TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Mars 2025, 21:00

“Reuters”: Pakti mes SHBA dhe Ukrainës firmoset sot, Trump do ta shpallë gjatë fjalimit në Kongres

Shkruar nga Pamfleti
“Reuters”: Pakti mes SHBA dhe Ukrainës firmoset sot, Trump do

Trump kërkon të firmosë paktin para fjalimit (21.00 me orën lokale) në Kongres...

Zhvillime të bujshme vijnë nga SHBA. Sipas “Reuters”, Donald Trump po tenton të firmosë sot marrëveshjen me Ukrainën për mineralet.

Presidenti u ka thënë këshilltarëve të tij se dëshiron të shpallë marrëveshjen në fjalimin që do të mbajë në Kongres sot në mbrëmje (ora 21.00 me orën lokale), thanë tre burime të “Reuters”, duke paralajmëruar se marrëveshja nuk ishte nënshkruar ende dhe situata mund të ndryshojë.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Po ashtu, administrata e presidencës ukrainase në Kiev dhe ambasada e Ukrainës në Uashington nuk patën asnjë koment.

Marrëveshja u pezullua të premten pas një takimi të tensionuar në Zyrën Ovale midis Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy, që rezultoi në largimin e shpejtë të liderit ukrainas nga Shtëpia e Bardhë.

Sot Zelensky deklaroi se është gati të firmosë dhe duket se diçka po gatuhet në prapaskenë. Ndërkohë nuk e dimë se kush janë palët që do të firmosin, do jetë dikush nga ambasada apo mos vallë Zelensky është nisur drejt SHBA-së?

Më herët Zelensky shkruante në X se takimi me Donald Trump javën e kaluar ishte katastrofik dhe "nuk shkoi ashtu siç duhej". Po ashtu sipas tij, “është për të ardhur keq që ndodhi në këtë mënyrë".

Presidenti ukrainas shkruan se do të donte të "përsëriste angazhimin e Ukrainës për paqen", teksa shton se Kievi është "gati të vijë në tryezën e bisedimeve sa më shpejt të jetë e mundur".

Ai tha se është gati të nënshkruajë një marrëveshje mbi mineralet dhe sigurinë me SHBA-në "në çdo kohë".

"Ne e shohim këtë marrëveshje si një hap drejt një sigurie më të madhe dhe garancive të qëndrueshme të sigurisë dhe shpresoj me të vërtetë se do të funksionojë në mënyrë efektive", shtoi ai.

Zelensky theksoi gjithashtu se sa mirënjohës ishin ai dhe ukrainasit për ndihmën e SHBA-së - gjatë takimit ku Trump dhe zëvendëspresidenti i tij JD Vance sulmuan Zelenskyn për atë që ata e perceptuan si mirënjohje të pamjaftueshme për ndihmën ushtarake të SHBA dhe ndihmën tjetër. /Pamfleti

Lini një Përgjigje