TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Shtator 2023, 21:16

A do t'i mbijetojë Erdoganizmi, Erdoganit?

Shkruar nga Pamfleti

A do t'i mbijetojë Erdoganizmi, Erdoganit?

Erdogan gjatë gjithë kohës ka ditur të luajë kartat në arenën ndërkombëtare, duke luajtur me disa porta. Sa me Rusinë, sa me SHBA dhe sa me arabët...

Në ditët para samitit të fundit të NATO-s në Vilnius, të gjithë aktorët kryesorë në këtë ngjarje vëzhguan me nervozizëm lëvizjet e një prej anëtarëve të Aleancës. Në veçanti, ‘aksioneri’ kryesor, Shtetet e Bashkuara, së bashku me të ftuarit e gurtë: Suedia, një kandidate për t'u anëtarësuar në Aleancë dhe  Ukraina e varfër, e cila pesëmbëdhjetë vjet pas Samitit të NATO-s në Bukuresht në 2008, ku u njoftua hyrja e saj e ardhshme në organizatë, duhej të kënaqej me një përfundim thelbësisht identik me atë të pesëmbëdhjetë viteve më parë.

Në sytë e tyre ishte presidenti turk Recep Tayypp Erdogan. Për disa ditë ai i mbajti të gjithë pezull përpara se të ofronte pëlqimin e tij për hyrjen e Suedisë në Aleancën Atlantike, megjithatë duke u kujdesur të shtojë se fjala e fundit do të jetë e Parlamentit turk, në kontekstin e rinisjes së procesit të pranimit të Turqisë në BE.

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, deklaroi se hyrja e Suedisë në NATO është një “hap historik”, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pohoi se “Turqia është më afër BE-së”. Asgjë më mirë se këto dy deklarata të ndërthurura nuk ilustron se sa të mbivendosura janë dy organizatat.

Duke lënë mënjanë aktorët mbështetës, pra liderët aktualë të NATO-s dhe Komisionit të BE-së, është më e përshtatshme të fokusohemi te protagonistët, ata që - në të mirë e në të keq - kanë bërë dhe po bëjnë histori. Në këtë vështrim të parë të shekullit të 21-të, Presidenti turk duket se është i qetë në këtë rol të fundit.

Në dy dekadat e fundit, është e vështirë të gjesh një udhëheqës më të paparashikueshëm, por në të njëjtën kohë më karizmatik se presidenti aktual i Turqisë.

Nuk ka pasur asnjë çështje ndërkombëtare në këto dy dekada ku Turqia të mos ketë luajtur një rol: NATO, BE, Irak, Siri, Libi, Afganistan, Ukrainë, konflikti midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, konflikti izraelito-palestinez, çështja kurde, terrorizmi, Pranvera Arabe, Islami politik, flukset migratore, dosjet e energjisë, siguria ushqimore, etj.

Sigurisht, politika e jashtme turke ka njohur suksese dhe dështime, ndër këto të fundit, më i rëndësishmi ka ndodhur në Siri. Përpjekja për të rrëzuar Bashar Al Assad, e kryer me kaq kokëfortësi nga Erdogan, ka dështuar dhe dëmi kolateral ka qenë shumë i lartë. Mes këtyre dëmeve kolaterale, sigurisht që nuk duhet harruar rritja e flukseve migratore drejt Evropës në vitin 2015.

Në Vilnius, Erdogan i luajti mirë letrat. Askush tani nuk beson se Turqia do të jetë në gjendje të anëtarësohet në BE, por udhëheqësi turk mori një sërë benefitesh: një regjim më të hapur të vizave të BE-së ndaj qytetarëve turq dhe, së fundi, drita jeshile e SHBA për furnizimin e avionëve të rinj F16.

Një nga prioritetet kryesore të BE-së, menaxhimi i flukseve migratore nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, mbetet i varur nga vullneti i Ankarasë, e cila pret miliona refugjatë sirianë dhe që luan një rol udhëheqës në Libi, nga ku nisen një përqindje e madhe të flukseve migratore nga Afrika.

Prandaj, Ankaraja vazhdon të adoptojë një politikë të gjeometrisë së ndryshueshme: ajo është anëtare e NATO-s, por nuk pajtohet me sanksionet perëndimore kundër Rusisë, luan rolin e ndërmjetësit në konflikt, por më pas mbështet aspiratën e Kievit për t'u anëtarësuar në NATO dhe liron 4 anëtarë të Brigadës Azov që u kapën në Mariupol.

Pas viteve dhe burimeve të shpenzuara për mbështetjen e Vëllazërisë Myslimane, Turqia e uritur për kapital tani po hapet ndaj Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabedhe sapo ka rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Egjiptin. Madje ka zëra për një udhëtim të ardhshëm të presidentit El Sissi në Ankara.

Erdogan duket gjithmonë i gatshëm të ndryshojë pozicionet e tij sipas komoditeteve të momentit. Ai së shpejti mund të bëhet anëtari i parë i NATO-s që do t'i bashkohet BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut), grupi që gjithnjë e më shumë është alter ego e G7 në skenën ndërkombëtare dhe e cila do të dukej e orientuar drejt krijimit të monedhës së saj për tregtinë, si një alternativë ndaj dollarit: një gisht i vërtetë në sy drejt Shteteve të Bashkuara, pasojat e mundshme të të cilit janë ende për t'u vlerësuar.

Për këtë arsye ka nisur të përdoret ndjeshëm termi "Erdoganizëm", një kombinim i ideologjisë, përdorimit të forcës, këmbënguljes dhe pragmatizmit.

Ideologjia i ka rrënjët në Islamin politik, i cili i lejon Erdoganit të përfitojë ende nga një zonë e gjerë mbështetjeje në Anadollin e thellë, thelbi i vërtetë i fortë i suksesit të tij politik shumëvjeçar.

Pragmatizmi ndiqet për interesin e pastër të vendit dhe mbi të gjitha interesin e tij personal me një slogan të thjeshtë “dje është dje dhe sot është sot”, pra çdo gjë është e mundur dhe e kundërta e gjithçkaje. Në sjelljen e tij, presidenti turk përdor një dozë frikësimi dhe shprese.

Problemi kryesor i Erdoganit, natyrisht, është Erdogani, veçanërisht kokëfortësia e tij. Në frontin ekonomik, ku gjendja e Turqisë nuk është aspak rozë edhe për shkak të tërmetit të tmerrshëm të fundit, ajo ka miratuar vitet e fundit disa zgjedhje ekonomike që bien ndesh hapur me bazat e makroekonomisë; për shembull, pretendimi për të luftuar nivelin shumë të lartë të inflacionit në vend duke ulur dhe jo duke rritur nivelin e normave të interesit. Me numrin e ministrave të Financave dhe Guvernatorëve të Bankës Qendrore të shkarkuar nga Erdogan në vitet e fundit, mund të formohet një ekip futbolli.

Një krizë financiare, në fakt, mund të jetë kërcënimi kryesor që i afrohet Turqisë, por duke parë përpara ka të ngjarë që edhe në këtë event të fundit fatkeq, Erdogan do të ketë disa lepuj për të nxjerrë nga kapelja e tij. Në fund të fundit, ai mban çelësat e një pjese të furnizimeve energjetike të Evropës.

Pra pyetja kryesore mbetet: A do t'i mbijetojë Erdoganizmi, Erdoganit? /Përshtati “Pamfleti” nga “Inside Over”

Lini një Përgjigje