
Më shumë se gjashtë javë pasi Moska u tërhoq nga marrëveshja e drithit, presidenti rus, Vladimir Putin do të presë homologun turk Rexhep Tajip Erdogan për bisedime të hënën.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se presidentët Putin dhe Erdogan do të takohen të hënën në vendpushimin rus në Detin e Zi, Soçi.
Njoftimi u dha fund javëve të tëra spekulimesh se kur dhe ku mund të takoheshin dy udhëheqësit, ndërsa vazhdojnë përpjekjet ndërkombëtare për të ripërtërirë marrëveshjen që bën të mundur dërgimin e drithërave dhe ushqimeve të tjera në pjesë të Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Azisë, ku po shtohet rreziku i përhapjes së urisë.
Ukraina dhe Rusia janë të dyja furnizuese kryesore globale të grurit, elbit, vajit të lulediellit dhe mallrave të tjera tek të cilat mbështeten vendet në zhvillim.
Turqia, së bashku me Kombet e Bashkuara, ndërmjetësuan marrëveshjen e korrikut të vitit 2022, e cila i dha mundësinë Ukrainës të rifillonte transportin e produkteve ushqimore nga tre porte të Detit të Zi.
Bazuar në këtë marrëveshje, inspektimet e anijeve dhe ngarkesave u mbikëqyrën nga Turqia. Ukraina eksportoi pothuajse 33,000 tonë drithë ndërsa marrëveshja ishte në fuqi.
Roli i Ankarasë ishte kyç. Turqia është një nga partnerët kryesorë tregtarë të Rusisë dhe një qendër logjistike për tregtinë e jashtme të Rusisë mes sanksioneve perëndimore.
Në një tjetër memorandum, për të cilin u ra dakord në të njëjtën kohë me nismën e Ukrainës, Rusia dhe Kombet e Bashkuara u zotuan për të ndihmuar në tejkalimin e pengesave ndaj eksporteve ruse të ushqimit dhe plehrave, për shkak të luftës. Zyrtarët rusë kërcënuan vazhdimisht se do të tërhiqeshin nga marrëveshjet dhe e bënë këtë në korrik, me pretendimin e mospërmbushjes së kushteve të memorandumit.
Rusia është ankuar se kufizimet në transport kanë penguar eksportet e saj bujqësore, por ajo ka eksportuar sasi rekord gruri që nga viti i kaluar.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres i dërgoi Rusisë një propozim të ri me shpresën për të rikthyer marrëveshjen, por ai nuk i plotësoi kërkesat e Moskës, tha të enjten ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov ndërsa priti homologun e tij turk, Hakan Fidan.
Zoti Lavrov tha se i kishte dhënë qeverisë turke një listë me veprimet që duhet të ndërmarrë Perëndimi në mënyrë që të rifillojnë eksportet e Ukrainës në Detin e Zi të. Bisedimet e planifikuara ndërmjet presidentëve Putin dhe Erdogan mund të ndihmojnë në zhbllokimin e marrëveshjes.
Lini një Përgjigje