Historikisht, shitja e sistemit raketor S-400 tek Turqia në vitin 2019, ka përfaqësuar një përfitim të dyfishtë strategjik për Rusinë. Së pari, prania e këtyre raketave e përjashtoi çdo blerje në të ardhmen të sistemeve raketore amerikane Patriot apo ato francezo-italiane SAMP/T.
Dhe së dyti, aktivizimi i mundshëm i raketave ruse, bëri që në vitin 2020, Uashingtoni të vendoste sanksione ndaj Turqisë. Ato kishin të bënin me anulimin e porosisë nga Turqia për 120 avionë luftarakë të llojit F-35 dhe F-35B nga kompania Lockheed Martin, si dhe përjashtimin e industrisë turke nga bashkë-prodhimi i avionëve të tjerë F-35.
Nga këndvështrimi i Moskës, rezultati është pozitiv: Krahu jugor midis Rusisë dhe Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) është “spastruar” nga dy sistemet më të avancuara ajrore.
Ky ndryshim në marrëdhëniet ushtarake midis Ankarasë dhe Moskës, ka krijuar dyshime mbi besueshmërinë e një anëtari të NATO-s, që ka qenë prej kohësh një bastioni i fortë i Aleancës Atlantike në Evropën Juglindore.
Me sjelljen e saj deri disa vite më parë, Ankaraja tregoi se rënia e Bashkimit Sovjetik e ka ndryshuar lojën, por se Turqia është e prirur të ruajë rolin e saj brenda NATO-s. Po ashtu, ajo po ndjek në mënyrë aktive objektivin e saj për ruajtjen e autonomisë strategjike dhe eksportet e armëve.
Që nga shkurti i vitit 2022, këto dyshime janë shtuar për shkak të refuzimit të Turqisë për t’u bashkuar me sanksionet kundër Rusisë dhe me zhvillimin e rëndësishëm të marrëdhënieve energjetike dhe financiare me Moskën (gazi me zbritje që paguhet në rubla, paradhënie mbi honoraret e lidhura me termocentralin bërthamor Akkuyu).
Këta faktorë, luajtën një rol në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale turke të vitit të kaluar. Dhe transaksionet e naftës i mundësuan Rusisë të anashkalonte disa sanksione perëndimore.
Lufta e Rusisë në Ukrainë mund të përshkallëzohet në mënyrë të konsiderueshme, dhe vatrat e reja mund të përfshijnë Turqinë për shkak të afërsisë së tyre gjeografike.
Për shembull, mund të sfidohet nevoja për të forcuar mbrojtjen e anijeve civile të përdorura për eksportet dhe importet e Ukrainës apo një dobësim të mundshëm të Moldavisë nga Rusia. Rrjedhimisht, do të bëhej më e dukshme paqartësia strategjike e Turqisë. Ajo ose do të duhej të lidhej qartë me operacionet e NATO-s në Evropën Lindore, ose haptazi të abstenonte.
Taktika të shumta presioni
Qëndrimi i Rusisë ndaj Turqisë do të vëzhgohet nga afër. Siç ka ndodhur që nga viti 2019, Moska mund të vazhdojë që ta shtyjë Ankaranë drejt një kundërvënie të qëndrueshme politike dhe ushtarake me pjesën tjetër të NATO-s, në përputhje me dëshirën e Hungarisë për t’u diferencuar nga pjesa tjetër e Bashkimit Evropian.
Mjetet e presionit të Moskës ndaj Ankarasë janë të shumta: furnizimet me gaz (çmimet, vëllimet, tranziti shumë fitimprurës në Evropën Juglindore); përpunimi i naftës së papërpunuar; oferta të reja për pajisje ushtarake; kundërshtimi i bashkëpunimit turko-ukrainas në aviacionin ushtarak.
Po ashtu janë edhe pranimi ose refuzimi i ofertave të ndërmjetësimit të presidentit turk Erdogan; si dhe autorizimi ose ndalimi i operacioneve turke kundër forcave kurde në Sirinë Veriore.
Në sfondin e përshkallëzimit të luftës, Turqia mund ta gjejë veten të ndarë midis presioneve të shumanshme të Rusisë nga njëra anë, dhe solidaritetit që pritet nga vendet e tjera të NATO-s nga ana tjetër. Kjo veçanërisht pasi siguria evropiane dhe mbështetja për Ukrainën do të jenë në qendër të diskutimeve në samitin e NATO-s të korrikut në Uashington.
Pozicioni politik i presidentit turk Recep Tayyip Erdogan do të ndikohet jo pak nga rezultati i zgjedhjeve lokale të 31 marsit. Pa prekur prerogativat e tij në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, këto zgjedhje, të cilat i shkaktuan atij një pengesë të madhe, dhe krijuan një dëm të dukshëm në imazhin e tij si një udhëheqës i padiskutueshëm.
Kjo humbje e legjitimitetit popullor do të ketë 2 pasoja kryesore. E para është një rivlerësim i opsioneve të politikës së brendshme, në dritën e refuzimit spektakolar në zgjedhje nga Erdogan (kontrolli i gjyqësorit, medias dhe shoqërisë civile dhe promovimi i rinisë së devotshme).
Në këtë kuadër, shfaqja e aspiratave demokratike të shumicës së turqve rrezikon të çojë në më shumë autoritarizëm, por disa shpresojnë ende për rehabilitimin e shtetit të së drejtës në përputhje me Traktatin e Atlantikut të Veriut.
E dyta është pohimi i statusit të saj si një fuqi që duhet llogaritur në skenën ndërkombëtare. Këtë e dëshmojnë bisedimet e shumta që nga 31 marsi me liderë miq; kushtet e vendosura për emërimin e Mark Rutte (kryeministri holandez në detyrë) në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s.
Po ashtu vihet re theksi i vënë gjatë takimin ministror të NATO-s më datat 3 dhe 4 prill tek lufta kundër terrorizmit që synon goditjen e kurdëve të PKK-në. Por edhe lëvizjen Gylen (themeluar nga predikuesi dhe kundërshtari turk, Fethullah Gylen); dhe vizita e planifikuar në Uashington për më 9 maj, por e anuluar së fundmi për shkak të ndihmës së re të SHBA-së për Irzaelin. Kjo lojë diplomatike nuk është e re. Por dobësimi i papritur politik i presidentit turk e ndërlikon atë.
Aftësia për të rregulluar politika të caktuara
Në aspektin ushtarak, forcat turke pritet që të shtojnë operacionet e tyre aktuale kundër Partisë Komuniste Kurde në Irak, në një kohë që e forcojnë kontrollin në veri të Sirisë dhe i kërkojnë urgjentisht Uashingtonit që të ndalë mbështetjen e milicive kurde siriane në luftën e tyre kundër Shtetit Islamik.
Në këtë kuadër pritet të ketë një proces të vështirë negocimi midis Ankarasë dhe Uashingtonit, që do të ndërlikohet më tej nga përshkallëzimi i përplasjes midis Iranit dhe Izraelit, gjë që e vendos Turqinë në një pozitë shumë të pakëndshme.
Anasjelltas, në fusha të tjera Turqia ka treguar gjatë 10 muajve të fundit një aftësi reale për të përshtatur politika të caktuara. Shembujt kryesore janë dhënia fund e ngërçit 20-mujor për pranimin e Suedisë në NATO; braktisja e qasjes kokëfortë të uljes së normave të interesit si një mjet për të luftuar inflacionin e lartë, dhe hapja e rrugës për ndryshime të tjera në politikën ekonomike.
Se çfarë mund të ndodhë më tej është spekulative. Një skenar i diskutuar së fundmi, mund të përfshijë heqjen dorë nga sistemi raketor rus S-400 dhe rikthimin e industrisë turke në programin e prodhimit të përbashkët të avionëve luftarakë F-35.
Një skenar tjetër, që nuk ka shumë gjasa që ndodhë, është ai që do të sillte një rikthim në statusin e sundimit të ligjit e që do të rilidhte ngushtë Turqinë me partnerët e saj atlantikë dhe do ta çlironte atë nga rastet më flagrante të shkeljeve të të drejtave të njeriut.
Në këtë rast ajo do të arrinte të rivendoste kështu besimin e qarqeve ekonomike perëndimore që sjellin investime dhe teknologji më të fundit në këtë vend. Ndryshime të tilla pozitive do të qetësonin dhe forconin lidhjet thelbësore midis Ankarasë dhe botës perëndimore. Turqia dhe Evropa do ta shihnin konsolidimin e sigurisë së tyre./Përshtati Pamfleti nga “Le Monde”
Shënim: Marc Pierini, anëtar i fondacionit Carnegie Europe, dhe ish-ambasador i BE-së në Turqi në vitet 2006-2011.
Lini një Përgjigje