
Raketa e re Sarmat mendohet të jetë 2 mijë herë më e fuqishme se bombat e hedhura në Nagasaki dhe Hiroshima në vitin 1945...
Në një kohë kur lufta në Ukrainë ndodhet në një ngërç të madh dhe asnjëra nga palët nuk po bën avancime të dukshme, Kremlini ka zbuluar “asin nën mëngë” që mund të stepë disi vrullin e Perëndimit me ndihmat ndaj Kievit.
Ditën e sotme Rusia ka njoftuar se sistemi i saj më i ri i armëve bërthamore, “raketa balistike ndërkontinentale Sarmat”, është tashmë funksionale.
Ishte vetë drejtori i përgjithshëm i korporatës shtetërore të hapësirës Roscosmos, i cili në një dalje për mediat shtetërore deklaroi se “sistemi strategjik Sarmat është vënë në detyrë luftarake”.

Raketa vdekjeprurëse bërthamore Satan 2 mund të fluturojë mbi 11,000 milje, të mbajë 15 koka luftarake dhe ka potencialin të shkatërrojë një zonë me madhësinë e Mbretërisë së Bashkuar me një goditje të vetme.
Sipas ekspertëve, raketa e re supersonike mund të arrijë tanimë deri në SHBA, duke e bërë tashmë edhe Amerikën të cenueshme nga një sulm i mundshëm Rus.
Raketa RS-28 Sarmat, e ashtuquajtur Satan 2 nga NATO, ka një shpejtësi 7 km për sekondë, dhe është e projektuar me sistem anti-raketor, pra praktikisht sulmet ndaj saj nuk kanë efekt.

Raketa e re Sarmat mendohet të jetë 2 mijë herë më e fuqishme se bombat e hedhura në Nagasaki dhe Hiroshima në vitin 1945.
Vendosja në punë e sistemit Satan 2 do të bëjë vendet perëndimore që të mendohen më gjatë sa i takon dërgimit të armatimeve në Ukrainë, të cilat Rusia i konsideron si “vijë e kuqe”.
Presidenti rus, Vladimir Putin e ka përdorur si kërcënim luftën bërthamore, që nga nisja e pushtimit të Ukrainës. Me shtimin e Satan 2 në arsenalin e frikshëm të Moskës, retorika e një lufte bërthamore pritet të shtohet në daljet e tij publike.
Kujtojmë se Sarmat do të zëvendësojë raketat Voevoda të epokës sovjetike, të njohura me emërtimin e NATO-s SS-18 "Satan", në arsenalin strategjik të Rusisë. Si pasardhës i SS-18, Sarmat është mbiquajtur "Satan II" në Perëndim.
Lini një Përgjigje