
Trump shtoi se kostoja dhe barra e sigurimit të paqes duhet të paguhet nga kombet e Evropës, jo vetëm nga SHBA, duke vënë në dukje se homologu i tij francez është dakord me këtë.
Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti francez Emmanuel Macron mbajtën një konferencë të përbashkët shtypi të hënën pas takimit të tyre dypalësh në Zyrën Ovale.
Në fjalën e tij, Trump tha se qëllimi i takimit të sotëm ishte për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe vdekjeve të panumërta të ndodhura në fushëbetejë.
“Qindra mijëra rusë dhe ukrainas kanë vdekur pa nevojë, një brez i tërë është shkatërruar. Shumë gjëra të mira drejt paqes po ndodhin dhe Macron ka qenë në me këtë ide që nga fillimi. Mendoj se Macron është dakord se kjo është koha e duhur... mund të jetë koha e vetme për t'i dhënë fund luftës”, tha Trump.
Më pas, Trump shtoi se kostoja dhe barra e sigurimit të paqes duhet të paguhet nga kombet e Evropës, jo vetëm nga SHBA, duke vënë në dukje se homologu i tij francez është dakord me këtë.
"Evropa duhet të marrë atë rol qendror për të garantuar sigurinë afatgjatë të Ukrainës, gjë që ata duan ta bëjnë", tha ai.
Trump foli edhe për dëshirën e tij për të "rikuperuar shumën kolosale të parave" që SHBA ka shpenzuar, mbi 300 miliardë dollarë.
“SHBA-ja duhet të ketë një marrëveshje me Ukrainën për mineralet kritike dhe tokat e rralla si siguri”, tha ai duke shtuar se në këtë drejtim po bëhet përparim.
Trump foli edhe për një numër bisedimesh, duke përfshirë sigurinë në kufi dhe inflacionin në SHBA, teksa kritikoi qeverinë e mëparshme amerikane për luftën në Ukrainë.
"Pamaturia e administratës së Joe Biden, çoi në vdekjen e shumë, shumë njerëzve. Në të kundërt, administrata Trump është e fokusuar në rregullimin e saj dhe do ta bëjë atë sa më shpejt të jetë e mundur", tha Trump duke iu referuar luftës në Ukrainë.
Nga ana tjetër presidenti francez Emmanuel Macron falënderoi Trump për miqësinë mes Amerikës dhe Francës. Ai tha se ata kanë bërë "hapa shumë thelbësorë përpara" në diskutimet për Ukrainën, duke këmbëngulur se Evropa nuk është shmangur nga përgjegjësitë e saj për të ndihmuar vendin.
“BE-ja investoi 128 miliardë dollarë në sigurinë e Ukrainës - duke theksuar fjalën investim, sepse, Ukraina ka mbajtur frontin për "sigurinë kolektive" të të gjithë Evropës. admirojmë shumë guximin e popullit ukrainas dhe vesoj se askush në këtë dhomë nuk dëshiron të jetojë në një botë ku vullneti i më të fuqishmëve thjesht mund të imponohet dhe ku kufijtë e njohur ndërkombëtarisht thjesht mund të shkelen”, tha Macron.
Më tej lideri francez vazhdoi duke thënë se ai dhe Trump kishin diskutime të gjata rreth dëshirës së tyre për t'i dhënë fund konfliktit në Ukrainë dhe për të pasur një armëpushim që është i matshëm, i verifikueshëm dhe që mundëson negociatat e paqes së qëndrueshme.
Macron foli gjithashtu për garancitë e sigurisë që do ta ruajnë këtë paqe në një afat të gjatë, duke përsëritur fjalët e Trump, tha se dëshiron të jetë një "lojtar për paqen" në rajon.
“Paqja nuk duhet të nënkuptojë një dorëzim të Ukrainës, apo armëpushim pa garanci. Ajo duhet të lejojë sovranitetin ukrainas dhe të lejojë Ukrainën të negociojë me palët e tjera të interesuara në lidhje me çështjet që e prekin atë”, tha Macron.
Nga deklaratat e tyre duket se të dy duan t'i japin fund luftës, por në mënyra të ndryshme. Macron thekson se çdo marrëveshje paqeje duhet të vijë me garanci për sigurinë e Ukrainës. Ndërkohë që Trump nuk ka përmendur asgjë për këtë rast.
"Ne kemi të njëjtën dëshirë, paqe sa më shpejt të jetë e mundur", shtoi Macron.
Macron e përfundoi fjalën e tij duke thënë se ai dhe Trump kanë pasur diskutime jashtëzakonisht produktive, dhe se ai beson plotësisht se ka një rrugë të mbarë përpara.
"Ne kemi ndarë besimet dhe kërkesat tona dhe e dimë të gjithë punën që ka mbetur për të bërë", u tha ai gazetarëve, duke shtuar se ata do të takohen përsëri në javët në vijim.
Ndërkohë që më pas Trump u pyet për negociatat dhe një marrëveshje të mundshme paqeje me Rusinë, të cilës ai përgjigjet duke thënë se "njerëzit e tij" po merret me presidentin rus Vladimir Putin vazhdimisht.
"E gjithë jeta ime është marrëveshje, kjo është gjithçka që di", tha ai, duke këmbëngulur se e di kur dikush dëshiron të bëjë një marrëveshje.
"Kur erdha në pushtet një nga telefonatat e para që bëra ishte me Presidentin Putin dhe ai dëshiron t'i japë fund luftës. Po punojmë për marrëveshjen tani, një armëpushim mund të ndodhë më shpejt”, shtoi Trump.
Të pyetur për Vladimir Putinin, Macron u përgjigj i pari duke thënë se nuk ka folur prej kohësh me Putin, por theksoi se me ndryshimin e politikës së SHBA-së mund të rikthejë marrëdhëniet me Rusinë.
“Nuk kam folur me liderin rus për disa kohë, por me një administratë të re të SHBA-së, shpresoj për një kontekst të ri dhe një mundësi të re për t'u riangazhuar", tha Macron.
Nga ana tjetër Trump përsërit një tjetër pretendim që ai e ka bërë disa herë, se lufta e cila filloi dy vjet në presidencën e Joe Biden nuk do të kishte filluar nëse ai do të ishte president.
"Unë me të vërtetë besoj se ai dëshiron të bëjë një marrëveshje, mund të jem i gabuar, por besoj se ai dëshiron të bëjë një marrëveshje. Putini mund të vazhdojë të udhëheqë Rusinë në një mënyrë shumë pozitive", tha Trump për Putinin.
Macron tha se diskutimi i sotëm tregoi disa fusha përparimi, teksa theksoi se asnjëra palë nuk duan një marrëveshje paqeje 'të brishtë'.
“Kemi punuar për të pasur një propozim për një plan veprimi që është i pranueshëm për Ukrainën dhe se është e rëndësishme të kemi konfirmim se Trump do të takohet së shpejti me presidentin ukrainas Zelensky për të rënë dakord për një marrëveshje për mineralet kritike”, tha Macron.
Duke përfunduar konferencën e përbashkët, presidenti amerikan falënderoi Emmanuel Macron për udhëtimin në Shtëpinë e Bardhë.
"Do të shihemi përsëri së shpejti... do ta zgjidhim këtë gjë, do ta bëjmë këtë", tha Trump, teksa shtrëngojnë duart dhe përqafohen, përpara se të largohen të dy nga skena./Pamfleti
Lini një Përgjigje