
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nga Konferenca e Sigurisë në Mynih, deklaroi se Ukraina nuk do të pranojë asnjë marrëveshje paqeje pa pjesëmarrjen e saj. Ai shtoi se Kievi do të refuzojë çdo lloj marrëveshjeje pas shpine.
“Ukraina nuk do të pranojë kurrë marrëveshjet e bëra pas shpine apo pa pjesëmarrjen tonë. Dhe i njëjti rregull duhet të zbatohet për të gjithë Evropën", tha Zelensky.
Ky mesazh u drejtohet në mënyrë të veçantë presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili ka shprehur interes për të negociuar me Rusinë për të ndaluar luftën. Zelensky theksoi se çdo marrëveshje pa pjesëmarrjen e Ukrainës është e papranueshme dhe këtë qëndrim e zgjeron për të gjithë Evropën.
Në fjalimin e tij, ai kërkoi gjithashtu që Evropa të ndërtojë ushtrinë e saj për të siguruar të ardhmen e saj dhe për të mos qenë më të varur nga aleatët amerikanë. Presidenti ukrainas paralajmëroi se Rusia mund të përpiqet të manipulojë negociatat për të fituar kohë dhe mundësinë të thellojë ndikimin e saj, ndërkohë që nënvizoi rrezikun që do të përballonin vendet evropiane nëse Moska do të ndërmerrte një sulm të hapur.
“Nëse kjo luftë (Ukrainë-Rusi) përfundon në mënyrën e gabuar, ai (Putini) do të ketë një tepricë të ushtarëve të testuar në betejë, të cilët nuk dinë gjë tjetër veçse të vrasin dhe plaçkisin”, tha presidenti i Ukrainës, duke cituar raportet e inteligjencës se Rusia do të dërgojë trupa në Bjellorusi verën e ardhshme.
“Dhe tani, ndërsa ne luftojmë këtë luftë dhe hedhim themelet për paqen dhe sigurinë, ne duhet të ndërtojmë Forcat e Armatosura të Evropës”, shtoi Volodymyr Zelensky.
Deklaratat e Zelenskyt u bëjnë thirrje liderëve evropianë të mendojnë më seriozisht për mbrojtjen e tyre dhe për të mos lejuar që konflikti me Rusinë të ndikojë negativisht në stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit.
Lini një Përgjigje