
Kushtet për kthimin e statizmin e militarizuar e të mobilizuar fashist apo komunist nuk ekzistojnë. Më shumë gjasa, do kemi një oligarki të papërgjegjshme dhe korrupsion universal, të cilin më pëlqen ta etiketoj si mafiakraci.
Po shohim edhe në Perëndim rritjen e ekonomisë së sekserëve...
Nëse makthi i antikomunistëve gjatë Luftës së Ftohtë, ishte një e ardhme e pafundme e terrorit totalitar, makthi i kritikëve të sotëm të liberalizmit është një e ardhme e pafund e trazirave të vazhdueshme sociale dhe e përçarjes së shoqërive si rezultat i tregjeve të pakontrolluara dhe individualizmit radikal.
Por ajo që shumë kritikë por edhe mbrojtës të liberalizmit priren të anashkalojnë, është mundësia që liberalizmi - në ekonomi, në politikë dhe në kulturë - të jetë i paqëndrueshëm dhe vetë-asgjësues. Ose për ta thënë ndryshe, një rend shoqëror liberal priret të jetë një tranzicion kalimtar midis një sistemi apo regjimi joliberal dhe një tjetri.
Ideali i shumicës së liberalëve bashkëkohorë, është një vizion i shoqërisë si tre tregje vetë-korrigjuese: një treg ekonomik, një treg politik dhe një treg kulturor. Në secilin prej këtyre tre tregjeve, supozohet të besojmë se gjendja normale është konkurrenca e shëndetshme mes një shumice rivalësh.
Në një ekonomi tregu, konkurrenca e pengon formimin e monopoleve ekonomike; çdo kompani që fiton përkohësisht një pjesë dominuese të tregut, do të zvogëlohet në mënyrë të pashmangshme nga konkurrentët ekzistues ose të rinj.
Në tregun politik demokratik, partitë do të fitojnë vetëm një shumicë kalimtare, dhe herët a vonë do të mposhten nga kundërshtarët e tyre. Në fushën e kulturës dhe ideve, debati dhe kontestimi i lirë do të sigurojnë që të mos mund të imponohet asnjë mori idesh totalitare.
Pra liberalizmi pretendon se shoqëria mund të mbahet fluide dhe dinamike, duke mos e ndalur asnjëherë konkurrencën për konsumatorët, votuesit dhe audiencën për ide dhe art. Për sa kohë që ka konkurrencë të lirë dhe të ndershme në tregti, monopolet nuk do të shfaqen.
Për sa kohë ka konkurrencë të lirë dhe të ndershme në politikë, sundimi njëpartiak nuk përbën rrezik. Dhe për sa kohë që ka konkurrencë të lirë dhe të ndershme në jetën akademike dhe industrinë e medias, ne s’duhet të kemi frikë se mos ndonjë fraksion i vetëm me një këndvështrim totalitar do të kapë arsimin dhe gazetarinë.
Supozimi bazë i liberalizmit, është se konkurrenca i eliminon pak a shumë natyrshëm dhe automatikisht përqendrimet e pushtetit, fuqinë e tregut, atë politik dhe kulturor. Por besimi se konkurrenca dhe përqendrimi i pushteteve janë të papajtueshme, po hidhet poshtë nga përvoja aktuale. Le ta analizën fillojmë me tregun ekonomik. Në botën reale, nuk mund të ekzistojnë tregjet plotësisht konkurruese, sepse konkurrenca e përsosur, do të ulte së shpejti fitimet derisa ato të jenë të njëjta me kostot.
Në një treg krejtësisht konkurrues, asnjë kompani nuk do të ishte në gjendje të ushtronte fuqinë e saj në treg për të fituar, dhe kësisoj nuk mund të ekzistonte kapitalizmi. Për më tepër, në disa lloje industrish, konkurrenca nuk është frenuese e monopolit, por tenton që ta prodhojë këtë të fundit.
Çdo raund i konkurrencës prodhon rivalë gjithnjë e më të mëdhenj, derisa në fund, në mungesë të ndërhyrjes së autoriteteve shtetërore anti-trust ose konkurrencës, kompania më e suksesshme krijon një monopol ose thuajse monopol në fushën e saj.
Dhe një kompani monopoliste nuk ka pse të mashtrojë. Mjafton të jetë pak më efikase ose pak më miqësore se rivali, dhe ky avantazh i vogël kompromentohet me shpejtësi. Rreth vitit 1900, në SHBA kishte dhjetëra kompani të reja automobilistike. Në vitet 1920, rreth 12, dhe nga vitet 1950, Detroiti dominohej nga vetëm 3 kompani të mëdha. I njëjti proces eliminimi, pas revolucionit të mëvonshëm të teknologjisë dixhitale, eliminoi rivalët si Dogpile dhe Inktomi për t’i dhënë Google gati një monopol në industrinë e motorëve të kërkimit dhe Microsoft një pozitë dominuese në fushën e softuerëve.
Falë avantazheve të përmasave dhe pas pakësimit të rregulloreve në tregjeve financiare në SHBA, shumë banka të vogla, shtetërore dhe lokale janë zhdukur dhe kjo ka prodhuar përqendrim masiv në industrinë financiare. E njëjta histori është edhe në tregun e politikës elektorale.
Të ashtuquajturat sisteme partiake dominuese, në të cilat një parti e vetme ose koalicion partish e ruan shumicën për periudha të gjata pa masa autoritare, kanë qenë të zakonshme në vendet demokratike. Partitë si Partia Demokratike e New Deal në SHBA, socialdemokratët suedezë, kristiandemokratët Italianë dhe Partia Liberal Demokratike në Japoni, kanë dominuar për dekada në qeverisje.
Edhe sot në SHBA, çdo qytet i madh dhe qytet universitar drejtohet nga Partia Demokratike. Dhe të njëjtin model të monopolit dhe monokulturës e gjejmë në universitete dhe mediat tradicionale.
Në vend se të organizojnë debate të forta midis mendimtarëve që përfaqësojnë të gjitha nuancat e opinionit politik të zakonshëm, universitetet amerikane e kanë çimentuar monokulturën, në të cilat mbi 90 për qind e profesorëve e përshkruajnë veten si demokratë me prirje të majtë.
Por asnjëra nga këto nuk duhet të na habisë, nëse e pranojmë se konkurrenca prodhon fitues, dhe monopoli i tregtisë, pushtetit apo ndikimit i forcon më pas ata kundër sfiduesve. Marksistët e kishin gabim për shumë gjëra, por kishin të drejtë kur thoshin që në shumë industri moderne kapitalizmi konkurrues tenton t’i lërë vendin kapitalizmit të monopoleve.
Dhe siç e kemi parë, kjo është e vërtetë edhe për konkurrencën politike por edhe atë konkurrencën kulturore e intelektuale. Jo vetëm që fituesit marrin gjithçka, por ata mund t’i mbajnë të gjitha. Sigurisht jo përgjithmonë, por për një kohë shumë të gjatë.
Ndaj gabimi i liberalëve, është se harxhojnë energji në gara të pafundme në politikë, tregje dhe kulturë. Por garat marrin fund në një moment, dhe ato shpërblejnë fituesit dhe penalizojnë humbësit. Meritokracia krijon aristokraci, në të cilën fituesit e manipulojnë më pas konkurrencën për të përfituar pasardhësit e tyre.
Tregjet e lira krijojnë monopole dhe oligopole, të cilat më pas izolohen nga fuqia e tyre e tregut dhe nga konkurrentët. Gara e ideve në universitete dhe media, nxjerr fitues ata që më pas e mbyllin garën dhe ndalojnë çdo ide tjetër përveç të tyren.
Si kampionët ashtu edhe shumë kritikë të liberalizmit, e trajtojnë liberalizmin si një rend shoqëror ndoshta të përhershëm, në vend se ta shohin si një tranzicion midis llojeve të ndryshme të regjimeve jo liberale afatgjatë. Po çfarë lloj regjimi jo liberal mund ta pasojë liberalizmin në Perëndim?
Kushtet për kthimin e statizmin e militarizuar e të mobilizuar fashist apo komunist nuk ekzistojnë. Më shumë gjasa, do kemi një oligarki të papërgjegjshme dhe korrupsion universal, të cilin më pëlqen ta etiketoj si mafiakraci.
Pavarësisht dallimeve midis tyre, komunizmi dhe liberalizmi kanë tendencën të dobësojnë institucionet dhe komunitetet e ndërmjetme që nuk kontrollohen nga elitat dhe i ndajnë dhe izolojnë individët. Dobësimi i pushtetit shtetëror komunist në Evropën Lindore dhe Rusi, nuk prodhoi një rilindjeje të institucioneve shoqërore dhe qytetare, por një lloj mafiakracie.
Zëvendësimi i konkurrencës së tregut me fuqinë e tregut, mund të prodhojë një rezultat të ngjashëm në Perëndim, pasi liberalizmi të pasohet nga diçka jo liberale. Regjimi do të ishte një rend post-liberal, por si ai që ka të ngjarë ta miratojnë mendimtarët e sotëm post-liberalë.
Unë kam përdorur termin “brazilianizim” për të përshkruar një të ardhme në vendet industriale të Hemisferës Veriore të karakterizuar nga oligarkia, pabarazia, korrupsioni i përhapur dhe ecuria e dobët ekonomike. Pra mendoj se pasojat e liberalizmit në Perëndim, ka më shumë gjasa t’i ngjajnë krizës aktuale në Amerikën Latine sesa totalitarizmit të Evropës Qendrore të një shekulli më parë.
Në shumë shoqëri jofunksionale, mallrat bazë mund të blihen vetëm përmes mjeteve informale, si ryshfetet ose blerjet në tregun e zi. Edhe të pasurit dhe të fuqishmit detyrohen të paguajnë nën dorë. Një nga tiparet shoqërore në regjime të tilla është sekseri.
Shembulli klasik në SHBA, është njohja e dikujt që njeh dikë në bashki dhe që mund t’iu zgjidhë punë. Në shoqëritë ku janë dobësuar organizatat e ndërmjetme dhe etika qytetare, duhet të njihni dikë që njeh dikë për të bërë gjithçka, për një çmim të caktuar.
Ne po shohim rritjen e ekonomisë së sekserëve edhe në Perëndim e supozuar liberal. Gjithnjë e më shumë mallra dhe shërbimet publike në treg, që dikur u ofroheshin të gjithë klientëve ose qytetarëve, tani kërkojnë tarifa shtesë.
Në Shtetet e Bashkuara, për një pagesë shtesë, mund të udhëtoni në korsinë e veçantë në autostradë, të kaloni më shpejt në sportelet e aeroportit dhe të shkoni tek mjeku javën e ardhshme dhe jo muajin apo vitin e ardhshëm./ Përshtati "Pamfleti" Nga “The Spectator”
Lini një Përgjigje