TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Mars 2025, 13:57

Putin po ble kohë nga Trump, nuk do të heqë dorë nga synimet e tij djallëzore!

Shkruar nga Katie Stallard
Putin po ble kohë nga Trump, nuk do të heqë dorë nga synimet
Vladimir Putin

Me një Perëndim të përçarë dhe president amerikan të manovrueshëm, ai nuk sheh asnjë arsye për ta braktisur qëllimin e tij kryesor: pushtimin e gjithë Ukrainës.

Vladimir Putin ishte në humor. Më 18 mars, po merrte pjesë prej një ore në një takim vjetor të industrialistëve dhe sipërmarrësve rusë në Moskë, kur drejtuesi i panelit, Alexander Shokhin, tha se ishte koha e përfundimit të takimit. Zëdhënësi për mediat i Putinit, Dmitry Peskov, ia kishte rikujtuar se bosi i tij do të fliste në telefon me Donald Trump pikërisht në atë moment.

Shokhin e tha këtë duke parë me nervozizëm orën e tij. “S’ka rëndësi”- tha Putin, duke e shpërfillur shqetësimin e Shokhin. “Kjo është puna e tij!”. Publiku shpërtheu në të qeshura.

Putin sqaroi se e kishte fjalën për Peskov, por të gjithë e kuptuan se shakaja ishte për Trumpin. Mesazhi ishte i qartë: nuk kishte ndonjë nxitim të shkonte të fliste me presidentin amerikan. Kur të dy liderët nisën të bisedonin një orë më vonë, qetësia e Putinit doli të ishte i justifikuar. Ndërsa presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u sulmua dhe më pas u dëbua nga Shtëpia e Bardhë pasi ngriti çështjen e garancive të sigurisë, Putin u mbulua me lëvdata nga Trump.

Duke e cilësuar bisedën midis tyre si “shumë të mirë dhe produktive”, Trump njoftoi në mediat sociale se ata kishin rënë dakord për “një armëpushim të menjëhershëm mbi gjithë objektet energjitike dhe infrastrukturore”. Në fakt, ky nuk ishte një akt bamirësie nga Putin, duke pasur parasysh sukseset e fundit të Ukrainës në goditjen e rafinerive ruse të naftës.

Për më tepër, presidenti rus tha se e mënyra e vetme për të parandaluar përshkallëzimin e luftës, ishte t’i jepej fund ndihmës së huaj ushtarake dhe shkëmbimit të inteligjencës me Kievin. Pra, nëse Ukraina nuk braktiset nga aleatët dhe të detyrohet të dorëzohet, ai synon ta vazhdojë luftën. Dhe kjo sepse ushtria ruse po bën përparime të shpejta në fushën e betejës. Të mbështetura nga trupat e Koresë së Veriut, ato kanë shënuar një përparim të rëndësishëm javët e fundit në rimarrjen e pjesës më të madhe të territorit që Ukraina kishte pushtuar në rajonin Kursk në Rusinë Jugore që nga vera e vitit të kaluar,

Ofensiva në Ukrainën Lindore duket se ka ngecur. Por tani janë ndryshuar vijat ndarëse gjeopolitike. Me Trump në krye të SHBA-së, Putin sheh një mundësi për ta copëtuar Ukrainën dhe ndarë Evropën. Ai shpreson të paktën të sigurojë sovranitetin mbi 4 rajonet e Ukrainës që ai pretendon se i ka aneksuar, por nuk i kontrollon ende plotësisht: Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson, së bashku me Krimenë, të cilën e aneksoi që në 2014-ën.

Po ashtu, ka gjasa të kërkojë neutralitetin e përhershëm të Ukrainës. Pra në BE e cunguar, dhe asnjëherë në NATO. Ndërkaq, dëshiron mbajtjen e zgjedhjeve të reja, të cilat ai shpreson se

do të largojnë Zelenskyn, dhe do të sjellin në pushtet një udhëheqës më të butë.

Nga ana tjetër, s’do pranojë praninë e trupave evropiane si pjesë e një marrëveshjeje paqeje, pasi kjo do ta bënte më të vështirë rifillimin e luftës nëse do të ishte e nevojshme. Sipas Putin, ose Ukraina e rimerr vendin e saj në orbitën ruse ose duhet të shkatërrohet. Edhe vetëm 6 muaj më parë, këto kërkesa do të kishin qenë të paimagjinueshme.

Rusia rrezikoi ta humbte luftën në pjesën më të madhe të vitit të parë. Por Amerika që u zotua të qëndrojë me Ukrainën “për aq kohë sa do të duhet” gjatë administratës Biden, tani nuk është më. Përvoja e kaluar e ka mësuar Putinin, se Trump është shumë i ndjeshëm ndaj lajkave dhe joshjes me një marrëveshje fitimprurëse.

Në të njëjtën kohë, Trump mezi e fsheh përbuzjen e tij për Zelenskyn, të cilin e ka quajtur “diktator”, por edhe ndaj Bashkimit Evropian, për të cilin këmbëngul se është “formuar për ta sabotuar SHBA-në”. Do të ishte një gafë e madhe, nëse Putin nuk do ta shfrytëzonte këtë avantazh.

Sigurisht, ka edhe arsye pse Putin mund të mirëpresë një ndërprerje të përkohshme të luftës në formën e një armëpushimi, si një shans për të rindërtuar ushtrinë e tij të dobësuar. Gjatë 3 viteve të fundit, shërbimet sekrete britanike vlerëson se rreth 900.000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur.

Rusia ka humbur gati 12.000 tanke dhe mjete të blinduara luftarake, qindra avionë dhe mbi 20 prej anijeve të flotës së saj të famshme të Detit të Zi. Edhe pse ekonomia ruse i ka përballuar sanksionet perëndimore shumë më mirë se sa parashikonin dikur shumë analistë ndërkombëtarë, ka shenja të një presioni të madh.

Vitin e kaluar, normat e interesit u rritë në 21 për qind, inflacioni me 10 për qind, dhe çmimet për ushqimet bazë si gjalpi me 30 për qind. Ka një mungesë të vazhdueshme punëtorësh për shkak të numrit të qytetarëve rusë që kanë ikur jashtë vendit dhe burrave që janë mobilizuar në luftë.

Por kjo nuk do të thotë se Putini është i dëshpëruar dhe do t’i japë fund luftës. Lëvizjet e fundit për ta zhvendosur ekonominë e vendit në një bazë lufte duken të qëndrueshme, të paktën në një periudhë afatshkurtër dhe afatmesme. Ushtarët rusë që po luftojnë në Ukrainë, vijnë nga rajonet më të varfra të vendit.

Dhe pagesat e mira dhe dëmshpërblimet për familjet e të rënëve, kanë sjellë një ringjallje ekonomike në ato zona. Po kështu ka ndodhur me fabrikat e rrënuara dhe qytetet industriale që dikur ushqenin ushtrinë e fuqishme të Bashkimit Sovjetik, duke prodhuar tanke dhe predha artilerie.

Kompleksi i rinovuar ushtarako-industrial rus, një sektor prej kohësh sinonim i korrupsionit, ofron mundësi të reja pasurimi për elitën e pasur rreth Putinit. Ndërkohë ky i fundit e di se koha e Trump në detyrë është e kufizuar. Me përjashtim të ndonjë ndryshimi në kushtetutën e SHBA-së, ai do të jetë në pushtet edhe për 4 vite.

Mund ta humbasë kontrollin e Kongresit që në fund të vitit që vjen. Ndaj udhëheqësi rus do të marrë çdo lëshim që Trump është i gatshëm të ofrojë, teksa nuk ka treguar deri më tani asnjë shenjë se do të pranojë ndonjë gjë që ia vlen të këmbehet./ Përshtati nga “Newstatesman”, Pamfleti

vladimir putin ukraina

Lini një Përgjigje