
Një shkumës në tokë u bë simbol proteste: Si një adoleshent ndezi "Revolucionin e Nëntorit"
Në trotuarin pranë një gjimnazi në Sllovakinë lindore, u shfaqën dy mesazhe të thjeshta me shkumës: “Mjaft më me Ficon”, dhe një tjetër që ironizonte kryeministrin për marrëdhënien e tij me Vladimir Putinin.
Mesazhet u shkruan vetëm pak orë para vizitës së Ficos në atë shkollë për të mbajtur një leksion mbi politikën e jashtme të vendit. Reagimi ishte i menjëhershëm: Fico e shtyu vizitën, ndërsa komentet me shkumës nisën të përhapeshin nëpër qytete e fshatra në të gjithë Sllovakinë. Media e quajti këtë lëvizje "Revolucioni i Shkumësit" ose "Vala e Nëntorit me Shkumës".
Ishte një ide spontane nga Michal, 19 vjeç, i njohur si “Muro”, i cili pasi mësoi për ardhjen e Ficos në shkollën e tij në qytetin Poprad, vendosi të shprehë pakënaqësinë në mënyrën më paqësore, me shkumës në tokë. Për vite me radhë ai kishte ndjekur me zhgënjim politikat pro-ruse të Ficos, korrupsionin në rritje, krizën e jetesës dhe mungesën e investimeve në shëndetësi e arsim. Ndaj vendosi të bëjë diçka.
“E dija që nuk do të ndryshoja botën, por nuk e prisja të kthehej në një lëvizje. Mesa duket, nuk jam i vetmi që mendoj kështu”, tha ai.
Pas shtyrjes së vizitës nga Fico dhe marrjes në pyetje nga policia (pa ndonjë akuzë), mesazhet me shkumës shpërthyen në gjithë vendin. Studentët nisën të postonin në rrjete sociale, e shumë qytetarë i ndoqën pas. Lëvizja kulmoi në prag të përvjetorit të Revolucionit të Kadifenjtë të vitit 1989, që i dha fund komunizmit në Çekosllovaki.
Në atë moment simbolik, mijëra njerëz dolën në sheshe, të shqetësuar për rrëshqitjen e demokracisë dhe kthimin e autoritarizmit. "Fico sulmon institucionet e pavarura, mediat, kulturën... si dikur komunistët,” deklaroi kreu i opozitës, Jaroslav Naď, në një tubim.
Edhe Muro u ftua të flasë në një protestë në Bratislavë: “Thashë që njerëzit duhet të kuptojnë se për çfarë po votojnë. Kemi ikur nga e kaluara që mezi e lamë pas 40 vitesh, dhe tani e presim me krahë hapur sërish.”
Me ardhjen e dimrit dhe dëborës, mesazhet me shkumës janë pakësuar, por jo edhe shpresa e Muro-s për një ringritje. “Mesazhi duhet të thuhet sërish, por në momentin e duhur – si në zgjedhjet e ardhshme në 2027”, shprehet ai.
Protestat kanë vazhduar, përfshirë edhe një grup studentësh që u larguan nga salla kur Fico erdhi sërish në Poprad për ligjëratën e shtyrë. Ndërkohë, Muro është përballur edhe me sulme personale dhe akuza nga figura të pushtetit që e kanë krahasuar me atentatorin ndaj Ficos vitin e kaluar, një paralelizëm i pavend dhe i rrezikshëm, siç thotë ai vetë.
Për të, shkumësi është mjeti perfekt: “Është një formë proteste qytetare, e qartë, e fortë, por edhe aq e butë sa të mos të fusë në burg. Dhe, mbi të gjitha, të gjithë mund ta përdorin”. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Guardian”
Lini një Përgjigje