
Diplomatët perëndimorë nuk e fshehin skepticizmin për një marrëveshje të mundshme me Putinin, ndërsa lufta ngec dhe humbjet ruse shtohen.
Zërat nga Uashingtoni flasin për “një përparim” nëse Donjecku do të kalohej nën kontroll rus, por një diplomat europian ka qenë i prerë: “T’ia japësh Putinit është si të presësh një gjymtyrë në këmbim të hiçit”.
Froni i ngrirë
Që prej prillit, kur Putin refuzoi të ndalonte luftime dhe kërkoi kontrollin total mbi Krimenë dhe katër rajonet lindore, Donjeck, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson, që s’i ka pushtuar kurrë plotësisht, pozicioni i tij ka ndryshuar disi. Por realiteti në terren mbetet i pandryshuar: as takimi në Alaskë mes Trump dhe Putinit në gusht, e as ai mes Zelenskyt dhe presidentit amerikan në shtator, nuk sollën ndryshime.
Pse duhet atëherë Ukraina të dorëzohet pas një dekade lufte? A është ky një akt racional apo thjesht një mashtrim i radhës i Putinit? Dhe çfarë paqeje mund të garantohet duke përmbushur kërkesat e Trump?
Ofensiva verore ruse dështoi
Ofensiva ruse e verës po shkon drejt fundit, pa arritur asnjë nga objektivat e shpallura. Pokrovsku, që është në rrezik prej më shumë se një viti, nuk ka rënë. Po ashtu, Kramatorsku, Kostjantynivka, Kupiansku dhe Chasiv Yari mbeten në duart e Kievit. Donjecku ka më shumë rusofilë se rajonet e tjera, por të flasësh rusisht nuk do të thotë të jesh pro-rus. Dhe kjo është një ndarje që Moska shpesh e injoron me qëllim.
Që nga janari, sipas Kievit, Rusia ka humbur 640.000 deri në 877.000 ushtarë, përfshirë 137.000 deri në 228.000 të vdekur. Në tetor, humbjet u rritën në 1.438.000, me deri në 480.000 të vdekur. Edhe nëse këto shifra janë të ekzagjeruara, asnjë përfitim territorial nuk justifikon këtë kosto.
Sipas The Economist, me ritmet aktuale, Rusisë do t’i duhen deri në qershorin e vitit 2030 për të marrë kontrollin e plotë të katër rajoneve që pretendon.
Një luftë e njerëzve dhe teknologjisë
Teknologjia me dronë dhe armë precize i ka ndryshuar rregullat e lojës, por mbetet një fakt: për të sulmuar, duhet trefishi i forcës së mbrojtësit. Edhe pse Rusia ka mësuar të përdorë njësi të vogla në “zonën e vdekjes”, për të mbajtur pozicionet i nevojiten njerëz dhe logjistikë.
Po, edhe Ukraina vuan nga lodhja dhe mungesa e rekrutëve, por edhe Rusia nuk është e paprekshme. Fillimisht, Moska ofroi bonuse të majme për të tërhequr rekrutë dhe tejkaloi Ukrainën me 10-15 mijë ushtarë në muaj. Por arkivolet dhe varret nuk fshihen kollaj. Dhe as me mercenarët nuk funksionon gjithçka: rasti Wagner dhe rebelimi i Prigozhinit e dëshmuan këtë. Edhe “Catarina e Madhe” do të detyrohej të hiqte dorë nga skllavëria për të mbajtur nën kontroll Kazakët.
Ekonomia si bumerang
Ekonomia ukrainase ka pësuar shumë nga raketat ruse, por ka reaguar me dronë të lirë dhe prodhim vendas. Rusia mbetet më e madhe ekonomikisht, por nuk është “tigër letre” siç e quajti Trump, as “lokomotivë” siç ia shiti Zelenskyt.
Pekini nuk është i garantuar si mbështetës. Forca industriale e Rusisë mbetet shumë e vogël përballë aleatëve të Ukrainës. Europa nuk dëshiron të luftojë, por nëse detyrohet, lufta hibride e Putinit mund t’i kthehet në bumerang. Edhe pa raketat Tomahawk. /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere della Sera”
Lini një Përgjigje