TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Dhjetor 2025, 19:50

Luks, mashtrim dhe vdekje / Historia e errët pas “Hermès”, si u kthye një trashëgimi luksoze në 'skandalin e shekullit'

Shkruar nga Pamfleti

Luks, mashtrim dhe vdekje / Historia e errët pas

Hermès, familja dhe pasuria e humbur: Një histori tradhtie, gjyqi dhe miliarda eurosh...

Një nga skandalet më të mëdha financiare që ka tronditur botën e luksit është zhvilluar larg syve të publikut, mes alpeve zvicerane, zyrave bankare të Gjenevës dhe qendrës prestigjioze të modës në Paris. Në qendër të kësaj historie është Nicolas Puech, një trashëgimtar i familjes Hermès, i cili dikur zotëronte rreth 6% të aksioneve të kompanisë, të vlerësuara sot mbi 13 miliardë euro.

Në shtator të vitit 2022, gjatë një mbledhjeje të fondacionit të tij bamirës Isocrates, të mbajtur në Firence, gjithçka dukej e qetë dhe luksoze. Por pas kthimit në Zvicër, Puech pushoi nga puna bankierin e tij prej 24 vitesh, Eric Freymond, duke e akuzuar për “mashtrim të përmasave masive”. Sipas padisë së ngritur në Gjenevë, Puech kishte zbuluar se aksionet e tij të Hermès-it ishin zhdukur dhe nuk figuronin në asnjë nga bankat ku ai mendonte se i kishte depozituar.

Besimi që u kthye në katastrofë

Freymond, një figurë e njohur në elitën e financës zvicerane, kishte fituar besimin e plotë të Puech-it që në vitin 1998, duke marrë autorizime të plota për të menaxhuar pasurinë e tij. Sipas dokumenteve të gjykatës, Puech nënshkruante dokumente pa i lexuar, nuk kontrollonte llogaritë dhe nuk kishte dijeni të saktë për asetet e tij. Ajo që filloi si miqësi u kthye në një marrëdhënie që shumë e përshkruajnë si manipulim të thellë.

Në vitin 2023, Puech nisi një betejë ligjore për të rikuperuar aksionet. Por në mënyrë tronditëse, më 7 korrik, Eric Freymond doli përpara magjistratëve francezë për të dëshmuar, dhe vetëm disa javë më pas, më 23 korrik, ai u gjet i vdekur, pasi ishte përplasur nga një tren pranë chalet-it të tij në Gstaad. Avokati i tij konfirmoi se kishte kryer vetëvrasje, vetëm dy ditë pas ditëlindjes së tij të 67-të.

Ku janë aksionet e Hermès-it?

Për dekada me radhë, aksionet e Hermès-it në emër të Puech-it janë konsideruar si një nga pjesët më të rëndësishme të strukturës aksionare të kompanisë, e cila është mbi 65% në pronësi të familjes. Megjithatë, që nga viti 2015, Hermès nuk e përmend më aksionin e tij në raportet vjetore, një sinjal se kompania ka dyshime serioze që ai nuk i zotëron më ato.

Për më tepër, Puech kishte deklaruar në të kaluarën se do t’i linte aksionet fondacionit bamirës Isocrates, por më pas ndryshoi mendje, duke kërkuar që t’ia kalonte kujdestarit të tij personal Jadil Butrak, një maroken që e kishte ndihmuar për vite me radhë. Madje u përfol edhe për një tentativë për birësim, për ta bërë trashëgimtar zyrtar.

Luks, mashtrim dhe vdekje / Historia e errët pas

Në një tjetër kthesë të çuditshme, në vitin 2023, avokatë të lidhur me Freymond tentuan t’i shisnin aksionet tek familja mbretërore e Katarit, në një marrëveshje që përfundoi në gjyq në Uashington. Por kur erdhi momenti i dorëzimit, pala katariote u njoftua se aksionet “nuk mund të gjendeshin”. Në mungesë të dokumentacionit dhe aksioneve fizike, pala blerëse kërkoi 1.3 miliardë dollarë dëmshpërblim.

Lufta për trashëgiminë e luksit francez

Hermès është një nga markat më të fuqishme të luksit në botë. Produktet si çantat Birkin, të cilat kushtojnë mbi 10 mijë euro, janë kthyer në simbole të pasurisë ekstreme dhe stabilitetit të përhershëm. Por siç tregon kjo histori, edhe brenda këtij universi luksoz, fshihen përçarje familjare, lojëra të fshehta dhe tradhti të mëdha.

Puech, një njeri i rezervuar dhe i tërhequr nga jeta publike, duket se ishte shndërruar në viktimë të një rrjeti të ndërlikuar marrëdhëniesh dhe manipulimesh financiare. Por skandali nuk është vetëm personal. Ai ka ngritur pikëpyetje serioze për strukturën e pronësisë dhe qartësinë e informimit në një nga markat më të fuqishme publike në Francë.

Sot, ndërsa familja Hermès, kompania dhe institucionet financiare përpiqen të zgjidhin këtë ngërç, pyetja themelore mbetet: ku ndodhen 6 milionë aksionet e humbura të Hermès-it? /Marrë me shkurtime nga “The Economist”

Lini një Përgjigje