TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Prill 2025, 12:50

Pse Trump refuzon të ushtrojë presion ndaj Putinit për luftën në Ukrainë?!

Shkruar nga Marco Ventura

Pse Trump refuzon të ushtrojë presion ndaj Putinit për

Presidenti amerikan nuk mund të arrijë paqen, nëse vazhdon të mbështesë palën që dëshiron të vazhdojë luftën, në vend të palës që dëshiron t’i japë fund asaj.

“Nuk pati paqe brenda 48 orësh, dhe s’do të ketë paqe as brenda 48 ditësh, dhe as brenda 4 muajsh. Marrëveshja është e pamundur, sepse Trump nuk dëshiron që të përdorë levat që ka me Putinin”. E ftohtë në analizën e saj dhe mosbesuese në përfundimet që arrin, Nathalie Tocci, drejtoreshë e Institutit të Çështjeve Ndërkombëtare në Itali, e pranon se Joe Biden “mund të kishte bërë shumë më tepër, por ai kishte frikë nga lufta bërthamore”.

Sipas saj, Trump nuk do të arrijë paqen në rast se vazhdon të mbështesë palën që dëshiron të vazhdojë luftën, në vend të palës që dëshiron t’i japë fund asaj. Në këto kushte, do të vazhdojmë të shohim të njëjtën gjë, derisa Putini të llogarisë ndryshe kostot dhe përfitimet.

Si duhet ta lexojmë deklaratën e Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, se pa një marrëveshje Shtetet e Bashkuara do të ecin përpara?

Distancimi i plotë nga kjo krizë është skenari më i leverdisshëm. Trump ndodhet në udhëkryq. Ose do të mërzitet nga lufta dhe vendos t’i përkushtohet diçkaje tjetër, për shembull negociatave më premtuese mbi programin bërthamor të Iranit, dhe t’i lejojë evropianët që të vazhdojnë ta ndihmojnë Ukrainën kundër Putinit, i cili nuk po ndalet.

Ose, dhe ky është skenari më i keq, nëse nuk e arrin dot paqen, por është aq shumë i lidhur me Rusinë, do u thotë ukrainasve: Do t’ju braktis, do anuloj ndihmën ushtarake të SHBA-së, dhe do të përpiqem t’i pengoj evropianët që të vazhdojnë t’ju mbështesin.

E si mund ta bëjë këtë?

Duke vendosur sanksione dytësore ndaj atyre që këmbëngulin të ndihmojnë Ukrainën dhe të vendosin sanksione ndaj Rusisë. Armëpushimi i Pashkëve është një pasojë. Putini e ka kuptuar se nuk ka nevojë të bëjë shumë për ta mbajtur Trumpin të lumtur. Mjafton edhe diçka e vogël.

Në sytë e presidentit rus, Armëpushimi i Pashkëve, është i mjaftueshëm për ta nxitur sërish Trumpin të sulmojë Zelenskyn, dhe për ta shtyrë drejt skenarit të braktisjes totale të Kievit dhe Evropës. Megjithatë, ky është skenari më pak i mundshëm.

Në anën e kujt është koha?

Ne nuk e dimë me saktësi se çfarë po ndodh brenda “kutisë së zezë” të Rusisë. E sigurt është që sot për sot, koha nuk i ndihmon ukrainasit që janë viktima të kësaj lufte. Por sa i përket dinamikës në terren, pa retorikën dhe narrativën propagandistike ruse, do të vijë momenti kur njëra nga dyja palët do të dorëzohet, edhe pse nuk e dimë se kur do të ndodhë kjo.

Kush do ta fitojë luftën?

Vladimir Putin s’ka arritur ndonjë gjë të madhe vitin e kaluar. Kjo është një luftë perandorake, të cilën e fiton ose humb. Nuk ka një rrugë të mesme si në luftërat etnike apo të shkëputjeve për pavarësi të viteve 1990. Nuk e dimë se sa gjatë mund të rezistojë Rusia. Në regjimet diktatoriale, pragu i vuajtjes së njerëzve është më i lartë.

Megjithatë edhe diktatorët kanë nevojë për konsensus popullor. Të dhënat mbi ekonominë ruse shtrembërohen nga Kremlini, ngaqë ata janë një ekonomi lufte. PBB-ja po rritet jo sepse gjenerohet pasuri, por sepse prodhohen dhe shkatërrohen më shumë tanke. Në realitet Rusia është sot në krizë. Nëse do të ishte një demokraci, mund të thoshim se gjendet në prag të kolapsit. Por duke qenë një diktaturë, është më e ndërlikuar të bësh parashikime të sakta.

Cili është qëllimi i vërtetë i Trump në këto momente?

Ai interesohet vetëm për arritjen e marrëveshjes së paqes, pjesa tjetër është dytësore për të. Lufta do të vazhdojë. I vetmi konflikt që Trump do të jetë në gjendje t’i japë fund, do të jetë ai me Iranin. Teherani dëshiron të shmangë sanksionet e rënda, të cilat do të riaktivizohen në tetor, në rast se dështon arritja e një marrëveshjeje të re. Por nuk do të jetë një traktat prej 10.000 faqesh. Do të mjaftojnë disa faqe për të pezulluar procesin e pasurimit të uraniumit nga njëra anë, dhe nga ana tjetër për ta lejuar Trumpin të shpallë një fitore politike./Përshtati "Pamfleti", nga “Il Messagero”

Lini një Përgjigje