TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Shkurt 2025, 12:18

Krizat politike në Serbi dhe Kosovë po rrezikojnë destabilizimin e rajonit

Shkruar nga Mauro Indelicato
Krizat politike në Serbi dhe Kosovë po rrezikojnë destabilizimin
Albin Kurti dhe Alaksandar Vuçiç

Pavarësisht se ka kaluar më shumë se çerek shekulli që nga lufta e vitit 1999, çështjet e pazgjidhura përgjatë boshtit Beograd-Prishtinë janë ende aty për t’u zgjidhur.

Në Beograd një qeveri ka rënë nën presionin e protestave të mëdha e të pandalshme popullore. Ndërkohë në Prishtinë, qeveria e ka përfunduar mandatin dhe nuk është e sigurt nëse do të rikonfirmohet për të vazhduar qeverisjen e Kosovës.

Pra përgjatë aksit më të nxehtë ballkanik, ekziston aktualisht një fije e përbashkët e karakterizuar nga paqëndrueshmëria e brendshme. Kjo rrethanë,, ushqen frikën e tensioneve të reja mes dy palëve, të afta për të shndërruar destabilitetin e tyre të brendshëm në një destabilitet të ri rajonal.

Zgjedhjet në Kosovë

Tensionet politike në Serbi dhe Kosovë, kanë origjinë shumë të ndryshme. Nëse në Beograd po shohim protesta të gjera që janë në gjendje të destabilizojnë panoramën aktual politike, me kryeministrin Millosh Vuçeviç që u detyrua të japë dorëheqjen, në Prishtinë paqëndrueshmëria buron paradoksalisht nga stabiliteti i institucioneve demokratike.

Në fakt, Kuvendi i Kosovës e përfundoi në mënyrë të natyrshme e të plotë mandatin të tij 4-vjçar, pas së cilit votuesit u thirrën sërish në qendrat e votimit. Procesi e shpërbleu sërish kryeministrin në largim, ish-aktivistin Albin Kurti.

Me partinë e tij Vetëvendosja, kreu aktual i qeverisë kosovar mori 40 për qind të votave. “Një performancë e rëndësishme  - thotë analisti dhe studiuesi Francesco Trupia për InsideOver - sigurisht më e ulët se 50 përqindëshi i 2021-shit, por për këtë rënie duhet të merren parasysh shumë faktorë”.

Ndër këto janë vështirësitë e hasura në vitet e fundit nga Prishtina dhe presioni ndërkombëtar i ushtruar nga parti të ndryshme ndaj qeverisë. Megjithatë, numri i deputetëve të mbledhur nga Vetëvendosje, nuk e lejon Kurtin që të ketë shumicën absolute.

Prandaj do të jenë të nevojshme aleancat, por gjatë fushatës zgjedhore vetë kryeministri Kurti i përjashtoi ato. Ndaj tani lind pyetja: Si do të formohet një qeveri e re në një kohë të shkurtër?

Frika nga paqëndrueshmëria rajonale

Pavarësisht se ka kaluar më shumë se çerek shekulli që nga lufta e vitit 1999, çështjet e pazgjidhura përgjatë boshtit Beograd-Prishtinë janë ende aty për t’u zgjidhur. Serbia nuk e ka njohur asnjëherë pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008.

Madje edhe sot ka mosmarrëveshje territoriale dhe çështje të pazgjidhura lidhur me praninë e minoritetit serb në territorin e Kosovës. Nëse nuk ka qeveri në të dy kryeqytetet, dhe si në rastin e Serbisë, mungon qetësia e brendshme në shoqëri dhe opinion publik, atëherë nuk ka gjasa që të arrihet një zgjidhje në një periudhë afatshkurtër.

Ky është elementi i parë, për shkak të së cilit situata aktuale, rrezikon të ndezë vatra të reja tensioni. Në një fazë të tillë, ku si në Serbi ashtu edhe në Kosovë disa parti politike po kërkojnë legjitimitet popullor, mund të përdoret çdo lloj shkëndije si një pretekst për të ndezur zjarrin e konfliktit.

Pastaj ekziston edhe një element tjetër që duhet marrë parasysh, dhe që ka të bëjë me natyrën e protestave në Beograd. Ata që po protestojnë kundër Aleksandar Vuçiç - thekson Francesco Trupia - nuk po kërkojnë marrëveshje me Prishtinën dhe normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.

Përkundrazi, shpesh shihen protestues që shfaqin flamuj kosovarë me simbole serbe. Në anën tjetër të kufirit, kryeministri Albin Kurti është ngjitur në radhët e politikës lokale edhe falë fjalimeve, që kanë të bëjnë me vetëvendosjen dhe integritetin territorial të Kosovës.

Në këtë kontekst, nuk ka gjasa që në një periudhë afatshkurtër të rifillojnë negociatat serioze mes dy palëve. Ndërkohë Ballkani po pret të mësojë se çfarë do të bëjë presidenti i ri i SHBA-së Donald Trump, jo dhe aq i bindur për të vazhduar praninë  amerikane në misionin ndërkombëtar paqeruajtës në Kosovë./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Inside Over”

konflikti kosove-serbi

Lini një Përgjigje