TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Qershor 2024, 14:52

Rasti Meloni tregon se pushteti i moderon dhe normalizon partitë e ekstremit të djathtë

Shkruar nga Pamfleti
Rasti Meloni tregon se pushteti i moderon dhe normalizon partitë e
Giorgia Meloni

E djathta politike doli shumë mirë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, por ajo është e përçarë, sidomos midis konservatorëve të moderuar pro-biznesit, dhe nacionalistëve me prirje autoritare. Pak politikanë e kanë arritur ende trukun e Melonit, për të pasur mbështetjen e dy grupeve të votuesve.

Pak ditë më parë, kryeministrja e krahut të djathtë në Itali, Giorgia Meloni, po bënte fushatë për të mbledhur vota me një profil modest. Tani ajo është ngjitur në majën e elitës globale:po pret presidentin amerikan Joe Biden dhe liderë të tjerë të Grupit të Shtatë ekonomive kryesore të përparuara në një samit që mbahet në Italinë e Jugut.

Paraqitja shumë e mirë e Melonit në zgjedhjet e së dielës për Parlamentin Evropian, e ka konfirmuar atë si një nga ndërmjetësuesit më të fuqishëm në Evropë, dhe si dukurinë më të rrallë në Romë:drejtuesen e një qeverie të qëndrueshme.

“Jam krenare që ky komb do të prezantohet në G-7 dhe në Evropë me qeverinë më të fortë nga të gjitha”- u tha Meloni mbështetësve të partisë së saj Vëllezërit e Italisë të dielën në mbrëmje, duke e vënë në dukje këtë risi. Sepse italianët janë mësuar që qeveritë e tyre të ndërrohen gati çdo vit.

Ngritja e madhe vitet e fundit, i detyrohet shumë aftësisë së saj për ta kënaqur bazën e ekstremit të djathtë të partisë së saj në lidhje me çështjet themelore si migracioni dhe martesa midis homoseksualëve, ndërsa i siguron votuesit e qendrës së djathtë se janë në duar të sigurta, përfshirë menaxhimin e financave të brishta të Italisë.

Qasja e saj hibride midis luftës kulturore të krahut të djathtë dhe politikave të jashtme dhe ekonomike miqësore ndaj establishmentit, mund të bëhet një model për partitë e tjera të ekstremit të djathtë në Evropë që synojnë të fitojnë pushtet dhe një pranim më të gjerë. Samiti i G-7, që nis të enjten në një resort luksoz në rajonin jugor të Pulias, i jep Melonit 3 ditë në qendër të vëmendjes globale, për të projektuar anën më të butë të personalitetit të saj politik:atë të një shtetari të respektuar, që negocion me aleatët për tregtinë globale dhe gjeopolitikën.

E djathta politike doli shumë mirë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, por ajo është e përçarë, sidomos midis konservatorëve të moderuar pro-biznesit, dhe nacionalistëve me prirje autoritare. Pak politikanë e kanë arritur ende trukun e Melonit, për të pasur mbështetjen e dy grupeve të votuesve.

“Ajo e ka pozicionuar veten me shumë zgjuarsi si e djathta radikale e respektuar, dhe si dikush me të cilin Evropa dhe SHBA-ja mund të bëjnë biznes”-thotë Daniele Albertazzi, politolog në Universitetin Sarrej, Britania e Madhe. Ajo është shkëputur nga admirimi tradicional i së djathtës ekstreme evropiane për Vladimir Putin, duke u bërë avokate e sanksioneve kundër Rusisë dhe e ndihmës perëndimore për Ukrainën.

Ndërsa populistët e tjerë të krahut të djathtë e kundërshtojnë Bashkimin Evropian dhe monedhën e tij, euron, Meloni ka përqafuar institucionet e BE-së, dhe është përpjekur të ndryshojë politikat nga brenda, përfshirë qasjen ndaj migracionit. Gjatë fushatës zgjedhore evropiane, ajo shfaqi stilin e ashpër që e elektrizon.

Duke takuar një kundërshtar të qendrës së majtë, që dikur e etiketoi si “bushtër”, ajo u prezantua duke përdorur pikërisht atë epitet:”Unë jam ajo bushtra Meloni. Si jeni?”. Videoja u bë virale në rrjetet sociale. Tubimi i saj kryesor në Piazza del Popolo të Romës, e riprodhoi atë video nën brohoritjet e 20.000 mbështetësve.

Gjatë fjalimit të saj, Meloni u zotua të ngrihej mbi të majtën dhe fyerjet e saj. “Ne jemi të gjithë bushtra!”, shkruhej në pankartën e një mbështetësi. Mesazhi i saj është “Unë jam ende Giorgia, dhe jam thjesht një nga ju!”. “ Ajo flet si një grua që mund ta takoni në supermarketin e lagjes. Përdor një retorikë tradicionale populiste”- thekson Albertazzi.

Shumë nga udhëheqësit e tjerë të G-7 kanë shumë probleme në vendet e tyre. Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak pritet të mposhtet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen në fillim të korrikut. Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz, pësuan humbje të rënda në zgjedhjet evropiane. Ndërkohë në SHBA, Biden po përballet me një garë zgjedhore të ngushtë kundër Donald Trump.

Votuesit po i penalizojnë qeveritarët në shumicën e vendeve të Evropës, por jo në Itali, vuri në dukje Meloni të hënën në një intervistë për televizionin shtetëror italian RAI. “Në mesin e në kaosit dhe pasigurisë, Italia mund të jetë një spirancë”- tha ajo. Partia e saj Fratelli D’Italia fitoi 29 për qind të votave të dielën e shkuar.

Ishte rezultati më i mirë i saj në një votim mbarëkombëtar, teksa aleanca e qendrës së djathtë e Melonit arriti të marrë 47 për qind të votave. Që të dyja shënuan përmirësim në raport me zgjedhjet kombëtare të Italisë në shtatorin e vitit 2022, kur Meloni mori detyrën e kryeministrit.

Në zgjedhjet e mëparshme parlamentare në Italisë në vitin 2018, FdI ishin ende një lojtar politik periferik, duke marrë pak më shumë se 4 për qind të votave. Koalicioni i Melonit ka përfituar nga të qenit relativisht i bashkuar, në krahasim me opozitën e ndarë të qendrës së majtë të Italisë.

Italia është udhëhequr nga qendra e djathtë për pjesën më të madhe të historisë së saj që nga Lufta e Dytë Botërore, shpesh në qeveri koalicioni shumë të brishta, të mbajtura në këmbë kryesisht nga opozita e përbashkët ndaj komunizmit.

Por që nga epoka e Silvio Berlusconit, që e dominoi jetën politike për pjesën më të madhe të viteve 1990-2000, të djathtës italiane i mungonte një udhëheqësi që mund të ndërtonte një koalicion mjaftueshëm të gjerë për të qeverisur. “Ishte intuita e Berlusconit, që pa mundësinë e krijimit të një aleance, duke filluar nga qendra e moderuar e të djathtës deri tek post-fashistët”-thotë Lorenzo Pregliasco, ekspert i sondazheve, dhe drejtues i kompanisë konsulente politike Quorum, me seli në Torino.

Meloni ka marrë tendën e madhe të Berlusconit, thekson Pregliasco. “Me gjithë rezervat ndërkombëtare ndaj saj, ajo përfaqëson një lloj lidershipi të zakonshëm, jo ​​shumë të ndryshëm nga një kryeministre tipike e qendrës së djathtë në Itali”- nënvizon eksperti.

Po ashtu, Meloni ka ndjekur në përgjithësi politika të ngjashme me Berlusconin, të përqendruara tek ulja e taksave mbi të ardhurat dhe përfitimeve të mirëqenies sociale, por pa nxitur një rritje ekonomike të madhe.

Ironikisht, mbështetja ndaj Melonit mbetet e qëndrueshme, edhe pse votuesit mendojnë se ajo është shfaqur e dobët në lidhje me kauzën kryesore me të cilën erdhi në pushtet: kontrollin e migracionit të paligjshëm. Ajo premtoi se do t’i ndalojë emigrantët të kalojnë Mesdheun nga Afrika e Veriut, por e ka parë se s’ka ndonjë mënyrë të lehtë për ta bërë këtë.

Pjesa më e madhe e establishmentit politik të Evropës, e sheh ende me dyshim Melonin, veçanërisht ata në qendrën e majtë, për shkak të rrënjëve të saj ideologjike. Ajo ishte aktiviste e të rinjve në Lëvizjen Sociale Italiane, MSI, një parti e themeluar nga ish-anëtarë të regjimit fashist të Benito Mussolinit.

Ajo u ngjit në radhët e partive pasardhëse të MSI-së, duke themeluar Frateli D’Italia, e cila ka mbajtur simbolin e flakës së MSI-së në ngjyrat kombëtare të Italisë. Meloni thotë se fashizmi është një histori tashme, dhe se partia e saj është demokratike./ Përshtati "Pamfleti" Nga Marcus Walker “Wall Street Journal”

partite e ekstremit te djathte gieogia meloni

Lini një Përgjigje