatura mesatare globale është sot 2.1 gradë Fahrenheit më e lartë se sa në fillim të shekullit XX-të. Qeveritë në shumicën e vendeve, po përpiqen ta frenojnë atë duke reduktuar deri edhe zeruar emetimet ndotëse në atmosferë. Njerëzimi ka mësuar në përgjithësi se si të mbrohet nga natyra, duke krijuar ekosisteme rreth nevojave të tij.
Ajri i kondicionuar dhe ngrohja e ambienteve të brendshme, kanë mbrojtur një numër në rritje njerëzish nga i nxehti dhe i ftohti. Zhvillimi ekonomik dhe automatizimi, e kanë reduktuar kërkesën për punë të jashtme në industri të tilla si bujqësia, duke reduktuar ekspozimin e punëtorëve ndaj motit ekstrem.
Megjithatë, përparimi në procesin e zbutjes së natyrës nga njeriu nuk ka qenë homogjen. Shkalla e vdekjeve të lidhura me të nxehtin ekstrem, po rritet në shumë pjesë të botës. Ajo po rritet gjatë viteve të fundit edhe në disa nga vendet më të pasura të botës, si Franca, Italia dhe Spanja, të cilat kanë popullsi të konsiderueshme të moshuar, dhe ku ajri i kondicionuar nuk përdoren ende masivisht.
Azia Jugore, një rajon ende i varfër dhe me një popullsi më shumë se 1 miliardë banorë, përballet me një emergjencë të menjëhershme. E gjitha kjo po krijon një situatë paradoksale. Sot, vetëm rreth 1/3 e familjeve në mbarë botën kanë në dispozicion ndonjë formë të ajrit të kondicionuar.
Mbrojtja e njerëzimit nga rritja e nxehtësisë, do të kërkojë vendosjen e shumë më tepër kondicionerëve në ambientet e brendshme në të ardhmen e afërt. Dhe kjo do të konsumojë shumë energji, e cila nga ana tjetër do të sjellë emetime shtesë të dioksidit të karbonit, shkaku kryesor i ndryshimeve klimatike.
Por edhe nëse qeveritë do të reduktonin në zero emetimet e gazeve serrë sot, bota do të vazhdonte të ngrohej edhe për një fare kohe, pasi gazrat që njerëzit kanë hedhur në atmosferë vazhdojnë ta bllokojnë në atmosferën e Tokës energjinë që vjen nga Dielli.
Sigurisht, ky nuk është një justifikim për mosveprim. Përkundrazi, qasja më e mirë është nxitja e adoptimit të burimeve të rinovueshme. Kështu energjia elektrike do të jetë më e bollshme dhe e pastër, së bashku me investimet në infrastrukturë, që duhet do të jenë shumë të nevojshme për të jetuar në një botë e cila po ngrohet gjithnjë e më shumë./Përshtati Pamfleti nga “Washington Post”
Lini një Përgjigje