
Rusia ka reaguar sërish për tensionet në veri të Kosovës.
Moska ka marrë në mbrojtje qeverinë e Vuçiç dhe thotë se për t’i ulur tensionet në Kosovë, duhen “hapa vendimtarë”.
“Ne i bëjmë thirrje Perëndimit që përfundimisht ta ndalë propagandën e tij të rreme dhe, për incidentet në Kosovë, të ndalojë së fajësuari serbët, të cilët janë paqësorë, të paarmatosur dhe bëjnë përpjekje t’i mbrojnë të drejtat dhe liritë e tyre legjitime”, tha Ministria e Jashtme e Rusisë, transmeton Reuters.
Protestuesit serbë u përplasën të hënën me paqeruajtësit e KFOR-it në Zveçan.
Tridhjetë ushtarë të KFOR-it dhe mbi 50 protestues u plagosën në përleshje.
KFOR-i tha se tre ushtarë të tij janë plagosur nga përdorimi “i armëve të zjarrit” gjatë përplasjeve me protestuesit serbë.
Një ditë më herët, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se situata në Kosovë është alarmante dhe se mund të provokojë një tjetër konflikt në qendër të Evropës.
Rusia, e cila ka nisur pushtimin e fqinjit të saj, Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar, është aleate e Serbisë dhe mbështet vazhdimisht veprimet e saj kundër shtetësisë së Kosovës.
Ndërkohë NATO ka dënuar sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat kanë çuar në plagosjen e ushtarëve.
Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, deklaroi se sulme të tilla janë krejtësisht të papranueshme dhe se dhuna duhet të ndalet menjëherë.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet që nxisin më tej tensionet dhe të angazhohen në dialog. KFOR-i do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt”, tha ajo.
Lini një Përgjigje