
Kryediplomati i BE-së Josep Borrell, ka akuzuar presidentin rus Vladimir Putin se po luan “bixhoz bërthamor” pasi ai vendosi të ulte zyrtarisht pragun për përdorimin e armëve të saj bërthamore.
Lëvizja e Putinit erdhi pas vendimit të presidentit amerikan Joe Biden, i cili lejoi Ukrainën të godasë objektivat brenda territorit rus me raketa me rreze më të gjatë të furnizuar nga Amerika.
Borrell u shpreh se BE-ja duhet të vazhdojë mbështetjen e saj për Ukrainën përndryshe ajo do të detyrohet të paguajë një çmim shumë më të lartë në të ardhmen.
“Ne nuk jemi pjesë e kësaj lufte, ne thjesht po mbështesim Ukrainën me aftësi ushtarake”, deklaroi Borrell në një konferencë pas një takimi të ministrave të Mbrojtjes të bllokut në Bruksel.
Sipas tij, në takim u tregua se ekziston ende një “shumicë e madhe” në BE e gatshme të vazhdojë të mbështesë Ukrainën. Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën, ndërsa Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Lini një Përgjigje