Vitet e fundit, qeveritë e ekstremit të djathtë kanë gëzuar një liri të madhe për të zgjedhur nismat pro dhe anti-evropiane që mbështesin. Por ndërsa Trump synon të minojë sigurinë dhe ekonominë e Evropës, partitë evropiane të ekstremit të djathtë do të kenë më pak hapësirë për të luajtur me 2 porta.
Ndërsa një valë e ekstremit të djathtë po e përshkon Atlantikun, liberal demokratët evropianë po kërkojnë një strategji sesi ta përballojnë. Disa besojnë se duhet të ngrenë mekanizma izolues më të fortë, duke refuzuar të bashkohen me koalicione që përfshijnë të djathtën ekstreme, për të parandaluar që liderët e saj të fitojnë pushtet politik.
Të tjerët, si presidenti i Partisë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë në Parlamentin Evropian, Manfred Weber, kanë mbrojtur bashkëpunimin me disa parti të ekstremit të djathtë, me shpresën se liderë të caktuar mund të largohen nga ekstremet duke u ofruar një vend në tryezë.
Por të tjerë akoma, supozojnë se kur provokatorët populistë të krahut të djathtë marrin poste publike dhe përballen me kaosin e vërtetë të qeverisjes, ata do të zhvendosen drejt qendrës. Ata që i përmbahen kësaj perspektive kanë parasysh Giorgia Melonin, kryeministren italiane pro-amerikane dhe të ekstremit të djathtë.
Kur ajo u ngjit për herë të parë në pushtet në vitin 2022, demokratët liberalë u shqetësuan shumë, pasi ajo ishte një admiruese e vetëshpallur e Benito Musolinit dhe drejtonte një parti që krenohej me rrënjët e saj fashiste. Megjithatë Meloni lëvizi shpejt për t’i larguar këto shqetësime, duke e zgjeruar mbështetjen e paraardhësit të saj për Ukrainën dhe rikonfirmoi angazhimin e vendosur të Italisë ndaj NATO-s.
Duke pasur parasysh qasjen grabitqare të presidentit amerikan Donald Trump ndaj Evropës, disa evropianë - veçanërisht zyrtarë të BE-së dhe udhëheqës ukrainas - supozuan se figura të tilla si Meloni mund të shërbenin si “pëshpëritës në veshët e Trumpit”, për ta bindur presidentin amerikan të qëndrojë me aleatët evropianë.
Vetë Trump ka folur shpesh me tone dashamirëse për Melonin, duke deklaruar në dhjetor
2024, se nëse do të punonin së bashku, ata mund ta “ndreqnin paksa botën”. Por shpresat e të moderuarve ndaj Melonin janë të pavend. Sepse ndërsa mjedisi politik transatlantik është bërë më pranues i pikëpamjeve të ekstremit të djathtë, ajo është rikthyer në origjinë.
S’ka asnjë provë të vërtetë, se qënia në krye të qeverisjes po e moderon Melonin. Që nga mesi i vitit 2024, ka shumë prova se ndryshimet e saj ishte thjesht taktike. Meloni është përpjekur të rrisë kontrollin e saj mbi gjyqësorin, duke i sulmuar gjykatat si politike për shkak të pengimit të planit të saj për të dërguar refugjatët në qendrat e ngritura në Shqipëri.
Qeveria e saj u përpoq të frikësonte gazetarët kritikë, dhe donte të zëvendësonte drejtuesit e lartë në radiotelevizionin shtetëror RAI, duke nxitur kritikat publike nga Komisioni Evropian për kufizimin e pavarësisë së medias. Dhe në fundin e vitit 2023, ekipi i Melonit propozoi një reformë të kushtetutës italiane për të përqendruar më shumë pushtet në duart e kryeministres.
Gradualisht, Meloni nisi të kthehej drejt së djathtës ekstreme për çështjet evropiane dhe politikën e jashtme. Këtë zhvedonsje e lehtësoi edhe rizgjedhja e Trump në nëntor 2024. Por ndryshimi gradual i Melonit, nuk është askund më i dukshëm sesa në politikën ndaj Ukrainës.
Mbështetja e saj në vitin 2022 për Ukrainën, i dha respektin e kolegëve të saj më të moderuar evropianë, si dhe politikëbërësve në administratën Biden. Por sapo e siguroi atë besueshmëri, nisi një rikthim të dukshëm në të djathtën ekstreme. Që nga kthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë, ajo ka shmangur në maksimum përmendjen e Ukrainës.
Në fillim të këtij muaji, partia e saj abstenoi për herë të parë ndaj një rezolutë të Parlamentit Evropian në mbështetje të Kievit. Ajo eka kritikuar idenë e një “koalicioni të të gatshmëve” për të mbrojtur Ukrainën, dhe ka refuzuar dërgimin e trupave italiane në rastin e një armëpushimi të qëndrueshëm, përveç nëse një mision i tillë mandatohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ku Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë të drejtën e vetos.
Ndryshimi i qasjes së Melonit, ka zbuluar gjithashtu se sa më shumë politikanë të krahut të djathtë të ngjiten në pushtet, aq më shumë forcë dhe liri i japin njëri-tjetrit. Në vitin 2023, Meloni kishte vetëm një homolog të ekstremit të djathtë në Evropë, kryeministrin hungarez, Viktor Orban.
Sot, 8 qeveri evropiane përfshijnë parti të ekstremit të djathtë dhe 2 të tjera - në Republikën Çeke dhe Rumani - mund të ftojnë brenda këtij viti pjesëmarrjen e partive të tilla. Meloni nuk ka pse të pretendojë më se është pro-evropiane. Por ashtu si Orban, ajo nuk e mbron më largimin e Italisë nga BE apo heqjen e euros.
Sepse e di se Italia përfiton jashtëzakonisht shumë nga anëtarësimi në BE, dhe se situata e saj fiskale është e brishtë, duke pasur parasysh borxhin publik shumë të madh. Nga më shumë se 800 miliardë dollarë në fondin e rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë të akorduar nga BE, Italia mori 220 miliardë dollarë.
Ashtu si Orban, për çështjet ku vendi i saj mund të përfitojë direkt nga BE-ja, si krijimi i fondeve kolektive evropiane për të nxitur liderët e Afrikës së Veriut të frenojnë migracionin, Meloni është pro. Por në lidhje me thellimin e integrimin evropian, synon ndryshimin e bllokut nga brenda përmes të ashtuquajturit thjeshtëzim i burokracive.
Por ashtu, ka shprehur dyshime mbi planet e BE-së për të koordinuar mbrojtjen e Evropës, dhe përpjekjet e presidentit francez Emmanuel Macron mbi krijimin e një mekanizmi parandalues kolektiv bërthamor në kontinent. Udhëheqësit populistë priren të zbulojnë gradualisht ngjyrat e tyre të vërteta.
Në mandatin e tij të dytë, Trump synon qartazi të mos e injorojë Evropën, por ta dëmtojë atë në mënyrë aktive. Ai e ka bërë të qartë, se Evropa nuk mund të varet më nga një ombrellë sigurie e SHBA-së, dhe kërkoi nga vendet evropiane të shpenzojnë deri në 5 për qind të PBB-së së tyre për mbrojtje, teksa vetë SHBA shpenzon 3.4 për qind të PBB-së së saj.
Trump e cilëson BE-në si një mekanizëm për shkatërrimin e Shteteve të Bashkuara, dhe ka filluar të vendosë disa tarifa të rënda për produktet e BE-së. Rreth 1/3 e suficitit tregtar të BE-së me Shtetet e Bashkuara gjenerohet nga Italia, ndaj tarifat e Trump do ta dëmtojnë më shumë Italinë se cilindo vend tjetër të bllok.
Në lidhje me këtë çështje, Meloni është shumë e shqetësuar. Në një rend botëror transaksional, në të cilin mbizotëron nacionalizmi, shtetet e vogla dhe të mesme - pra shtetet evropiane, nëse janë të ndara - do të jenë ndër të parat që do të vuajnë. Politika i bashkon partitë e ekstremit të djathtë përtej Atlantikut, por politika do t’i detyrojë ato të ndahen.
Për çështje të tilla si tregtia dhe rregullimi i teknologjisë, qeveritë e ekstremit të djathtë rrezikojnë madje të bëhen “Kuajt e Trojës” në BE. Duke ngadalësuar ose bllokuar politikat që synojnë ta bëjnë Evropën një aktore kolektive më të fortë, ato i shërbejnë dëshirës së Trump për ta parë Evropën të dobët dhe të përçarë.
Vitet e fundit, qeveritë e ekstremit të djathtë kanë gëzuar një liri të madhe për të zgjedhur nismat pro dhe anti-evropiane që mbështesin. Por ndërsa Trump synon të minojë sigurinë dhe ekonominë e Evropës, partitë evropiane të ekstremit të djathtë do të kenë më pak hapësirë për të luajtur me 2 porta.
Udhëheqësve të tyre, mund t’u duhet të zgjedhin midis Evropës dhe Trump. Megjithatë, forcat pro-evropiane nuk kanë luksin të rrinë duarkryq. Në vend se të përpiqen të joshin liderët e ekstremit të djathtë, demokratët liberalë në Evropë duhet të punojnë për të demaskuar kontradiktat në politikat e këtyre udhëheqësve.
Ndërsa liderët populistë të ekstremit të djathtë, pretendojnë me krenari të përfaqësojnë njerëzit, të moderuarit evropianë duhet të vënë në dukje se nuk ka asgjë patriotike në mbështetjen e tyre për Trump dhe përpjekjen e tij për të minuar sigurinë dhe zhvillimin e Evropës.
Vetëm në këtë mënyrë, dhe duke theksuar kostot e mëdha në epokën e Trump, të prishjes së kohezionit të Evropës, demokratët liberalë në Evropë mund të mbrohen nga forcat që synojnë t’i nënshtrojnë ata./ Përshtati nga “Foreign Affairs”, Pamfleti
*Shënim: Nathalie Tocci, drejtoreshë e “Istituto Affari Internazionali” në Romë.
Lini një Përgjigje